Kampionia olimpike e Kosovës, Majlinda Kelmendi, tërhiqte nga nga sporti aktiv i xhudos. Në një deklaratë për KTV-në, ajo u shpreh se në “Tokyo 2020” ishte shtyrë të merrte pjesë nga trajneri Kuka.
“Kam qenë në dyshime a të largohem apo të vazhdoj, për shkak të lëndimeve. Por në momentin e fundit kam vendosur për hatër të Tonit (trajneri) të vazhdoj, të garoj në Lojëra Olimpike.
Fatkeqësisht, nuk shkoi si duhet, nuk është se nuk isha në formë, por nuk ishte dita ime. Për mua kjo ka qenë gara e fundit, nuk e kam pritur që gara e fundit në karrierë do të shkojë kështu. Ishte e shkruar, krejt i kam fituar.
I kam sjellë Kosovës mjaft emocione, mjaft lot është radha e tjerëve. Do të jem afër Tonit, duke u munduar për të nxjerrë talente tjera prej Kosovës”, – deklaroi Kelmendi, e cila nuk harroi të përmendte sukseset e jashtëzakonshme të Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës.
“Po ndihem jashtëzakonisht mirë. Jam shumë e lumtur. Për Disin e kemi pritur, duke e marrë parasysh formën gjatë vitit. Nuk jemi befasuar. Nora, jo që nuk mundet, por nganjëherë është njeri që kalkulon shumë. Jam shumë e lumtur që puna e sakrifica e Tonit po shpërblehet në këtë mënyrë”, – tha Kelmendi.
Majlinda Kelmendi, 30-vjeçare sot, ka garuar në tri Olimpiada (në 2012 me Shqipërinë), ndërsa në “Rio 2016” i solli Kosovës medaljen e parë olimpike, dhe atë të artë. Kelmendi ka fituar edhe dy tituj botërorë dhe një medalje të bronztë botërore. Gjithashtu ka fituar katër medalje të arta dhe një të bronztë në Europian.