MENU
klinika

“Të shtruarit në spital nuk janë vaksinuar”

Epidemiologu: Do të ketë rritje rastesh, jo forma të rënda

26.07.2021 - 10:41

Epidemiologu Ilir Alimehmeti ishte i ftuar këtë të hënë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ku u shpreh se çelësi i sëmundjeve infektive janë vaksinat. Alimehmeti theksoi se dhe pse me shfaqjen e varianteve të reja ka rënë efektiviteti i vaksinave, ata mbrojnë nga format e rënda.

Duke marrë parasysh vaksinimin dhe numrin e personave që e kanë kaluar virusin, mjeku tha se do të ketë rritje të rasteve por rreziku për shenja të rënda është i ulët. “Duhet se kurba e rasteve të reja ka filluar të ndahet nga kurba e rasteve të rënda. Nuk duhet të masim më rastet e reja por të rëndat dhe humbjet e jetës dhe nëse këtu jemi të qetë, atëherë nuk ka më logjikë të vazhdojmë me rastet ditore.“, tha mjeku.

Përsa i përket vaksinimit të fëmijëve, Alimehmeti theksoi se nuk është i nevojshëm duke patur parasysh nivelin e transmetueshmërisë së virusit dhe formën që kalojnë. “Fëmijët nuk kanë qenë kurrë motori i transmetueshmërisë. 2-8 përqind në një ambient familjar virusi ka qenë futur nga fëmijët. Klinika për vetë fëmijën është shumë e butë, aq e qetë. Janë pesëfish rastet asimptomatike në krahasim me të rriturit dhe mbijetueshmëria e moshës poshtë 18-vjeç është 99 përqind.

Ose më saktë në Angli kanë vdekur vetëm 25 fëmijë poshtë 18 vjeç ndër 500 mijë të sëmurë. Të gjitha vaksinat e kanë kaluar fazën eksperimentale dhe kanë autorizim emergjence. Një nga elementet kyçe pse nuk kanë aprovim të plotë është se nuk është studiuar në kohë siguria e tyre. Ndryshe kur e diskutojmë për veten tonë, po kur ia ofrojmë një 14 vjeçari diferenca është shumë e madhe. Nëse fëmijët nuk janë transmetues, atëherë cila është arsyeja për t’u bërë këto vaksina.“, tha ai.