MENU
klinika

Zgjidhje me dy shtete të ishullit

Greqi-Qipro, mesazh Turqisë/ Nuk njohin propozimin

29.07.2021 - 11:53

Athina dhe Nikosia po intensifikojnë përpjekjet e tyre të qëndrueshme dhe të koordinuara në krijimin e një barrikade diplomatike kundër Ankarasë, pas vizitës së presidentit turk Rexhep Tayyp Erdogan në Qipron e Veriut, shtet që njihet vetëm nga Turqia, vizitë të cilën e kanë quajtur të paligjshme edhe OKB,BE dhe SHBA.

Kryeministri grek dhe presidenti qipriot në një konferencë të përbashkët shtypi i kanë dërguar mesazh të qartë Turqisë se nuk do të njohin propozimin e saj për një zgjidhje me dy shtete të barabarta e sovrane në Qipro, por vetëm një ribashkim të bazuar në një model federal.

‘Aktet e reja të paligjshme turke në Qipro janë pa dyshim të dënueshme. Po shkelin qartë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të KB dhe injorojnë konkluzionet e Këshillit Evropian, ndërsa në thelb po minojnë përpjekjet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB për rinisjen e negociatave në çështjen qipriote’– tha kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

‘Është e pakonceptueshme të presë dikush që pala qipriote greke mund të pranojë ndonjëherë krijimin e një formati të tillë të “sëmurë”, pra të një shteti të pavarur, i cili do të kontrollohet plotësisht nga Turqia’– tha Nikos Anastasiades, presidenti i Qipros.

Në të njëjtën kohë Athina, në një letër drejtuar Kombeve të Bashkuara, hedh poshtë atë që Turqia pretendon sistematikisht në lidhje me demilitarizimin e ishujve grekë të Egjeut duke i quajtur kërkesat e saj plotësisht të pabazuara dhe juridikisht e historikisht të pasakta. Pala greke thekson se ndërsa Ankaraja sfidon sovranitetin e ishujve grekë dhe përpiqet të mos pranojë shelfin kontinental dhe ZEE , atëherë Athina ka të gjitha të drejtat e ligjshme të ushtrojë të drejtën e saj të patjetërsueshme për sigurinë dhe mbrojtjen e territoreve të saj.

Nga ana e tij presidenti Erdogan ka ripërsëritur se Turqia ka vendosur tashmë zgjidhjen e dy shteteve të pavarura në Qipro, ndërsa ministri turk i mbrojtjes ka ironizuar blerjen e armatimeve franceze nga Athina ,duke i quajtur ato të përdorura dhe pa vlerë. Zhvillimet e fundit në rajon, janë pjesë e bisedimeve në Athinë mes kryeministrit Mitsotakis, presidentit qipriot Anastasiadhis dhe mbretit të Jordanisë Abdala.