MENU
klinika

Dramë mafioze

Gjakmarrja pas hekurave, Daily Mail artikull për rrëmbimin e Jan Prengës

17.07.2021 - 17:28

Prestigjiozja britanike “Daily Mail” i ka kushtuar një artikull të gjatë rrëmbimit të Jan Prengës na jënar të vitit 2020 në Kamzë.

Ende në ditët e sotme trupi i Prengës nuk është gjetur ende, ndërkohë që të akuzuar për pengmarrjen dhe vrasjen e tij janë anëtarët e familjes Hajri në Shijak.

Në artikullin e “Daily Mail” thuhet se janë miliona paund kokainë të fshehura pas kësaj pengmarrje, e cila është nisur nga grupi i Dritan Rexhepit, me këtë të fundit që vuan dënimin në Ekuador. Sipas “Daily Mail”, ai drejton prej burgut një perandori droge.

Shkrimi i plotë i Daily Mail:

Në janar të vitit të kaluar, një sipërmarrës shqiptar i dënuar me 8 vite burg për trafik drogë mori një telefonatë të papritur për një çështje biznesi nga qelia e burgut në Britani. Personi që telefonoi shqiptarin Ndrek Prenga ishte një baron drogë, një vrasës dhe një grabitës i cili e telefonoi nga qelia e burgut në Quito, kryeqyteti i Ekuadorit në Amerikën e Jugut. Prenga e mori thirrjen në celularin e tij të paligjshëm në qelinë e tij të burgut në Mbretërinë e Bashkuar, ku po vuante një dënim tetë-vjeçar për veprat e trafikimit të drogës.

Gangsteri shqiptar Gramoz Dritan Rexhepi ishte në burg në Ekuador kur thirri mafiozin rival Ndrek Prenga i cili ishte në pritje në Angli. Banda e Prengës ishte akuzuar për vjedhjen e një ngarkese prej shumë miliona paund të kokainës. Si rezultat, banda e Rexhepit rrëmbeu vëllain e Prengës në Shqipëri për hakmarrje.

Sindikata Kompania Bello, kërkonte kthimin e menjëhershëm të kokainës me vlerë disa milionë paund që një nga vëllezërit e Prenga u kishte “vjedhur” atyre disa muaj më parë në MB.

Në shkëmbim të drogës, baroni i drogës i tha Ndrek Prengës se do të lihej i gjallë vëllai i cili ishte rrëmbyer në Shqipëri.

Prenga ishte një marangoz që bënte një jetë të qetë dhe nuk kishte ishte pjesë e asnjë aktiviteti krimnal në të cilat ishin përfshirë vëllezërit e tij.

Por biznesi është biznes.

Javën e kaluar, Sekretarja e Brendshme Priti Patel kaloi dy ditë në kryeqytetin shqiptar të Tiranës, ku ajo nënshkroi një marrëveshje “historike” me qeverinë për të “forcuar rregullimet ekzistuese” për të dëbuar shtetasit shqiptarë të cilët kryejnë aktivitete kriminale në Mbretërinë e Bashkuar.

Synimi kësaj marrëveshje është goditja e kriminelëve shqiptarë të cilët përbëjnë numrin më të madh të shkelësve të ligjit në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, saktësisht 16% të totalit sipas statistikave nga Home Office.

“Unë jam i vendosur për të përmirësuar sistemin tonë të imigracionit, për të ndaluar hyrjen e paligjshme dhe për të larguar ata që nuk e meritojnë të jetojnë në MB,” deklaroi Patel në Tiranë.

‘Plani ynë i Ri për Imigracionin, së bashku me marrëveshje të re, do të përshpejtojë largimin e shtetasve shqiptarë të cilët kanë kryer krime në Mbretërinë e Bashkuar. Unë nuk kërkoj falje për largimin e kriminelëve të rrezikshëm pasi kemi si qëllim mbrojtjen e qytetarëve britanikë’.

Ministria e Brendshme pretendon se që nga Prilli i këtij viti janë larguar 254 kriminelë shqiptarë nga Britania e Madhe si dhe 85 shtetas të tjerë të cilët nuk kanë pasur leje qëndrimi.

Operacionet e shqiptarëve kanë kontribuar në rritjen e numrit të krimeve me thikë dhe shtrirjen e tregtisë së drogës nga qytetet më të mëdha në provincat rurale. Ndërsa ka edhe prova të tjera sesa të pamëshirshëm janë shqiptarët përveç zhdukjes së Jan Prengës.

Duke përdorur informacionet nga dokumentet e Policisë dhe Gjykatës shqiptare si edhe referuar burime të tjera, ne mund të tregojmë historinë e jashtëzakonshme dhe tronditëse të një personi të pafajshëm i cili me shumë mundësi u vra në Ballkan për një marrëveshje droge të prishur në Mbretërinë e Bashkuar për të cilën ai nuk dinte asgjë, e organizuar nga një burg në Ande.

Si shumë bashkatdhetarë të tyre, pesë vëllezërit Prenga u larguan nga Shqipëria në fund të viteve 1990.

Vëllai më i madhi, Jan Prenga, migroi me gruan e tij Marija në Greqi, por më vonë u kthye në Tiranë ku hapi një biznes për prodhimin e mobiljeve. Çifti kishte tre fëmijë.

Katër vëllezërit e tij shkuan në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët fituan edhe nënshtetësinë britanike britanike.

Anton Prenga hyri këtu me një biznes të ligjshëm, ashtu si edhe një vëlla tjetër i tij që nuk luan ndonjë rol në këtë histori. Por dy nga vëllazërit, Ndrek dhe ‘Veri’ (jo emri i tij i vërtetë, për arsye ligjore) u përfshinë në banda kriminale brenda diasporës shqiptare.

Ndoshta personazhi më i shquar që Ndrek hasi në këtë botë të errët ishte një njeri i quajtur Dritan ‘Gramoz’ Rexhepi.

Me origjinë nga qyteti i Vlorës, Rexhepi ka kryer krime të shumta në të gjithë Europën kontinentale. Ai ka qenë i dënuar për trafik kokaine në Itali dhe grabitje të armatosur në Belgjikë. Por ai zakonisht arrinte të qëndronte një hap përpara ligjit, duke u arratisur nga burgu ose paraburgimi në tre vende të ndryshme.

Ai ishte në listën e “më të kërkuarve” të Scotland Yard në 2013, dhe besohej se qëndronte i fshehur në Mbretërinë e Bashkuar. Në të njëjtin vit ai u dënua – në mungesë – në Shqipëri për vrasjen e një oficeri policie dhe një personi tjetër dhe plagosjen e një të treti në 1998.

Por në atë kohë Rexhepi ishte me shumë gjasa në Amerikën e Jugut, në rrugën për t’u bërë “udhëheqësi” i Kompanisë Bello, të cilën ai e zhvilloi në një nga kartelet më të suksesshme dhe inovative të drogës që vepronin në Europë.

Sindikata përbëhej nga 14 organizata kriminale shqiptare. Rexhepi mbikëqyri operacionin nga Ekuadori, një vend që u përshkrua në vitin 2019 si një nga ‘autostradat e kokainës’ në botë.

Prej kohësh ka qenë një pikë favorizuese për pjesën më të madhe të narkotikëve nga Kolumbia, prodhuesi më i madh i kokainës në botë drejt tregjeve amerikane dhe europiane.

Sipas Europol, ajo që veçoi sindikatën e Rexhepit nga të tjerët ishte mënyra në të cilën ai kontrollonte të gjithë rrjetin e furnizimit, nga eksporti tek ata që do e merrnin, tek shitja me shumicë, deri te shitja në rrugën evropiane.

Ai përdori teknologji të sofistikuar për transfertat e parave i cili linte asnjë gjurmë elektronike të transaksioneve. E përsosur për pastrim. Në vitin 2014 Rexhepi vetë u arrestua në Quito dhe u dënua me 13 vjet për trafikim.

Por ai vazhdoi bandën e tij të drogës nga qelia e tij, duke negociuar me kolumbianët dhe duke dërguar koakinë në Europë përsëri.

Si njeri i kërkuar nga policia, tregtia e drogës ishte e vetmja ‘mënyrë për të bërë diçka tjetër me jetën time’, tha ai në një intervistë me një gazetar shqiptar. Intervista u krye me telefon nga qelia e tij e burgut në Ekuador. Rexhepi kishte një celular i cili funksiononte me rrjetin e koduar Encrochat, i cili përdoret nga kriminelët.

Ishte ndoshta i njëjti telefon që Rexhepi i telefononte vëllait të Jan Prengës. Rrjedhja e ngjarjeve që çuan në rrëmbimin dhe vrasjen e supozuar të Jan Prengës filloi në shtator 2019 në portin ekuadorian të Guayaquil, kur një anije mallrash që transportonte banane u nis për në Mbretërinë e Bashkuar.

Por përveç frutave, një prej kontejnerëve mbante 260 kg kokainë, me vlerë 15-20 milion paund. Anija u ankorua në Portsmouth, Hampshire në fund të dhjetorit.

Dokumentet nga prokuroria shqiptare dhe transkriptet e intervistave policore të para nga Mail tregojnë se Veri Prenga dhe dy bashkëpunëtorë u punësuan nga ndërmjetës të lindur në Britani dhe Iran, për të marrë drogën nga porti në emër të dy bandave kriminale me bazë në Shqipëri. Ata e realizuan këtë me sukses në fillim të janarit. Por më pas ata ndryshuan planin, me pasoja fatale.

Ndërmjetësit shqiptar dyshohet se kishin rënë dakord për shkak të një pagese të mëparshme. Cilido qoftë motivi, Veri Prenga dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij vendosën të mbanin kokainën dhe ta ndanin mes tyre. Sipas burimeve shqiptare ata mund të mos e kenë ditur në atë moment që droga ishte e Dritan Rexhepit.

Një javë pasi morën drogën, Veri Prenga u telefonua nga një anëtar i vjetër i një prej bandave të krimit me bazë në Shqipëri. Ai kërkoi që t’i rikthenin mallrat. Tri ditë më vonë ai e telefonoi përsëri, duke thënë ‘Mos bëj asnjë gabim. Droga më përket mua dhe dua të mi rikthesh.‘

Menjëherë pas kësaj, Rexhepi bëri thirrjen e tij të parë telefonike me Ndrek Prenga në qelinë e tij të burgut në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas dokumenteve të prokurorisë, i zoti i drogës, i cili u prezantua si ‘Gramoz nga Vlora’ i tha Ndrekut: ‘Mos luaj me këto gjëra (drogën), sepse ato janë gjërat tona’.

Komunikimi vazhdoi për disa ditë derisa një prej shefave të Kompanisë Bello telefonoi Veri Prengën në Shqipëri dhe i tha se ata kishin ‘hequr dorë’ nga negociatat. Duke pasur parasysh burrat dhe shumën e parave të përfshira, kjo mund të konsiderohej si fat i keq, sepse do të çonte në prishjen e pazareve të drogës.

Në mëngjesin e 17 Janarit 2020, Jan Prenga, 49 vjeç, piu kafe me gruan e tij dhe më pas shkoi për të kryer disa punë. Sipas dëshmitarëve, ai u mor me dhunë nga katër burra të maskuar, duke lënë gjurmë gjaku derisa u futën në një Range Rover të bardhë të vjedhur dhe u larguan.

Disa orë më vonë, policia informoi gruan e tij. Vëllai i tij Ndrek u njoftua nga Dritan Rexhepi nga Ekuadori. “Unë ju kam dhënë fjalën time, vëllai juaj do të lirohet, (nëse) Veri rikthen mallrat tona.

Pasi Anton Prenga u tregoi çfarë kishte ndodhur, ai takoi vëllain e tij Verin në një kafene në Londër. Në një deklaratë më vonë për policinë shqiptare, Anton i tha Verit se arsyeja e rrëmbimit ishte se ai kishte marrë një ngarkesë kokainë. Një pjesë prej të cilës ai e kishte shitur tashmë.

Të nesërmen Anton udhëtoi për në Shqipëri. Çështja e vëllait të tij ishte një çështje delikate sa i përket policisë. Mbi të gjitha, bëhej fjalë për një mosmarrëveshje mbi një sasi të madhe kokainë.

Por në Shqipëri ekziston një mënyrë tjetër për të zgjidhur probleme të tilla, Kanuni. Ky është një kod mesjetar i ligjit shqiptar, bazuar në konceptin e besës dhe nderit personal.

Ai përcakton se çfarë mund ose duhet të bëhet për të marrë dëmshpërblim në rast vjedhjeje dhe vrasjeje. Gjakmarrja, një koncept i ligjshëm nën kodin e kanunit, është shumë i ngjashëm me hakmarrjen italiane dhe thuhet se ka shkaktuar mijëra vdekje që nga vitet 1990, kur u prish sundimi i ligjit i vetë shtetit.

Anton Prenga i tha policisë se u takua me të afërmit e bosëve të bandave shqiptare dhe filloi negociatat përmes një ndërmjetësi. Sipas deklaratës së policisë Anton Prenga, Veri Prenga dhe një bashkëpunëtori shqiptar iu dorëzuan 106 kg kokainë, pjesa e drogës së vjedhur.

Ata paguan gjithashtu 700,000 paund, shuma e kokainës që kishin shitur tashmë. Në të njëjtën ditë, Rexhepi telefonoi përsëri nga Ekuadori për t’u thënë vëllezërve Prenga se Jan Prenga do të lihej i lirë ‘brenda dy orësh’.

Pas shumë telefonatash midis Amerikës së Jugut dhe Europës, i zoti i drogës ‘Gramozi nga Vlora’ siguroi Prengan se Jan ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe se do të lirohej.

Por kjo nuk ndodhi. Përfundimisht Rexhepi telefonoi Ndrek Prengën dhe i tha se burrat që kishin marrë Janin nuk e kishin mbajtur fjalën dhe si çështje e besës, ai ishte i detyruar t’i jepte familjes Prenga emrat e rrëmbyesve, në mënyrë që ata të bënin me ta atë që dëshironin.

Ndërkohë policia shqiptare – e ndihmuar nga NCA(Agjencia Kombëtare e Krimit) kishte përparuar me hetimet. Përmes xhirimeve të CCTV dhe provave të tjera ata gjurmuan largimin e Range Rover nga një vend dasmash luksoze, 30 minuta larg nga bregdeti Adriatik.

Në pamjet e mëtejshme të kamerave nga parku i makinave shihet një qese e madhe të zezë që po dërgohej nga makina e vjedhur në një furgon. Burrat mund të shiheshin duke fshirë gjurmët e gjakut nga vendi i ngjarjes. Furgoni më pas u largua për në një vend të panjohur. Range Rover më vonë u gjet i djegur.

Policia beson se me qesen e zezë gjendej trupi i fatkeqit Jan Prenga. Një zëdhënës i policisë shqiptare tha: ‘Hetimi ynë ka arritur në përfundimin se Prenga është qëlluar dhe ka vdekur për shkak të gjakderdhjes. Rrëmbimi ndodhi pasi vëllai i Prengës ishte përfshirë në aktivitete kriminale në Mbretërinë e Bashkuar.’

Anton Prenga i tha policisë: ‘Ne si familje dhe vëllezërit e mi të tjerë nuk kemi probleme me asnjë person. Incidenti i rrëmbimit të vëllait tim Jan Prenga erdhi vetëm pasi vëllai im Veri Prenga kishte vjedhur lëndë narkotike në Angli.’

Policia arrestoi shumë të dyshuar, por pasi kanë kaluar 18 muaj, askush nuk është dënuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Vetëm një burrë, që dyshohet se është parë duke mbajtur një lopatë është në paraburgim. Gruaja e Janit tha për Mail këtë javë se ajo është ‘shumë e zhgënjyer’ nga mënyra se si autoritetet e trajtuan çështjen.

Dhe për shkak të mungesës së trupit ajo është e pikëlluar por ende ka shpresë se ai mund të jetë gjallë. Vitin e kaluar Europol njoftoi se pas një operacioni policor pesë-vjeçar të udhëhequr nga Italia, Kompania Bello e Rexhepit është “shkatërruar”.

U arrestuan më shumë se 100 persona në të gjithë Europën, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Autoritetet shqiptare besojnë se ishte Rexhepi, ai që urdhëroi rrëmbimin që nga qelia e burgut në Ekuador.

Ai ka mohuar çdo akuzë.. ‘Unë i bëj thirrje kujtdo që e di se ku është fshehur trupi i viktimës të njoftojë autoritetet, “tha ai në intervistën e tij për Encrochat. Pasi të vuajë dënimin në Amerikën e Jugut, ka të ngjarë të ekstradohet në Shqipëri për të vuajtur dënimin e tij.

Gjithashtu ai është i kërkuar nga Italia për vrasje. Por a ka një tjetër hile ‘Mbreti i Arratisur’?

Burimet e policisë shqiptare thonë se Ndrek Prenga është liruar nga burgu por është në Mbretërinë e Bashkuar. ‘Ai tani është një shtetas britanik. Nuk do të jetë e lehtë ta dëbosh nga vendi, ‘sipas një burimi nga Tirana.

Një zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Krimit tha mbrëmë: ‘Ne besojmë se vdekja e Jan Prengës është rezultat i prishjes së pazareve të drogës. Ne po vazhdojmë të punojmë me autoritetet shqiptare në lidhje me këtë incident. Ne nuk kemi të drejtën për të konfirmuar ose mohuar arrestimin e vëllait të tij, Verit.