Dritan Abazoviç ishte kryefjala e bisedave politike gjatë vitit 2020, pas zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit në Mal të Zi.
Edhe pse me një rrugëtim 8-vjeçar në politikë, ai u bë elementi më i rëndësishëm në përcaktimin e së ardhmes së këtij shteti, prej të cilit varej vazhdimësia e politikës së vjetër 30-vjeçare apo instalimi i një politike të re. Nën drejtimin e partisë URA, Abazoviç doli nga zgjedhjet me 4 deputetë. Ai u bashkua me koalicionin anti-Gjukanoviç, duke plotësuar kështu 41 deputetë, të mjaftueshëm për krijimin e qeverisë së re.
Prej 4 dhjetorit të vitit 2020, është emëruar zëvendëskryeministër i Malit të Zi, duke u bërë shqiptari i parë që mban një post kaq të lartë politik në këtë shtet. Ditën e enjte, më 15 korrik, Abazoviç zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u takua me përfaqësuesit më të lartë të shtetit. Edhe pse me një axhendë të ngarkuar, ai pranoi ftesën e Universitetit Europian të Tiranës, për të qenë i pranishëm në një bashkëbisedim me pedagogë e studentë të këtij universiteti, për të diskutuar mbi temën “Sfidat e Malit të Zi për modernizimin e shtetit”.
Aktiviteti u moderua nga përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Ervis Iljazaj, i cili falënderoi zëvendëskryeministrin, që u tregua pranues për të zbuluar më tepër mbi veten dhe politikat e tij në këtë mjedis universitar. Abazoviç e cilësoi një kënaqësi të jashtëzakonshme të qenit në UET, teksa u shpreh se ndoshta pas mbylljes së rrugëtimit politik, mund t’i kthehet jetës akademike.
Sipas tij, njerëzit e rinj të politikës duhet të promovojnë vlera të reja, të bëjnë diferencën, të mbajnë fjalën dhe të luftojnë për parimet e tyre, në të mirë të zhvillimit të shoqërive. “Unë mendoj se ne të gjithë, por sidomos njerëzit e rinj në politikë, duhet të promovojmë vlera të reja. Kjo që ka ndodhur në Ballkan gjatë këtyre 30 viteve dhe çfarë po ndodh aktualisht, nuk ka dhënë asnjë rezultat.
Institucionet janë të dobëta, profesionalizmi është në nivel të ulët, ndërsa emigrimi është gjithnjë e më shumë prezent. Ne duhet të provojmë diçka tjetër. Çdokush rri në atë pusin e vet kombëtar, religjioz, nacional, çka është shumë e dukshme në Mal të Zi. Unë mendoj se duhet të ecim para me kohën, të promovojmë vlera të reja, ku kushdo që mundet të japë kontributin e vet e në këtë mënyrë, mendoj se mund të bëhet diçka pozitive për të gjitha shtetet e Ballkanit. Gjërat janë problematike dhe nuk mund të ndryshohen brenda natës, por ne duhet të luftojmë fort për ndryshim.
Edukimin dhe formimin që kemi marrë nëpër shkolla, duhet ta shfrytëzojmë për të mirën e të gjithëve. Duhet të promovojmë më shumë etikë në jetën politike. Nuk mund të bëjmë retorikë boshe për vlera, moral e pastaj kur vijmë në pushtet t’i neglizhojmë dhe të sillemi njëlloj si paraardhësit. Njeriu duhet të jetë në gjendje të mbajë fjalën e tij. Jam i kënaqur që në Mal të Zi përkatësia e etnisë apo religjionit nuk përcakton arritjet politike. Nuk më perceptojnë vetëm si shqiptar, por si politikan që lufton për parimet e tij”, tha në hyrje të bisedës Abazoviç.
Gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë, patët një axhendë të ngjeshur takimesh. Çfarë raportesh keni me politikanët e Shqipërisë?
Kjo është vizita ime e parë, edhe si përfaqësues i qeverisë së re. Kam takuar Kryeministrin, Presidentin, kryetarin e opozitës, ministrin e Brendshëm dhe atë të Drejtësisë dhe ndiej një energji shumë pozitive. Dua të përmend edhe diçka, sa iu përket marrëdhënieve mes nesh. Në votimet e 30 gushtit në Mal të Zi, estabilishmenti në Shqipëri ka pasur preferenca të tjera.
Kjo është diçka legjitime dhe nuk e kam marrë si personale. Pastaj ata kanë pasur disa iniciativa, që vendimet tona të jenë më ndryshe. Edhe kur kanë përkrahur tjetërkënd, edhe kur kanë pasur vizione të tjera, nuk kam mbajtur qëndrim negativ ndaj tyre. Qëndrimet janë personale dhe politikën e drejtojmë në mënyrën që mendojmë se është më e mira. Koha tregoi se ato vendime nuk kanë qenë të dëmshme për asnjë palë. Tjetër gjë është kur arritjet fshihen pas dikujt tjetër.
Unë këtë gjë nuk e praktikoj. Respekti më i madh është për rrugën që e krijoni dhe kësaj rruge duhet t’i qëndroni deri në fund. Mendoj se dy shtetet tona munden të zhvillojnë marrëdhënie të mira dhe qëllimi është të bëjmë gjëra konkrete. Këtë kam kërkuar edhe prej Kryeministrit Rama, të bëhen gjëra konkrete. Ide, vizita, shkëmbime, fjalë të bukura ka pasur edhe me qeveritë e mëparshme. Mua më interesojnë vetëm gjërat konkrete. A mundet të lëmë një vepër pas, kur ta kemi kryer misionin tonë, pasi gjithsecili ka për të kryer ciklin e vet në politikë, dikush ka për të qëndruar më gjatë e dikush më pak. Ndoshta nuk kemi mundësi t’i realizojmë të gjitha gjërat që diskutuam, por do të isha i kënaqur nëse realizohen një pjesë prej tyre.
Mali i Zi, në proceset e integrimit, është pak më përpara se Shqipëria, por duket se kohët e fundit ka një stopim. Jeni dakord ju me retorikën kritike të Kryeministrit Rama ndaj BE-së? Në çështjen e integrimit, i kujt është faji, i BE-së apo vendeve të Ballkanit Perëndimor?
Unë jam euro-optimist dhe politika ime gjithmonë ka qenë pro europiane. Mendoj se pa një integrim të të gjithë këtyre shteteve, nuk kemi për të arritur stabilitetin e duhur. Për momentin, për shtetet e Ballkanit nuk ka asnjë alternative, përveçse integrimit në BE. Por, jam kritik. Nuk do të flas për kritikat që bën Kryeministri Rama, por do të flas për perspektivat nga Mali i Zi. Prej progres-raporteve të 10 viteve të fundit, ne kritikohemi se nuk kemi rezultate në kapitujt 23, 24, që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Qeveria e re ka identifikuar Prokurorinë, si institucionin më problematik. Për të ndryshuar situatën, kemi kërkuar të ndryshojmë ligjin, por BE-ja thotë se nuk duhet ta bëjmë dhe se duhet të presim edhe dy vjet që të kalojë afati me një Këshill të Prokurorisë. Unë kam bërë shumë biseda, shumë luftë dhe iu kam drejtuar një pyetje: “A doni ju që pas një viti t’ju tregojmë se kemi arritur rezultatin e kërkuar? Nëse doni rezultat, duhet të na lejoni që ne të ndërrojmë konceptin, që deri tani ka qenë i pasuksesshëm”. Kritika ime shkon në këtë pjesë të burokracisë. Nuk ka modele unike. Diçka që funksionon në Estoni apo Luksemburg, në Mal të Zi nuk funksionon.
Duhet të sensibilizohen sesi të ndihmojnë shtetet tona. Kush e ka fajin? Fajin e kemi ne, sepse parimisht ne kërkojmë të bëhemi pjesë e BE-së. Ne as e kemi pranuar vetë që duhet të bëhemi pjesë e tyre, të respektojmë normat e kërkesat e tyre, pasi të kemi treguar një vullnet politik e administrativ që t’iu bashkëngjitemi. Prej tyre presim mirëkuptim dhe influencë më të madhe ekonomike. Nga ana tjetër, edhe ne duhet të jemi të gatshëm të bëjmë pak më shumë kompromise për të kuptuar se procesi i integrimit evropian nuk është që t’i bëjmë qejfin Brukselit. Është një proces që shkon në favor të Podgoricës, Tiranës, etj.
Cili është statusi i shqiptarëve në Mal të Zi, pasi siç dimë që ajo pjesë e popullsisë që identifikohet si e tillë, po tkurret gjithnjë e më shumë?
Problem ynë është një patriotizëm i rrejshëm. Mburremi me kombësi, rrahim gjoksin etj. Rezultati i kësaj është rënia e popullsisë shqiptare, nga 7% që ka qenë në 2001, në 4.9% në 2011. Politika ka pasur si qëllim vetëm të marrë poste dhe jo të krijojë kushte. E para, duhet të ulen tensionet. Duhet të hyjmë në sfidë për të treguar se mundemi të bashkëpunojmë me të tjerët. Ballkani ka pasur luftëra, ka pasur probleme dhe për rrjedhojë ka paragjykime. Duhet të tregojmë se luftojmë jo vetëm për vete, por edhe për të drejtat e të tjerëve. Të drejtën që e kërkoni për vete, jepuani edhe të tjerëve! Nëse kërkoni diçka që është konform rregullave dhe krejt legjitime, jepja edhe tjetrit.
Ta bëjmë ne hapin e parë, ndoshta duhet të ndodhte e kundërta. Meqë ajo nuk ka ndodhur, ta bëjmë ne hapin e parë, që të bëjnë ata të dytin. E në këtë mënyrë, edhe neve të na perceptojnë ndryshe. Së dyti, duhet të krijojmë kushte jetësore. Jemi në një situatë që njerëzit shpërngulen. Prej gjithë qyteteve në bregdetin e Malit të Zi, vetëm Ulqini është komunë e varfër. E ka madhësinë, hapësirën dhe potencialin më të madh se krejt komunat e tjera. A është kjo prej faktit se aty jetojnë vetëm shqiptarë? Me siguri, 50% është e vërtetë, 50% nuk është e vërtetë.
A na ndalon kush neve të pastrojmë qytetin? A vjen dikush prej Podgorice e na thotë, “mos e rregullo më mirë, mos e promovo më mirë”? A vjen dikush të na thotë, “pse jeni ju 20 parti shqiptare”? Ne duhet të marrim përgjegjësitë tona. A ka lidhje situata me qeverinë? Edhe ka, sa u përket investimeve apo çështjeve të tjera. Por, mënyra sesi ne luftojmë për të drejtat tona duhet të ndryshojë. Duhet të jemi të gatshëm të dalim prej getos. Njerëzit janë të varfër në mendje, jo në xhep, edhe nëse nuk kanë para. Duhet të ndryshojmë vizionin e të kërkojmë gjëra më të mëdha, më megalomane. Si mundet të bëhet Ulqini brand europian? Kjo më intereson mua dhe jo të krahasohemi me një komunë që është pak më mirë se ne financiarisht.
Sa i takon gjendjes së shqiptarëve në Mal të Zi, mendoj se janë rritur kohët e fundit tensionet, por nuk ka të bëjë me pakicat. Sfida do të jetë më e madhe në veriun e Malit të Zi, pasi është duke u zbrazur. Nuk ka zhvillim, njerëzit janë në moshë dhe rinia është larguar. Duhet të bëhen disa projekte infrastrukture dhe projekte zhvillimore për hapjen e vendeve të punës, që të mbahet një pjesë e popullsisë. Drejt veriut po bëhet autostrada. Ndoshta nuk ka për të pasur një impakt të jashtëzakonshëm, por do të ketë sadopak ndikim. Shpresoj që për 10 vitet e ardhshme, Mali i Zi do të jetë shumë më mirë sesa është tani. Në kohët e globalizimit, duhet të ecim më shpejt e të jemi më shtet atraktiv e paqësor për gjithë qytetarët që jetojnë aty, por edhe për ata që vijnë nga rajoni apo bota.
Pyetja e fundit lidhet me disa dilema që ishin në momentin e krijimit të qeverisë së re. Dua t’ju pyes për qëndrimin në lidhje me NATO-n dhe Kosovën, a do të jetë i njëjti apo do të ndryshojë?
Kanë qenë këto dilema, prandaj jam i kënaqur me arritjet tona. Duket pak arrogante, por kjo është e vërteta. Ajo që kemi arritur, është historike dhe e rëndësishme për zhvillimin e politikës në të ardhmen. Në zgjedhjet e 30 gushtit, për herë të parë në Mal të Zi, është ndërruar pushteti. Gjithmonë ndryshimet kanë ndodhur me një kataklizëm, me fillimin e luftërave, por kurrë nuk kanë qenë në mënyrë paqësore.
Arritja tjetër kryesore ka qenë marrëveshja e 8 shtatorit, ku janë shkruar parimet që do të respektohen për të bërë qeveri. Në këtë marrëveshje, më të inkorporuara kanë qenë këto çështjet që përmendët ju. Janë të inkorporuar disa parime, si: mosprekja e gjërave që kanë të bëjnë me identitetin e Malit të Zi dhe pavarësinë e tij; zhvillimi i një politike të mirëfilltë rajonale; mosndërhyrja në çështjen e Kosovës, pranimit ose mospranimit dhe vazhdimin e partneritetit të plotë.
Kemi vendosur parimet në tavolinë dhe kemi thënë: “Nëse dikush është dakord me këtë, kemi për të ecur më gjatë. Nëse dikush nuk është dakord, ne nuk jemi partnerë dhe gjeni të tjerë”. Të gjithë e kanë pranuar atë dhe ata kanë ardhur në gjirin tonë, e prej atëherë nuk kemi pasur probleme. As unë nuk jam i tërhequr prej njerëzve që kanë një axhendë politike krejt ndryshe nga imja. Tjetër është perspektiva prej anës politike dhe tjetër është kur bëheni zyrtar i shtetit. Atëherë keni punë me popullin që vjen nga politikat e ndryshme dhe njerëzit fillojnë të edukohen në këtë drejtim. Nuk po them se nuk ka incidente që krijojnë edhe probleme, por duhet t’u jepet mundësia njerëzve për të parë sesa kanë aftësi të ecin përpara. Unë në këtë drejtim jam shumë i kënaqur.