MENU
klinika

Shaban Murati: Ku cënohen interesat e Shqipërisë dhe Kosovës?

Një shantazh diplomatik! Ekstaza e pazakontë Orban-Vuçiç

15.07.2021 - 15:24

Marrëdhëniet e ngushta deri në ekstazë midis dy shteteve dhe midis dy udhëheqësve të tyre janë çështje e interesave dypalëshe. Por kur këto marrëdhënie speciale kalojnë kufijtë normalë të marrëdhënieve midis dy shteteve dhe bëjnë objektiv të aleancës dhe të ndërhyrjes së tyre të përbashkët shtete të treta dhe interesat e tyre jetike, ahere kjo nuk është me çështje e tyre dypalëshe, por është shqetësim rajonal dhe europian.

Ky është deduksioni i vizitës dhe i bisedimeve të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, në Beograd në 8 korrik dhe i tezave dhe platformës së habitshme politike e diplomatike, që ai lëshoi për Ballkanin Perëndimor në emfazën e dashurisë hungarezo-serbe, të cilat prekin dhe cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e shteteve dhe të popujve të Ballkanit Perëndimor, pra edhe të Shqipërisë.

Në konferencën e përbashkët të shtypit me presidentin e Serbisë Vuçiç, kryeministri i Hungarisë lëshoi dy teza të dëmshme për marrëdhëniet rajonale, për dinamikën e procesit të bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor dhe sidomos për integrimin europian të këtij mikrorajoni.

Teza e parë e dëmshme e kryeministrit hungarez ishte se Serbia është shteti kyç i rajonit, është shteti qendror dhe çdo rajon ka një shtet qendror pas të cilit duhet të shkojë. Ai e përkufizoi Serbinë si kyçi i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, gjë e cila sipas tij duhet të merret në konsideratë prioritare nga BE.

Është vërtetë në kufijtë e skandalit diplomatik që kryeministri i një shteti anëtar të NATO-s përcakton se Serbia është kyçi i stabilitetit për tre shtete anëtare të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, që janë Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Sipas Orbanit, stabilitetin në këtë mikrorajon nuk e garantoka Aleanca Atlantike, e cila madje ka dhe trupat e saj në Kosovë, por e garantoka Serbia, aleati strategjik dhe ushtarak i Rusisë, dhe që ka një politikë zyrtare antiatlantike.

Nuk e dimë se mbi bazën e cilit traktat ndërkombëtar apo statut ndërkombëtar apo status ndërkombëtar gjen të drejtën kryeministri i Hungarisë të emërojë Serbinë si tutore të Ballkanit Perëndimor dhe të tre shteteve anëtare të NATO-s në këtë mikrorajon. Hungaria e drejtuar nga Viktor Orban është shumë larg kuotës së madhësisë së forcës ekonomike, politike, diplomatike, ushtarake, demografike, etj. për të marrë pozën e vendimmarrësit për raportet e fuqisë dhe dinamikën e zhvillimit në Ballkanin Perëndimor dhe për t’u diktuar shteteve të këtij mikrorajoni se cilin shtet duhet të njohin për qendër dhe udhëheqës të rajonit. Mendojmë se nuk ka qeveri dhe diplomaci në Ballkanin Perëndimor, që nuk e di se Hungaria me dhjetë milion banorë nuk është vendimmarrëse as në BE e as në NATO.

Nuk kuptohet se me çfarë logjike diplomatike dhe të sigurisë kryeministri i Hungarisë i jep Beogradit përgjegjësinë dhe diplomën e nderit të stabilitetit rajonal, kur Serbia është gjeneratori kryesor i tensioneve dhe i konflikteve në Ballkanin Perëndimor, zjarrit të të cilave u fryn çdo ditë në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Aktualisht, edhe në ditën kur Viktor Orban fliste në Beograd, Serbia ka marrëdhënie të acaruara për shkak të ndërhyrjes së saj brutale në punët e brendshme në tre shtete të Ballkanit Perëndimor, me Malin e Zi, me Kosovën dhe me Bosnje-Hercegovinën. Serbia e “kyçit të stabilitetit” të Orbanit ka ndërhyrë me përpjekje për grusht shteti në Mal të Zi në 2016 për të ndaluar atë vend të anëtarësohej në NATO.

Serbia organizoi trazira në Mal të Zi në vitin 2019 për të ruajtur pushtetin e Kishës Ortodokse serbe në atë vend. Serbia ka ndërhyrë dhe organizoi trazira në vitin 2017 në Maqedoninë e Veriut për të ndaluar atë shtet të pranonte Marrëveshjen e Prespës dhe të anëtarësohej në NATO. Në prag të vizitës së kryeministrit hungarez në Beograd presidenti serb Vuçiç sulmoi ashpër Malin e Zi dhe Kosovën pse miratuan në parlamentet e tyre rezolutat për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë.

Presidenti Vuçiç, si ish-ministër i kabinetit të kriminelit të luftës Millosheviç, mbron sot e kësaj dite agresionet serbe kundër popujve joserbe dhe shkel vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e ka përcaktuar masakrën e Srebrenicës si gjenocid dhe parlamenti europian ka miratuar rezolutë të posaçme në vitin 2009.

Teza e dytë akoma më e dëmshme, që shpalli kryeministri hungarez në Beograd në 8 korrik dhe që cenon hapur interesat e integrimit europian të shteteve të Ballkanit Perëndimor, është deklarimi i tij në se “Derisa të integrohet Serbia në BE, Ballkani Perëndimor nuk do të integrohet”. Në 9 korrik “budapesttime.hu” i bënte jehonë fjalimit të kryeministrit në tezën e tij se “Zgjerimi i BE është e pamundur pa Serbinë”.

Është një tezë kaq flagrante antieuropiane dhe antiballkanike, e cila shpall në mënyrë kategorike se asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk do të hyjë në BE para se të hyjë Serbia. Kryeministri hungarez e lidh fatin e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Serbinë, dhe kërkon të kodifikojë formulën hegjemoniste serbe se rruga e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE kalon nga Beogradi.

Madje Orban arriti në absurditete të tilla sa deklaroi që “BE ka më shumë nevojë për Serbinë, se sa ka Serbia për BE”. Dy ditë para se të shkonte në Beograd kryeministri hungarez në 6 korrik pagoi publikimin e një reklame me firmën e tij në të përditshmen gjermane me tirazhin më të madh, ku i kërkonte BE të pranonte Serbinë anëtare.

Përpara kësaj kryeministri hungarez kishte paguar publikimin në gazetat më të përhapura europiane të një reklame me firmën e tij, ku bënte thirrjen që Serbia të pranohej në BE. Kryeministri i Hungarisë ndërmerr një hap të pazakontë për Serbinë, të cilin nuk e ka bërë për asnjë shtet ballkanik anëtar i NATO-s, që hyri në BE pas Hungarisë, si Bullgaria, Rumania dhe Kroacia.

Përveç kësaj, teza e kryeministrit hungarez përmban një kërcënim të pazakontë diplomatik dhe shtetëror ndaj vendeve aspirante ballkanike për anëtarësim në BE. Kjo është vetoja e Budapestit, e cila pritet të përdoret për të ndaluar çdo shtet ballkaniko-perëndimor, që plotëson para Serbisë kushtet e anëtarësimit në BE. Sepse vetëm me veton e Budapestit mund të ndalohen shtetet e tjera të hyjnë në BE para Serbisë.

Hileja e vetos hungareze shfaqet si kërcënim për të bllokuar anëtarësimin në BE të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, tre shtete anëtare të NATO-s, që janë edhe shtete kandidate për në BE. Nga katër shtete të Ballkanit Perëndimor me statusin e shtetit kandidat në BE, më i avancuar në rrugën e pranimit është Mali i Zi, për të cilin ka pasur vlerësime në Bruksel se mund të jetë shteti i parë, që mund të pranohet në BE nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Tani del kryeministri hungarez dhe paralajmëron se do të përdorë veton që të ndalojë gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor, që guxojnë të hyjnë para Serbisë në BE.

Është një qëndrim paradoksal dhe i paimagjinueshëm, që nuk ka ndodhur kurrë me procesin e integrimit europian në BE. Ka pasur veto dhe bllokime të një shteti anëtar të BE ndaj një shteti aspirant për shkak të konflikteve dhe problemeve në marrëdhëniet dypalëshe. Por kurrë nuk ka pasur veto globale apo në bllok të një shteti anëtar të BE kundër një grupi shtetesh aspirante, jo për probleme apo konflikte me shtetin anëtar, por thjesht për tekën diplomatike të kryeministrit hungarez që Serbia të bëhet anëtare para të tjerëve.

Rrezikshmëria e tezës së çuditshme të bllokimit të integrimit europian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për hatër të Serbisë është se ajo shantazhon BE-në që të pranojë mekanikisht Serbinë pse do kryeministri hungarez dhe t’i falë Beogradit të gjitha mëkatet antieuropiane dhe antiatlantike.

T’i falë që Serbia nuk ka realizuar kushtet dhe kërkesat e kapitujve të Traktatit të Pranimit në BE dhe është zhytur në autoritarizëm dhe mungesë lirish demokratike, të mediave dhe të shprehjes. T’i falë që Serbia refuzon të bashkohet me sanksionet e BE ndaj Rusisë për agresionin kundër Ukrainës, t’i falë që Serbia përshëndeti aneksimin e dhunshëm rus të Krimesë, që Serbia po zhvillon një garë marramendëse armatimesh me armë të sofistikuara ruse, që i ka dhënë bazë ushtarake Rusisë dhe organizon manovra ushtarake të rregullta me forcat ushtarake ruse në territorin serb.

Kryeministri i Hungarisë, shtet anëtar i NATO-s duhet ta dijë se Serbia po armatoset në radhë të parë kundër shteteve anëtare të NATO-s në Ballkan. Viktor Orban ka dhënë kontributin e tij personal në këtë drejtim, duke lejuar që kontigjentet e tankeve ruse të destinuara për Serbinë të kalojnë nga territori i Hungarisë.
Platforma e re e çuditshme ballkanike e kryeministrit hungarez neglizhon realitetin që tre shtete të Ballkanit Perëndimor janë anëtare të NATO-s, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Paradoksi i ri është se Hungaria, shtet i NATO-s, kërcënon të bllokojë integrimin europian të tyre dhe u emëron Serbinë tutore të rajonit. Ky shantazh diplomatik hungarez është kundër interesave të NATO-s në rajon. Padyshim kryeministri hungarez e din nenin 5 të Traktatit themelues të NATO-s, por nuk duket se ai dhe kabineti i tij kanë menduar ndonjëherë se si do të sillet Hungaria nëse Serbia hyn në konflikt të armatosur me një nga tre shtetet e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Ka interes strategjik të dihet nëse do të rreshtohet me tre shtetet anëtare të NATO-s, siç e ka detyrimin atlantik, apo do të rreshtohet me Serbinë, siç priret mendja dhe dashuria diplomatike e kryeministrit hungarez.

Platforma dhe tezat antiballkanike të Viktor Orbanit nuk mund të mos ngjallnin eufori te presidenti serb Vuçiç, i cili mori diplomën falso hungareze të dominimit serb të Ballkanit Perëndimor. Vuçiç tentoi t’ia kthente me akordimin e një roli të veçantë të Hungarisë në Ballkanin Perëndimor, duke deklaruar në 8 korrik se Hungaria ka një rol ekstremisht stabilizues në stabilitetin politik dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Është një hiperbolë diplomatike, që nuk ka asnjë bazë, sepse në stabilitetin politik dhe ekonomik të Ballkanit Perëndimor nuk ka asnjë rol Hungaria dhe atë e garanton BE dhe NATO.

Arsyet, motivet, dhe interesat, që e shtyjnë kryeministrin e Hungarisë të hartojë një platformë të dëmshme dhe të rrezikshme ballkanike, mund të jenë të shumta, personale, lokale, rajonale apo ndërkombëtare. Por është një impostim antikohor dhe antihistorik i politikës ballkanike dhe i politikës së jashtme të Hungarisë, e cila nuk ka shanse për pranim ose sukses në shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilët janë të lodhur nga mitet, projektet dhe fantazitë mesjetare të krijimit të grupimeve ballkanike nën udhëheqjen e Serbisë.

Kryeministri hungarez ka të drejtën personale të adhurojë presidentin Vuçiç dhe Serbinë, por nuk ka asnjë të drejtë të pengojë rrugëtimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Organi hungarez “policysolutions.hu” shkruante se “në një kontekst më të gjerë të Ballkanit Perëndimor miqësia e Orbanit me Vuçiçin ka një numër implikimesh sinjifikative për politikat e rajonit. Të dy liderët kanë kërkuar të forcojnë pozicionet e shteteve të tyre respektive si aktorë dominues brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Dashuria e pazakontë diplomatike e kryeministrit hungarez me presidentin serb dhe interesat okulte, që fshihen pas saj, kanë krijuar dyshime të bazuara në BE dhe më gjerë në Europë. Kjo klimë dyshimi për “miqësinë speciale hungaro-serbe” është kaq e përhapur në BE, sa që presidenti serb Vuçiç e pranoi këtë të vërtetë dyshimesh europiane, kur iu drejtua Orbanit në 8 korrik se “Pak njerëz si ju janë gati të përballojnë kriticizmin për shkak të Serbisë”.

Ajo që nuk thotë Vuçiçi, është se në qarqet vendimmarrëse të BE dhe të NATO-s, sipas burimeve diplomatike, ka shumë dyshime se ekstaza e miqësisë së pazakontë qeveritare dhe personale midis Orbanit dhe Vuçiçit mund të jetë një inspirim i Rusisë, e cila ka nevojë që të maskojë strategjinë saj të ndërhyrjes ballkanike nëpërmjet një aleance midis Serbisë dhe një shteti anëtar të NATO-s të prirur nga Moska, si qeveria aktuale e Hungarisë.

Këtu është rasti për të evidentuar disa thekse në politikën tonë të jashtme, e cila nuk duhet të masë marrëdhëniet e sotme me Hungarinë vetëm me ngjarjet kalorsiake të shekullit 15. Sepse ka patur ndonjë ministër të jashtëm spurdhjak, që sugjeronte aleancë strategjike të Shqipërisë me qeverinë e Orbanit, duke ngatërruar Orbanin me Janosh Huniadin. Qeveritë dhe interesat lëvizin dhe qeveria filoserbe e Viktor Orbanit ia vlen një protestë për tezat e tij të dëmshme antiballkanike, që prekin interesa themelore të Shqipërisë./ Dita

Dyshohet se bashkëpunonin me grupe të huaja kriminale

Disa të ndaluar nga aksioni antidrogë në Tiranë

Akuzat se u fut në listën e sigurt të PS-së me ndihmën e personazhit të krimit

Jurgis Çyrbja merret në pyetje! Çfarë deklaroi para prokurorëve të SPAK

Ish-kryeministri: Vazhdoj betejën i palëkundur

Gjyqi ndaj Berishës në të njëjtën ditë me protestën te Kuvendi!