MENU
klinika

Analiza

SHBA lejoi ndërtimin e Nord Stream 2, ç’do të bëjë tani Putin?

25.07.2021 - 11:35

Nga Maximilian Terhalle “Politico.eu

Presidenti rus Vladimir Putin e ka fituar betejën mbi ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”. Presidenti i SHBA-së Joe Biden pranoi javën e kaluar se sanksionet e mëtejshme nuk janë“realisht të dobishme”, meqë është përfunduar mbi 98 për qind e projektit, mbështetja e shumë-kritikuar e kancelares gjermane Angela Merkel ndaj këtij projekti ka dhënë më në fund frytet e veta.

Por sapo “Nord Stream 2” të ketë përfunduar tërësisht në fund të muajit gusht, strategët transatlantikë do të duhet të mendojnë edhe më shumë mbi pyetjen që shtrihet në themel të gjithë këtyre dinamikave:A do të sulmojë Rusia? Dhe nëse po, kur?

Ka shumë të ngjarë që Ukraina – në luftë që nga viti 2014, dhe e privuar për shkak të gazsjellësit të ri nga kontrolli minimal që kishte dikur mbi Rusinë -të jetë tanimë e dënuar. Anëtarët më të vegjël të NATO-s fqinje të Rusisë po dridhen me të drejtë nga frika, duke pyetur sërish sesa e besueshme është në fakt ombrella mbrojtëse e aleancës. Dhe kjo për arsye të forta.

E sigurt është se presidenti rus është më se i inkurajuar nga shpërfillja e vazhdueshme që Gjermania ka treguar ndaj kritikat të forta kundër gazsjellësit nga Polonia dhe vendet baltike. Për të mos përmendur deklaratën e fundit të Biden, se Rusia është një sfidë më e vogël për sigurinë e SHBA-së sesa Kina.

Javën e kaluar, Putin deklaroi se ishte “projekti anti-Rusi” i supozuar i Perëndimit,ai që e nxiti të shkruaj një artikull me titull“Pse Rusia dhe Ukraina janë në fakt një komb”. Insinuata ishte i qartë:Sudetet, Kuvajti, a vjen tani Ukraina?

Ata që mendojnë se përgjigjja është “jo”, i referohen komenteve të ish-Sekretarit amerikan të Shtetit Henry Kissinger, që ka theksuar se Putini nuk është “një personazh si Hitleri” në një intervistë të dhënë për “Financial Times” në vitin 2018.

Shumë analistë vazhdojnë që t`i shohin vlerësimet e kundërta si vizione apokaliptike. Për shembull, ata ndihen të legjitimuar kur shohin se parashikimi i ish-shefi të shtabit të ushtrisë britanike, gjeneralit Richard Shirreff, për një luftë me Rusinë në vitin 2017, rezultoi të ishte i gabuar.

Ish zyrtarët e vënë theksin tek ligji i hekurt iNATO-s mbi parandalimin e konfliktit:Rusia nuk do të guxojë të sulmojë krahun lindor të aleancës, për sa kohë që ushtarët amerikanë janë vendosur në to. Pra vini re:ushtarët gjermanë, britanikë apo francezë nuk do të kishin aspak rëndësi.

Me largimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, trupat amerikane janë këtu për të mbrojtur aleatët. Atëherë, për çfarë bëhet e gjithë kjo zhurmë?Admirali James G.Stavridis na jep një ide mbi këtë gjë. Në librin e tij “2034:Një roman mbi luftën e ardhshme botërore”, shkruar dhe botuar bashkë me shkrimtarin amerikan Elliot Ackerman në fillim të këtij viti, ai flet mbi shpërthimin e një lufte SHBA-Kinë.

Stavridis, që e mbështeti tezën në librin e Shirreff – nuk i lidh njohuritë e tij më të fundit me Evropën dhe Rusinë. Por të tjerët po, edhe nëse ndoshta pa dashje. Kur James Mattis, Sekretar i Mbrojtjes i SHBA-së, u pyet nga Senati në vitin 2017 nëse SHBA-ja mund të zhvillonte dy luftëra të mëdha njëkohësisht, ai u përgjigj “Jo, zotëri!”.

Dhe këtu, Putini mund të shpresojë sërish për një shans. Një luftë SHBA-Kinë, ka të ngjarë që të angazhojë shumicën, në mos të gjitha aftësitë ekonomike dhe ushtarake të Amerikës,dhe për pasojë të minojë rëndë besueshmërinë e saj për të siguruar parandalimin e një sulmi rus në Evropë.

Dhe për shkak të kësaj, një konflikt i tillë do t’i siguronte Putinit një mundësi shumë të mirë për të korrigjuar humbjen e Rusisë në fundin e Luftës së Ftohtë në vitin 1991. Sigurisht, nëse do të fillojë një përballje SHBA-Kinë, kjo gjë mbetet e panjohur.

Por nuk është e mundur të përjashtohet mundësia, që konkurrenca në vazhdim të mund të evoluojë në një përshkallëzim të madh, pikërisht sepse nuk ka shumë gjasa që secila palë të jetë e gatshme ta lëshojë pushtetin e vet në ndonjë mënyrë thelbësore.

Ndërkohë, duke pasur parasysh rekordin e paskrupullt të Putinit, Evropa, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, nuk duhet të mbështesë garancitë e saj për Ukrainën tek besimi që ka tek udhëheqësi rus. Përkundrazi, ata duhet të parandalojnë sulmet në të ardhmen duke vepruar në dy nivele:Së pari, fuqitë evropiane duhet t’i tregojnë qartë Putinit se janë të gatshëm ta dëbojnë Rusinë nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT me seli në Belgjikë.

Së dyti, evropianët duhet të ri-mendojnë mundësinë e bashkërendimit dhe zgjerimit të arsenaleve të tyre bërthamorë, në formën e një parandalimi evropian të vendosur brenda NATO-s. Fitorja e Putinit me “Nord Stream 2” i ka dhënë një goditje të fortë aftësisë parandaluese të NATO-s. Sot për sot duket sikur ka fituar paqja, por nuk duhet të nxitohemi për të thënë fjalën e fundit.

Shënim: Maximilian Terhalle, profesor në Kolegjin Mbretëror të Londrës, dhe ish këshilltar i lartë i Ministrisë britanike të Mbrojtjes.