Pasi kanë pritur disa javë për të marrë propozimet për ndryshimet e mundshme statutore, Komisioni i Përhershëm në PD për këtë çështje do të mblidhet sot për të shqyrtuar tri propozimet.
Përveç draftit të Lulzim Bashës dhe Fatbardh Kadillit, që tashmë janë bërë publike, në tryezën e grupit me 9 anëtarë ka mbërritur edhe drafti i tenorit Rudi Sata.
“Të mërkurën, datë 14.07.2021, orën 11:00, do të zhvillohet mbledhja e Komisionit të Përhershëm Statutor, për të shprehur mendimin e tij për propozimet që do të vijnë deri të martën, datë 13.07.2021, nga anëtarë të Komisionit, anëtar të Kryesisë, Kryetari i Partisë, anëtar të Këshillit Kombëtar, apo strukturat lokale të Partisë”, njoftoi pak ditë më parë sekretari i përgjithshëm i PD-së anëtarët e komisionit. Ndërkohë, vetëm një ditë më pas, pikërisht ditën e enjte, do të mblidhet edhe Kryesia e PD-së, e cila do të njihet me analizën e zgjedhjeve që është bërë në 12 qarqe dhe listën me kandidatët për Këshillin Kombëtar.
PROPOZIMET E BASHËS
Kreu i PD-së propozon një kryesi më të zgjeruar, ku kryetari i Këshillit Kombëtar të jetë anëtar i saj për shkak të funksionit që mban. “Është zgjeruar kryesia e partisë, duke përfshirë si anëtarë të saj për shkak të funksionit edhe kryetarin e Këshillit Kombëtar; kryetarin e Bordit Financiar, kryetarin e Komisionit Zgjedhor dhe kryetarin e Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës. Gjithashtu, është shtuar rregulli që jo më pak se 30% e anëtarëve të zgjedhur të kryesisë t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar”, thuhet në propozimin e Bashës. Sipas këtij propozimi, në kryesi do të jetë edhe Arben Ristani, një tjetër kritik i Bashës ndaj humbjes së zgjedhjeve parlamentare.
Ristani mban në PD funksionin e kryetarit të Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës. Por Basha përfshin në Kryesi për shkak të funksionit që mban edhe Jemin Gjanën, i cili është kryetari i të gjitha komisioneve zgjedhore në PD qëkur Basha drejton këtë parti. Si parti në opozitë, kryetari i PD-së duket se do të përfshijë në organet drejtuese të partisë sa më shumë personalitete të saj. Në këtë funksion, Basha propozon që numri i sekretarëve të mos jetë i limituar, por të jetë në dorën të kryetarit që të caktojë numrin që i duhet. “Është rikonceptuar Sekretariati Ekzekutiv i Partisë, duke hequr numrin limit të sekretarëve funksionalë në përbërje të tij. Ky rregull është shtrirë edhe për degët e partisë”, propozon Basha.