Sipas projeksionit të Institutit të të Dhënave Shëndetësore në Universitetin e Washingtonit në SHBA, Shqipëria pritet të përballet edhe me një valë tjetër pandemia në tetor-nëntor.
Sipas institutit, vala e tetorit nuk do të jetë me intensitetin e nëntor-dhjetorit (2020) apo shkurt-marsit(2021), megjithatë është një situatë që do të testojë sërish sistemin shëndetësor të vendit.
Projeksioni i pandemisë në Shqipëri, sipas Institutit të Dhënave Shëndetësore
Sipas këtij projeksioni, gjatë tetorit Shqipëria mund të shkojë në kushte normale deri mesatarisht 14 vdekje në ditë dhe në kushte ekstreme deri në 20 vdekje në ditë. Sa i përket rasteve aktive, projeksioni vijon nga 5 300 në kushte normale në 7 100 në kushte ekstreme.
Sipas këtij instituti, rreziku minimizohet nëse qeveria vendos sërish mbajtjen e maskave me detyrim në ambiente të jashtme dhe të brendshme ku numri i vdekjeve ulet deri në 1-2 në ditë dhe ai i rasteve aktive mes 510-530 të tilla. Deri më tani në Shqipëri nuk është konfirmuar varianti “Delta”, megjithatë ditët e fundit vërehet një rritje e lehtë e rasteve.