MENU
klinika

Viti turistik më i vështirë

Pandemia lë pa turistë Maqedoninë e Veriut

17.07.2021 - 14:06

Maqedonia e Veriut po regjistron vitin më të vështirë turistik për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ohri dhe Struga, dy qytetet e njohura për pushime verore, që shtrihen përgjatë Liqenit të Ohrit, ndodhen para kolapsit pasi objektet e hotelerisë dhe sektori i gastronomisë mbijetojnë nga turizmi. Deri nga mesi i muajit korrik ato nuk kanë mbushur as 10 për qind të kapaciteteve, shifër kjo që nuk mbahet mend të jetë shënuar ndonjëherë në këto dy qytete të njohura turistike.

Në vitin 2019 vetëm nga Holanda në Ohër dhe Strugë kanë qëndruar më shumë se 20 mijë turistë. Në vitin 2020, gjatë pandemisë, ky numër ka zbritur në rreth 2 mijë persona, ndërsa këtë vit numri i tyre është i papërfillshëm.

“Për fat të keq, këtë vit të gjitha rezervimet janë anuluar. Qeveria holandeze nuk ka lejuar fluturimet, kështu që nuk do të kemi turistët tradicionalë. Nuk do të kemi as turistët nga Polonia pasi edhe ata anuluan udhëtimet. Në këtë ka ndikuar varianti Delta i koronaviusit, por edhe faktorë të tjetër. Shpresonim se sezoni i këtij viti do të jetë më i mirë se ai i vitit të kaluar, por si duket ky vit do të jetë edhe më i keq se i mëparshmi. Mjafton të dilni përgjatë liqenit dhe gjithçka është e qartë, plazhet janë thuajse të boshatisura”, thotë Ana Jançeva, menaxhere në hotelin “Drim” në Strugë.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, në periudhën e para pandemisë apo në vitin 2019 numri i turistëve në muajt në muajt qershor dhe korrik sillej në 120 mijë përkatësisht në 180 mijë turistë. Në periudhën e njëjtë të vitit 2020, numri i turistëve të huaj ishte rreth 5 mijë në qershor dhe afër 32 mijë në korrik. Situatë e njëjtë pritet të jetë edhe në muajt qershor dhe korrik të këtij vit.

Erhan Papraniku, menaxher në hotelin “Beograd” në Strugë, nuk mban mend që Struga të ketë qenë më e braktisur se në këtë sezon turistik. Ai shpreson se mbijetesën do ta gjejnë te mërgimtarët dhe dasmat që pritet të jenë në numër më të madh pas lehtësimit të masave.

“Turistë mund të them se nuk kemi fare. Presim vetëm vizitat individuale, që janë shumë të pakta. Turistë të organizuar nuk kemi, të gjitha rezervimet janë anuluar, janë anuluar për gjithë sezonin, kështu që as nuk i presim. Pra shpresa e vetme e këtij sezoni mbeten turistët vendorë dhe mërgimtarët me dasma. Këto janë dy shpresat nëse do të mund të shpëtojnë sezonin turistik”, thotë Papraniku.

Se gjendja është alarmante flet edhe Lejla Gogova, menaxhere në hotelin “Metropol” në Ohër.

“Të gjithë prisnim që ky sezon do të jetë më i mirë se ai mëparshmi. Kishim për të gjitha përgatitjet për të pritur mysafirët si nga jashtë ashtu edhe ata vendor. Por, më të duhet të them se pritjet tona nuk u realizuan. Hoteli është thuajse i boshatisur apo vështirë se do të plotësohen kapacitetet që të gjithë të jemi të kënaqur nga sezoni turistik”, thotë Gogova.

Menaxherët e këtyre hoteleve thonë se nuk presin ndonjë ndihmë shtetërore, jo se nuk kanë nevojë, por nuk shohin ndonjë paralajmërim apo gatishmëri nga qeveria për paketë të re financiare në ndihmë të turizmit.

Nga qeveria nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një ndihme të re po presin rrjedhën e sezonit turistik dhe raportet e këtij sektori për të parë nëse ka ose jo nevojë për ndihmë.

Vitin e kaluar qeveria ka ndihmuar sektorin privat përfshirë dhe turizmin me mbulim e shpenzimeve në pagat e punonjësve për dy muaj si dhe me ndarjen e 100 mijë kuponëve në vlerë prej 200 euro për turizëm vendor.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Flet ambasadori i Gjermanisë në Tiranë: BE dhe shtetet anëtare …

“Topi është ende në fushën e palës shqiptare”