Nga Juxhin Mustafaraj
Ish-Presidenti dhe kreu aktual i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani e sheh gjendjen në të cilën ndodhet Partia Demokratike si më kritiken të kësaj force politike që nga krijimi i saj. Përgjegjësinë e sheh drejtpërdrejtë të Lulzim Bashës dhe vendimet arbitrare të tij.
“PD sot ka një përçarje shumë të thellë dhe të madhe. Ka një humbje të madhe të besimit te opinion publik dhe njerëzit që e përbëjnë”, shprehet ai.
Për Nishanin, PD rrezikon që përballë shqiptarëve të shihet edhe si alternativa që mund t’i marrë pushtetin Edi Ramës.
“Nëse PD nuk gjen rrugën e saj për t’u rritur politikisht, për të zgjeruar bazën e aksesit te opinion publik do vazhdojë të humbasë mundësinë për të qenë alternativë pushteti”, u shpreh ish-presidenti.
Lulzim Bashës i kujton se ka mandat 4 vjeçar në krye të Këshillit.
“Jam zgjedhur nga këshilli kombëtar për një mandate 4-vjeçar. Basha mund të marrë çdo vendim politik por kjo do e diskreditojë më shumë”, deklaroi Nishani.
Demokratëve i kërkon të mos kompleksohen nga beteja e Sali Berishës me SHBA, për aq kohë sa ish-kryeministri ka zgjedhur që përballjen ta ketë në nivelin personal.
“Nuk mendoj që PD merr kosto politike nga ana e angazhimit politik të Berishës. Është raporti që ai ka zgjedhur për ta zgjidhur institucionalisht”, tha ai.
Pas zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, PD pritet të thërrasë një mbledhje për të zgjedhur sekretarët dhe kryesinë e re të partisë.