Rusia po përhap informacione të rreme në përpjekje për të ndikuar tek zgjedhjet amerikane të gjysmë mandatit vitin e ardhshëm. Deklarata u bë nga presidenti amerikan Joe Biden duke iu drejtuar komunitetit të shërbimit të inteligjencës.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë ndodhej për një vizitë në selinë e Drejtorisë kombëtare amerikane të inteligjencës.
Administrata amerikane këmbëngul se presidenti rus Vladimir Putin, është një personazh i rrezikshëm sepse ekonomia e vendit të tij mbështetet vetëm tek armët bërthamore, puset e naftës, dhe asgjë tjetër. Biden theksoi se Putin e di që është në vështirësi, dhe kjo gjë e bën dhe më të rrezikshëm.
Biden paralajmëroi se sulmet kibernetike, një ditë mund të shkaktojnë një konflikt të vërtetë të armatosur. Ai tha se kërcënimet kibernetike po shkaktojnë dëme domethënëse në botën e vërtetë. Presidenti amerikan paralajmëroi se Kina është në rrugën e duhur për tu bërë forca më e madhe ushtarake në botë, dhe ekonomia më e madhe e planetit. Objektiva që me këtë ritëm, mund t’i arrijë në vitin 2040.