Fokusi i Shqipërisë për rritjen e kapaciteteve nga burimet e rinovueshme të energjisë që ndër të tjera sjellin edhe diversifikim, duhet të shoqërohet edhe me reforma të tjera.
Agjencia Gjermane për Energjinë (DENA) në një publikim të dedikuar për Shqipërinë nënvizon se tre janë sfidat thelbësore për integrimin e kapaciteteve të mëtejshme të rinovueshme.
Së pari është forcimi i rrjetit të shpërndarjes. “Prodhimi i energjisë nga burimet e rinovueshme luhatet dhe është natyrshëm i ndryshueshëm. Kjo kërkon infrastrukturë më të sofistikuar të rrjetit dhe operimit që mund të përballojë flukset e dyanshme të energjisë dhe ndryshimin e profileve të furnizimit. Veçanërisht në qendrat me kërkesë të lartë si kryeqyteti Tirana, rrjetit shqiptar itë shpërndarjes i mungon kapaciteti i mjaftueshëm dhe funksionimi dinamik për të trajtuar injeksionin e ndryshueshëm të energjisë elektrike. Kjo e pengon në mënyrë domethënëse integrimin e suksesshëm të burimeve të rinovueshme të energjisë në vend” vlerëson raporti.
Një tjetër sfidë është përmirësimi i mekanizmave mbështetës për energjinë e rinovueshme.
Agjencia Gjermane e Energjisë vlerëson se teksa bëhet minimizim i përdorimit të tokës dhe mundësimi i skemave të blerjes, projekte me shkallë të vogël të energjisë së rinovueshme si për shembull , impiante fotovolatikë në çati shpesh janë më pak kosto efektive sesa parqet e eolikë apo fotovoltaikë të mëdhenj. Në këtë kontekst raporti vëren se duke marrë parasysh këtë, një rishikim i terrenit mbështetës për të rinovueshmet do të nxiste vendosjen e projekteve në shkallë të vogël të energjisë në vend.
Sfida e tretë është sigurimi i mbështetjes bankare për propozimet e projekteve. “Investimet e Energjisë së Rinovueshme janë relativisht intensive në kapital dhe kërkojnë afate të gjata për të amortizuar kostot, të cilat bazohen pothuajse ekskluzivisht në çmimet e energjisë. Edhe pse teknologjia është e zhvilluar mirë, koha e gjatë dhe kushtet e pasigurta të tregut rezultojnë në rreziqe relativisht të larta të investimeve. Ulja e shkallës së rrezikut tek projektet e energjisë së rinovueshme do të kthehej në joshëse për investimet private dhe do të përshpejtonte zhvillimin. Përmes zhvillimit të planifikimit dhe instrumenteve financiare të tilla si Marrëveshjet e Blerjes së Energjisë për shembull do të krijonin besim dhe stimulonin investime ndërkombëtare në energjinë e rinovueshme në Shqipëri” thuhet në raport.
I njëjti vlerëson se Shqipëria është aktualisht një nga vendet me prodhimin më të lartë të energjisë nga burimet e rinovueshme në Europën Juglindore. Prodhimi nga hidrocentralet zë 95 për qind teksa 1 për qind vjen nga dielli dhe 4 për qind nga nafta bruto. Shqipëria gjithsesi është një nga vendet me potencialin më të lartë për të zhvilluar energjinë nga dielli dhe era.
Aktualisht Shqipëria ka hapur ankandin sa i takon zhvillimit të projekteve të energjisë nga era ndërsa më parë përmes garës dha tek kompania franceze Voltalia 240MW kapacitet të instaluar për parkun fotovoltaik të Karavastasë dhe Spitallës./ MONITOR