MENU
klinika

“Shpresojmë që Luli të mos marrë dy vila të tjera në Dhërmi”

Deputeti i PD mbështet akuzat ndaj Bashës: Opozita me pushime, shyqyr që kemi Braçen, Koçin e Berishën

26.07.2021 - 15:50

Deputeti i zgjedhur i PD per qarkun e Dibres, Kreshnik Çollaku i është bashkuar kritikave në adresë të kreut demokrat Lulzim Basha për bashkëpunim të fshehtë me mazhorancën, pasivitet në të bërit opozitë apo marrëveshje me të ashtuquajturit prej tij si oligarkë.

Teksa kryetarja e LRI-së Elbasan Anisa Bahiti, njëkohësisht ish kandidate për deputete ka adresuar kritika ndaj Bashës, Çollaku i është bashkuar duke konfirmuar qëndrimin e saj.

Madje teksa Bahiti ka nenvizuar se opozita eshte ne nje pushim te thelle, dhe shyqyr qe jane eksponentet e mazhorances, Erion Brace e Petro Koçi si dhe ish kryeministri Sali Berisha, sigurisht qe deputeti i zgjedhur i PD e ka pelqyer nje koment te tille.

Postimi i plote:

Pushteti konsumon atë që nuk e ka atë”.

Politikani më afatgjatë i Italisë Xhulio Andreoti, 7 herë kryeministër dhe në qeveri që në 1945 me Alcide De Gasperin e deri kur ndërroi jetë para ca vitesh si senator i përjetshëm, ishte një njeri që jetoi gjithnjë në pushtet. Kur gazetarët e ngacmonin për ketë gjë, ai përgjigjej: “Pushteti konsumon atë që nuk e ka atë”.

Në këto ditë të nxehta kemi asistuar një spektakël të çuditshëm, por dhe gati qesharak, në kushtet e mungesës totale të opozitës. Opozitën e bën vetë maxhoranca qeverisëse apo dhe segmente të caktuara shtetërore. Fjala vjen, Zëvëndës Kryeministri Erion Braçe kriktikon Bashkinë dhe Policinë se i ka vajtur vinçi afër dritares së shtëpisë, se Policia nuk reagon dhe se Bashkia është përgjegjëse për këtë. Duket sheshit se Zëvëndës Kryeministri po i bën opozitë kryetarit të vet të Bashkisë. Socialistëve nuk i pëlqen fare ideja që shefi i ardhshëm do të jetë Veliaj.

Ndërkohë mediat pranë Kryebashkiakut të Tiranës, aludojnë qartë se ai që del tek përgjimet e SPAK për Bashkinë e Lushnjes është pikërisht Braçe. Në anën tjetër, Petro Koçi Kryetar i Partisë Socialiste Fier dhe një nga socialistët më të vjetër, ka rimarrë “shpatën” si në kohën e Katharsisit dhe godet drejtuesit vendorë të Bashkisë Fier për lidhje me krimin.

Ata të tjerët i përgjigjen po me të njëjtin ritëm. Po të shtojmë këtu faktin se i vetmi opozitar përballë qeverisë mbetet Presidenti i Republikës, të tjerat nuk duan as mend e as kalem thotë populli.

Opozita ka ikur me pushime të thella. Po të mos ishte për Berishën, qoftë për shkak të listës së zezë, qoftë për shkak të ndonjë statusi në Facebook, ka mundësi që emri i PD-së të ngatërrohej me ndonjë degë të PS-së.

Shpresojmë që deri nga shtatori, Kryetari i PD-së të mos ketë marrë ja dy vila të tjera “me qira” te “Papuli” në Dhërmi, se kështu dhimbja kthehet në forcë. Deri ateherë mbetemi me parimin e Andreotit se: “Pushteti konsumon atë që nuk e ka”.