Të tjera përgjime të SPAk kanë dalë në dritë në lidhje me ish-zv.ministren e Brendshme, Rovena Voda, për të cilën GJKKO vendosi masën e sigurisë në mungesë ‘arrest me burg’, e akuzuar për korrupsion, pasi i ka marrë 2 mijë euro avokates Florida Beu, për punësimin e saj në Ministrinë e Brendshme.
Në dosjen e përgjimeve, të siguruar nga gazetari i “Report Tv”, Arsen Rusta, del edhe një bisedë që Beu ka zhvilluar me nënë e saj, ku i thotë se Voda i kishte siguruar se mjaftonte të ‘fuste këmbën’ në Ministri, pasi më pas do të rritej në detyrë.
Përgjimi:
Florida: Me ato leket që do më sjelle Gerti do ti blej naj gjë asaj Rovenës, që të paktën ta ndjejë nje cike si detyrim ajo.
E ëma: Ishalla o zot i madh, dritë ja bëftë edhe asaj zoti.
Florida: I tha pa merak i tha se kjo do ta shpërblej, njeqind here i tha hajde të dalim për darkë, e andej e këndej, e kemi lënë të enjten.
E ëma: Po çfarë është kjo tani?
Florida: Zëvendësministre.
E ëma: Tani ca pike synimi ke ti që të fusi aty?
Florida: Në ministri.
E ëma: Po cca me u bë? Nuk mund të pyesja dot në telefon unë edhe kështu nuk u ulëm të bënim pak muhabet.
Florida: Mjafton të futem se ajo tha, i tha Majlinda unë dua nje vend të mirë për këtë ajo i tha unë direkt për shefe nuk e fus dot po do ta fus specialiste i tha
E ëma: Ty të pëlqen kjo? Florida: Po po mami se futesh në ministri është gjë e madhe të futesh në ministri dhe me Dap. me Dap është ajo që të regjistron, futesh me provim ti bën provimin pyetjet ti jep se do ti jap kafen unë, ajo Albana që mori ajo në telefon edhe po u fute aty pastaj se atë tha dhe ajo Rovena mjafton të fusi këmbët se pastaj pas një viti e rrisim në post po vetëm të futet
GJKKO la në ‘arrest shtëpie’ në mungesë Vodën më 13 korrik, ndërsa “Report Tv’ mësoi sot të tjera detaje në lidhje me dosjen e Rovena Vodës, ku rezulton se ajo ra në ‘rrjetën’ e SPAK nga përgjimet që SPAK kishte nisur për prokurorin e Kukësit, Edmond Karriqi, i cili u arrestua në Kavajë pak ditë më parë nën akuzën e korrupsionit. Emirjan Beu, i cili ndërhyri te prokurori Karriqi për pushimin e një çështje, rezulton se është vëllai i Florida Beut, avokate, e cila gjithashtu është në “arrest shtëpie” pasi akuzohet se i ka dhënë 2 mijë euro ish zv.ministres së Brendshme, Rovena Voda për ta punësuar në Ministrinë e Brendshme. Pikërisht nga përgjimet e Emrijan Beut dhe lidhjeve të tij me prokurorin Karriqi, është zbuluar edhe rasti i Vodës.
Nga përgjimet rezultoi se Rovena Voda ka pranuar nga avokatja Florida Beu 2 mijë euro, një telefon dhe një arkë me peshk për punësimin e saj në Ministrinë e Brendshme, por që në fund procedura mbeti në mes. Marrja e eurove dhe të mira materiale janë filmuar, përgjuar dhe fotografuar nga SPAK, ndërsa ato janë marrë në momente të ndryshme dhe jo të gjitha njëherësh. Për ngjarjen Rovena Voda, Majlinda Hasani dhe Florida Beu janë në ‘arrest shtëpie’ pasi akuzohen për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.