Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit 2021, i publikuar së fundi, thekson se korrupsioni në gjyqësor dhe mungesa e transparencës në prokurime është i zakonshëm.
Si rrjedhojë e problemeve gjyqësore, DASH vë në dukje se u penguan përpjekjet e një kompanie amerikane për të investuar në Shqipëri.
Sipas raportit, korrupsioni endemik vazhdon të minojë shtetin e së drejtës dhe të rrezikojë zhvillimin ekonomik. Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik, ekonominë informale dhe zbatimin e dobët të kontratave si disa nga problemet më të mëdha në Shqipëri.
Në raport thuhet:
“Pavarësisht nga një kornizë e shëndoshë ligjore dhe përparimit në e-reformat, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik, konkurrencën e padrejtë, ekonominë informale, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si problemet e vazhdueshme në Shqipëri.
Raportet e korrupsionit në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka ulur mundësitë e konkurrencës, përfshirë investitorët e huaj në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.
Analizat e dobëta të kostos dhe përfitimit dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave të PPP janë shqetësime të vazhdueshme.
Në raport nënvizohet se më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar vetingut janë shkarkuar për pasuri të pashpjegueshme ose lidhje me krimin e organizuar.
BE pret që Shqipëria të tregojë përparim në ndjekjen penale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, verifikimi i të cilëve zbuloi sjellje të mundshme kriminale.
Zbatimi i Reformës Gjyqësore është në vazhdim dhe përfundimi i saj pritet të përmirësojë klimën e investimeve në vend, thuhet në raport.