Stuhitë dhe reshjet e shiut në landet Rheineland-Pflaz dhe Nordrhein-Wesfalen kanë shkaktuar dëme të tmerrshme. Qeveria gjermane premton ndihma të shpejta.
Pas stuhive dhe rreshjeve në perëndim të Gjermanisë numri i të vdekurve vazhdon të rritet. Sipas informacioneve të fundit të autoriteteve më shumë se 100 vetë gjetën vdekjen.
Skuadrat e ndihmës kanë frikë se do të ketë një rritje të mëtejshme të numrit të viktimave, sepse kërkimi i personave që kanë mbetur në rrënoja dhe i të zhdukurve nuk ka përfunduar ende. Përveç kësaj, ekziston rreziku që digat në rajon të mos i mbajnë dot sasitë e ujërave ose kërcënojnë të prishen.
Aktualisht në Rheinland-Pfalz kanë vdekur mbi 60 vetë, kurse në Nordrhein-Westfalen njoftohet për 43 vdekje.
Verifikimi i viktimave vështirësohet edhe prej faktit, sepse për shumë vetë ende nuk është e qartë nëse ata ndodhen diku me pushime, janë strehuar për shkak të situatës së rënduar tek të njohur të tyre, apo ndodhen vërtet në vështirësi.
Në shumë rajone njerëzit janë bllokuar prej ujit në shtëpitë e tyre. Në disa zona janë ndërmarrë evakuuime nga ajri. Për shkak të përmbytjeve janë bllokuar rrugët në disa komuna dhe në disa qarqe autoritetet kanë shpallur gjendjen e katastrofës. /DW/