Pjesa e tretë
Publikohen disa nga historitë e panjohura të ish-kryeministrit më jetë gjatë të Shqipërisë komuniste, Mehmet Shehut, të rrëfyera prej ish-truprojës dhe komandantit të grupit të shoqërimit të tij, Ali Çeno, lidhur me raportet e shefit të tij me Enver Hoxhën dhe disa nga ngjarjet më të përfolura që vazhdojnë të jenë të mbuluara me mister edhe sot pas plot katër dekadash nga eliminimi i tij, si ato të mbrëmjes së 17 dhjetorit të vitit 1981, kur Ali Çeno shoqëroi shefin e tij për në shtëpi pas mbledhjes së Byrosë Politike, ku ai u kritikua ashpër nga Enveri dhe pjesa më e madhe e anëtarëve të saj dhe ngjarjet e mëngjesit të asaj nate, kur kryeministri shqiptar u gjend pa jetë në dhomën e tij të gjumit!
Nga: Dashnor Kaloçi
Dëshmitë e rralla të ish – truprojës së kryeministrit shqiptar, duke filluar nga ngjarjet e vitit 1974, kur Enveri tentoi të fuste në konflikt Mehmetin me Beqir Ballukun dhe ish-gjeneralët e tjerë që u pushkatuan, kontradiktat e Enverit me Mehmetin që në vitin 1976, gjë e cila solli dhe një ftohje mes tyre dhe gjithashtu edhe të Fiqretit e Nexhmijes, aq sa dhe pushimet ato dy familje nuk i bënë më bashkë siç i kishin bërë gjithmonë, (konflikti i cili, u reflektua edhe te dy grupet e shoqërimit që kryesoheshin nga Sulo Gradeci dhe Ali Çeno), debatet e ashpra të dy krerëve më të lartë të Shqipërisë komuniste, në pranverën e vitit 1981, kur nisën demonstratat në Kosovë, ngjarjet e vjeshtës së 1981-it pas fejesës së djalit të dytë të Mehmetit, me “vajzën me biografi të keqe”, ku Enveri me Nexhmijen shkuan për urim dhe përse ata e nxorën jashtë fotografin e familjes së kryeministrit, debatet për prishjen e asaj fejese pasi Enveri urdhëroi që Mehmeti të kthehej urgjent nga Korça…?!
Mbledhja e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit 1981 dhe porositë e veçanta që i dha kryeministri Shehu truprojës së tij, për grupin e shërbimit që ishte roje atë natë në vilë, kush dhe përse e njoftoi Çenon që të shkonte atë natë me shërbim aty, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë…?! Si e mësoi Aliu në mëngjesin e 18 dhjetorit atë që kishte ndodhur me shefin e tij, çfarë i tha atij, Vladimiri, djali i madh i familjes Shehu para se ai të futej në dhomën e gjumit të kryeministrit, biseda në telefon e Aliut me Ramiz Alinë dhe përgjigja e tij, roli i Kadri Hazbiut në atë ngjarje, torturat ç’njerëzore që i bënte hetuesi Sokol Koleka gjatë proçesit hetimor Aliut dhe çfarë i kërkonte ai të pohonte në lidhje me Enver Hoxhën, versioni që jep Çeno, për mënyrën, mekanizmin dhe njerëzit që morën pjesë në vrasjen e ish-kryeministrit Shehu, e përse ai akuzon Ramiz Alinë, si zbatues të atij plani që ishte ideuar më parë nga Enver Hoxha?!
“Mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, mbaroi aty rreth orës 20.00 të mbrëmjes dhe menjëherë pas saj, Mehmeti tepër i nervozuar si rrallë ndonjëherë, hyri me nxitim në studion e punës së shtëpisë tij dhe që tek dera e flaku çantën, e cila ra në dysheme. Unë menjëherë u ula që ta merrja për ta vënë në vendin ku e mbante zakonisht, por ai më tha: ‘Lëre Ali dreqin, lëre…’! Duke parë në atë gjendje tepër të tronditur, për ta zbutur disi dhe për ta qetësuar, unë i thashë: ‘Sa herë kritikohemi ne, nuk duhet të bëjmë kështu’. Pas kësaj ai m’u drejtua mua duke më thënë: ‘Pse mor Ali, ti e krahason veten me mua…?! Nuk i dëgjove pocaqitë se çfarë bënin në mbledhje, si papagall…’?! (E kishte fjalën për mbledhjen e Byrosë Politike që porsa kishte mbaruar, ku pothuaj të gjithë anëtarët e saj, të nxitur nga Enver Hoxha, e sulmuan ashpër me akuza nga më të ndryshmet). Mbas pak, aty rreth orës 20 e 45, nga studio e punës ku ai ishte vetëm dhe unë te dera e saj në korridor, Mehmeti e mori në telefon Enverin dhe i tha: ‘Shoku Enver, a ka mundësi të vij vetëm pesë minuta, që të kopsisim disa gjëra…’? Unë nuk e dëgjova se çfarë i’u përgjigj Enveri nga ana tjetër e receptorit, por atë gjë e mësova të nesërmen nga Fiqreti. Para se të ndahesha prej tij, për të shkuar në shtëpinë time, Mehmeti, m’u drejtua: ‘Ali’ kini kujdes shërbimin, se e keqja të vjen andej nga se pret’. Unë e kisha të qartë se përse e kishte fjalën dhe para se të largohesha, i ndava detyrat grupit të shërbimit, e u largova për në shtëpi, për t’u rikthyer përsëri aty pas një telefonate që më bëri një nga pjestarët e grupit të shoqërimit dhe fjeta në dhomën e shërbimit. Të nesërmen në mëngjes, pasi nxora “Benz”-in dhe e bëra gati për ta çuar shefin në mbledhjen e Byrosë, dëgjova ulërima nga kati i dytë i vilës. Më pas, doli Vladimiri djali i madh i familjes dhe kërkoi që unë dhe doktori (Llesh Rroku), të shkonim shpejt sipër. Ladi bëri me gisht nga dhoma e gjumit dhe duke u dridhur i tëri më tha: ‘Ali, shko shikoje babin…’! Unë u futa menjëherë aty dhe për momentin, kujtova se i kishte rënë të fikët. Menjëherë i mata pulsin dhe pashë që ai kishte mbaruar…”!
Kështu e kujtonte Ali Çeno, truproja dhe ish-komandanti i grupit të shoqërimit të kryeministrit komunist të Shqipërisë, Mehmet Shehu dhe një nga njerëzit më të besuar të tij, natën e 17 e 18 dhjetorit të vitit 1981, kur ai u takua dhe shoqëroi shefin e tij për në shtëpi, pas mbledhjes së Byrosë Politike, ku Mehmeti ishte thirrur për të dhënë llogari, lidhur me fejesën e djalit të dytë të tij, Skënderit…! Pas kësaj, Aliu heshti pak për një çast dhe sytë gati i’u mbushen me lot. “Ja si më rrëqethet mishi…”, na thoshte ai, teksa kujtonte ish-shefin e tij, kryeministrin më jetë gjatë në historinë e shtetit shqiptar, të cilit i shërbeu me besnikëri për dhjetë vite me radhë dhe për herë të parë na tregonte të gjithë prapaskenat që çuan në natën fatale të 18 dhjetorit të vitit 1981, kur kryeministri shqiptar i cili për 27 vjet kishte drejtuar vendin me dorë të hekurt, u gjet pa jetë në dhomën e gjumit të vilës së tij, aty në hyrje të “Bllok”-ut, vetëm pak hapa larg ndërtesës së Komitetit Qendror të PPSH-së dhe pallatit të madh të Enver Hoxhës, hija e të cilit, duket se e mbulonte atë çdo perëndim dielli…!
Po si dhe kur lindën për herë të parë kontradiktat në mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, cili ishte ministri që dëshmonte mbi konfliktin e ashpër ndërmjet tyre në vitin 1954, kur pas mbylljes në shtëpi i ruajtur nga ish partizanët e tij besnikë nga Mallakastra të Brigadës së Parë Sulmuese, Mehmeti, u bë gati për të dal në mal?! Po çfarë akuzash i kishin bërë kryeministrit Mehmet Shehu atë ditë të 18 dhjetorit të vitit 1981, në mbledhjen e Byrosë Politike dhe ç`kishte biseduar ai me djalin e ish-ministrit të Mbretit Zog gjatë një vizite që ai si kryeministër kishte bërë në qytezën e Cërrikut?! Përse Mehmeti i kërkoi takim Enver Hoxhës atë mbrëmje, pak orë para ngjarjes misterioze dhe cila ishte përgjigja që mori nga ai?! Që kur kishin filluar kontraditat dhe çarja e madhe midis tyre, të cilat çuan në konfliktin e pariparueshëm të asaj nate fatale në atë fund dhjetori dhe a kishte lidhje ajo me debatin e ashpër që ishte zhvilluar ndërmjet tyre përpara Shtëpisë së Partisë, teksa dilnin nga ndërtesa e Komitetit Qendror të PPSH-së në marsin e 1981-it, kur kishin filluar demonstratat në Kosovë dhe Mehmet Shehu i kishte kërkuar Enverit që të çonin tanket në kufirin me Jugosllavinë?
Cilat ishin marrëdhëniet e Mehmetit me Ramiz Alinë dhe përse u prishën ato vetëm pak ditë pas ceremonisë që bënë dy familjet Shehu dhe Alia, në vilën e Malit të Dajtit?! Çfarë kishte kurdisur Enver Hoxha, kur së bashku me Nexhmijen, shkuan për vizitë tek familja Shehu, për t`i uruar fejesën e djalit, Skënderit, me vajzën e familjes Turdiu dhe përse e nxorën jashtë fotografin e familjes Shehu (Dashamir Rrapin), duke mos e lënë atë që t`jua bënte ai fotografitë? Përse Enveri e thërriti urgjent Mehmetin nga mbledhja e Korçës në tetorin e vitit 1981 dhe çfarë i kërkoi atij në shtëpinë e tij, gjë të cilën, Mehmeti i’a kundërshtoi në mënyrë kategorike në grindjen e ashpër që plasi midis tyre?! Përse mbrëmjen e 18 dhjetorit, Mehmeti e porositi komandantin e rojeve të tij, Ali Çenon, që: të kishte kujdes, se rreziku mund t`ju vinte andej nga se prisnin?! Çfarë donte të thoshte ai me atë porosi dhe përse Ali Çeno u thërrit atë natë që të shkonte të flinte aty, gjë që nuk e kishte bërë kurrë më parë gjatë gjithë periudhës afro 10 vjeçare që shërbente në atë detyrë?!
Përse Ali Çeno ngulte këmbë, duke thënë se: shefi i tij nuk kishte vrarë veten, por ishte vrarë nga një njeri tjetër, i cili ka hyrë natën nga dera e përparme e vilës, duke bashkëpunuar me një nga oficerët e shërbimit të brendshëm?! Si reagoi Ramiz Alia, kur Aliu e njoftoi se çfarë i kishte ngjarë shefit të tij? Çfarë kishte në gotën që Aliu pa mbi komodinën e Mehmetit dhe përse ajo u zhduk menjëherë, pasi aty u fut grupi e ekspertëve kriminalist që do bënte kqyrjen e vendngjarjes?! A ishte i implikuar Kadri Hazbiu në atë ngjarje, cili ishte qëndrimi i tij në hetuesi dhe çfarë tha Kadriu ai në gjyq për Mehmet Shehun dhe trupin gjykues? Çfarë i kërkonte Ali Çenos hetuese Sokol Spiro Koleka gjatë procesit hetimor dhe përse ai duhet të pranonte se: shefi i tij Mehmeti, e kishte ngarkuar atë (Aliun), që të vriste me atentat Enver Hoxhën?!
Rreth këtyre mistereve ku pjesa më e madhe e tyre janë të panjohura dhe të papublikuara më parë, si dhe shumë ngjarje e fakte të tjera të panjohura që lidhen me ish-kryeministrin më jetë gjatë të shtetit shqiptar, Mehmet Shehu, si dhe marrëdhëniet e raportet e tij me Enver Hoxhën, bëhen publike nga dëshmitë rrëfyera ekskluzivisht nga Ali Çeno, ish-truproja dhe komandant i grupit të shoqërimit të tij, të cilat Memorie.al i publikon për herë të parë për lexuesit e saj në disa numra të rubrikës dossier.
Vijon nga numri i kaluar
Konfliktet e Enverit me Mehmetin në vitin 1981, për problemin e Kosovës
“Akoma pa mbaruar mirë fjalën Enveri, Mehmeti i ndërhyri duke i thënë: Këto i ka ndërtuar populli dhe ne jemi të detyruar ta mbrojmë këtë popull. Po nuk e bëmë këtë, në bëjmë një tradhëti të madhe dhe Kosova nuk ka për të na e falur kurrë. Pas këtyre fjalëve të Mehmetit, Enveri nuk foli më dhe aty u ndanë pa i folur më njeri- tjetrit, Enveri vazhdoi rrugën në drejtim të shtëpisë së tij, kurse Mehmeti u kthye mbrapsht. Gjithë atë periudhë që zhvilloheshin demostratat në Kosovë, sidomos në muajt mars, prill dhe maj, të vitit 1981, Mehmeti shkonte shpesh, në drejtim të zonave veri-lindore të Shqipërisë, duke inspektuar kufirin me Jugosllavinë dhe pozicionet e zjarrit, bunkerët, e artilerinë që ishte instaluar në repartet ushtarake, të atyre zonave. Ai e donte shumë Kosovën dhe kosovarët dhe nisur nga kjo gjë që dihej pothuaj prej të gjithëve, pas vrasjes së Mehmetit, një nga akuzat kryesore që trilloi Enveri, ishte ajo se ‘UDB-ja e sakrifikoi agjentin e saj Mehmet Shehun, vetëm pasi filluan demostratat në Kosovë”, dëshmonte Ali Çeno, mbi debatin e ashpër që është zhvilluar ndërmjet Enverit dhe Mehmetit, në lidhje me problemin e Kosovës, në pranverën e vitit 1981 kur studentët dhe populli i Kosovës kishin nisur demostratat masive për të kërkuar liritë e të drejtat e tyre, si dhe statusin e Republikës. Sipas dëshmive të Ali Çenos, pas atij debati që shkoi deri në grindje, marrëdhëniet në mes tyre pothuaj u prishën dhe ata nuk takoheshin më me njëri tjetrin. Kjo vazhdoi deri në fillim të vjeshtës së atij viti. Takimi i parë pas kësaj ndarje, ndodhi kur Enveri së bashku me Nexhmijen, shkuan tek familja Shehu, për t’i uruar fejesën e djalit të dytë, Skënderit me vajzën e familjes Turdiu.
Enveri dhe Nexhmija nxorën jashtë fotografin e familjes Shehu
Lidhur vizitën e parë të Enverit dhe Nexhmijes tek familja Shehu, pas konfliktit që ata patën në pranverën e vitit 1981, Ali Çeno më mes të tjerash kujtonte: “Pas një ftohje të gjatë të marëdhënieve në mes tyre, nga fillimi i shtatorit të vitit 1981, Enveri dhe Nexhmija erdhën tek familja Shehu, për t’i uruar fejesën e djalit të dytë, Skënderit, me vajzën e profesorit të nderuar të matematikës, Qazim Turdiu. Pasi isha njoftuar më përpara për vizitën që do të bënin Enveri me Nexhmijen aty, i thashë fotografit të familjes Shehu, Dashamir Rrapit, që të bënte gati aparatin për të bërë disa foto, që t’i kishte si kujtim familja, siç ndodhe zakonisht në të tilla raste jo vetëm për familjet e nomenklaturës së lartë të jetonin në “Bllok”-un e udhëheqjes, por edhe për shumë familje të tjera shqiptare që e kishin këtë mundësi. Enveri me Nexhmijen, kur erdhën në shtëpinë e Mehmetit, gjatë gjithë kohës që ndejtën aty, u treguan shumë të përzemërt me pjesëtarët e familjes, e më shumë me Skënderin e Silvën, vajzën që sapo ishte fejuar me djalin e kryeministrit, e cila njihej shumë edhe por faktin se ishte volejbolliste e ekipit “Dinamo” të kryeqytetit. Gjatë asaj vizite, Enveri e pyeti gjerë e gjatë Silvën dhe i tha se e njihte babanë e saj, profesor Qazim Turdiun, që ishte një njeri i nderuar. Duke parë situatën tepër të përzemërt që po zotëronte aty, unë i kërkova fotografit që të vinte brenda dhe të bënte disa fotografi. Por kur ktheva kokën, pashë se ai nuk ishte aty. Dola nga dhoma ku isha dhe i thashë Dashamirit, të vinte menjëherë brenda për të shkrepur fotot. Por ai më tha se i kishte thënë Sulo Gradeci, që ai në asnjë mënyrë të mos futej brenda dhe se nuk duhet të bënte asnjë shkrepje, pasi ato do t’i bënte vetë Sulo. Unë, i nevrikosur u futa brenda bashkë me fotografin, por Sulo erdhi menjëherë dhe më tha ta nxirrja jashtë atë, sepse kishte dhënë urdhër shoku Enver, fotografitë do t’i bënte vetëm Sulo. Mbas debatit që patëm për këtë problem me Sulon, unë e nxorra jashtë fotografin, sepse aty nuk ishte as koha e as vendi që të bënim debate. Fotografitë e asaj vizite u bënë nga Sulo, me gjithë pjestarët e familjes dhe me Skënderin e Silvën të cilët ishin protagonistët e kësaj vizite. Disa muaj më vonë, pas vrasjes së Mehmetit e kam sjellë ndërmend atë ngjarje dhe nxora konkluzionin, se: vendimi i Enverit ishte i paramenduar dhe me qëllim, që para se të vinin për të uruar fejesën e Skënderit, e kishin planifikuar që do t’a prishnin atë fejesë, ashtu siç ndodhi dhe nuk donin që të mbeteshin fotot si dokument, që ata kishin qenë dakord dhe e kishin uruar për atë fejesë. Ata erdhën aty për ta uruar me qëllim që t’ja bënin fakt të kryer atë fejesë dhe më pas ta sulmonin Mehmetin, ashtu dhe siç ndodhi”, tregonte Ali Çeno lidhur me vizitën e Enver Hoxhës dhe Nexhmijes tek familja Shehu.
Mehmeti: Enver, kur na doli Turdiu i keq…?!
Lidhur me raportet e marrëdhëniet e familjes Hoxha me atë të kryeministrit Mehmet Shehu pas asaj ngjarje, Ali Çeno midis të tjerash kujtonte: “Pas asaj vizite, ata nuk u takuan më me njëri tjetrin, deri në ditët e para të tetorit. Ato ditë ne ndodheshim në qytetin e Korçës, ku Mehmeti ishte i deleguar në Konferencën e Partisë të rrethit, apo për një mbledhje të Komitetit Ekzekutiv, nuk më kujtohet mirë kjo gjë. Në kohën që zhvillohej mbledhja, Mehmeti doli jashtë dhe më tha, se duhet të niseshim urgjent për në Tiranë, pasi e kërkonte Enveri. U nisëm me shpejtësi si rrallë ndonjë herë në drejtim të Tiranës. Gjatë gjithë rrugës Mehmeti nuk foli, por unë e ndiqja nga pasqyra dhe shikoja se ai ishte shumë i mërzitur, si rrallë ndonjëherë, gjë e cila i bëri shumë përshtypje dhe shoferit që me shumë takt e shikonte Mehmetin nga pasqyra. Nisur nga porosia e Mehmetit që duhej të nxitonim për në Tiranë, diku në dalje të Librazhdit, nga shpejtësia, shoferi humbi kontrollin dhe rrezikuam të përfundonim në lumin Shkumbin, por manovrimi i mirë i shoferit na shpëtoi. Pas kësaj, Mehmeti nuk i foli fare shoferit, gjë e cila do të thoshte se ai nuk duhet të ulte shpejtësinë, por të vazhdonte me atë ritëm drejt Tiranës. Kur mbërritëm në “Bllok”-un e udhëheqjes, shkuam direkt te shtëpia e Enverit, ku ai po priste. Sapo Mehmeti hyri në dhomën ku ishte Enveri, jo pa një nervozizëm që i dallohej lehtë, ai ju drejtua atij duke i thënë: ‘Shoku Enver, pse më thirre…’?! Enveri i’u përgjigj: ‘Duhet menjëherë ta prishësh fejesën e djalit, sepse a e di ti se çfarë biografie ka Qazim Turdiu’?! Akoma pa mbaruar mirë fjalën Enveri, Mehmeti i tha: ‘Pse nuk ma the këtë gjë, kur erdhët për për urim në shtëpinë time. Për Profesor Turdiun, ne kemi thënë gjithmonë se është njeri i nderuar dhe e kemi marrë të gjithë në shtëpi, për të na mësuar fëmijët tanë. Kur na doli se ai qenka me biografi të keqe?! Unë nuk mund të ndërhy tek ndjenjat e fëmijëve të mi, për të prishur këtë fejesë’. Pas kësaj përgjigje të Mehmetit, Enveri u xhindos dhe ju drejtua duke i thënë: ‘Do ta prishësh këtë fejesë sa më shpjet, se kështu ka urdhëruar Partia’. Pas këtij debati ne dolëm dhe u kuptua se Mehmeti e kishte të pamundur ta shpëtonte prishjen e fejesës së djalit të tij, duke parë presionin e madh që ushtroi Enveri mbi të dhe gjithashtu edhe situatën e nderë që mbizotëronte tek të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, që ishin larguar dhe mbanin qëndrim ndaj tij. Pas disa ditësh Mehmeti më thirri në kopshtin e vilës dhe më tha: Ali, të lutem a mund ti thërrasësh Ti, Skënderin dhe Silvën, në shtëpinë tënde dhe t’ju thuash në emrin e familjes sonë, se fejesa e tyre do të prishet. Ali, na e mbaro këtë punë, se mua nuk më bën zemra t’jua them, se mezi e prisja këtë fejesë. Këtë bisedë ne e bëmë në kopshtin e shtëpisë, pasi ai e dinte se përgjohej prej kohësh dhe ruhej nga çdo bisedë. Në atë periudhë sa herë dilnim nëpër rrethe për takime të ndryshme, Mehmeti më tregonte se si kërcisnin telefonat kur ai lidhej me Tiranën. Pasi mora përsipër porosinë që më dha Mehmeti, thirra Skënderin dhe Silvën, në shtëpinë time dhe ju thashë me shumë siklet, për prishjen e fejesës së tyre, këtë e kërkoja në emër të familjes, Shehu.
Në mbledhjen e Byrosë, Ramizi drejtonte akuzat ndaj Mehmetit
Sipas dëshmive të Ali Çenos, pas debatit mes Enverit dhe Mehmetit, ata të dy nuk u takuan më me njëri tjetrin, madje as në ditët e Kongresit dhe përballja tyre do të bëhej vetëm në mbledhjen e Byrosë, më 17 dhjetor. Lidhur me këtë, Çeno kujtonte: “Mbledhja e Byrosë Politike mbaroi rreth orës 20.00 dhe menjëherë pas saj, Mehmeti shumë i nervozuar, si rrallë ndonjëherë, hyri me nxitim në studion e punës në shtëpinë e tij dhe që tek dera e hodhi çantën që mbante me vete kur kishte mbledhje. Unë u ula ta merrja çantën për ta vënë në vendin e duhur, por ai më tha: Lëre Ali dreqin, lëre…! Duke parë gjendjen e tronditur të tij, për ta zbutur disi, unë i thashë: ‘Sa herë kritikohemi ne nëpër mbledhje…’! Pas kësaj ai mu drejtua: Pse mo Ali, ti e krahason veten me mua…?! Nuk i dëgjove pocaqitë se çfarë bënin në mbledhje si papagaj’?! (E kishte fjalën për mbledhjen e Byrosë Politike, që sa kishte mbaruar, ku pothuaj të gjithë anëtarët e saj, të nxitur nga Enveri, e sulmuan ashpër, Mehmetin, me akuza nga më të ndryshme. Një nga njerëzit që e sulmoi më ashpër, ishte Ramiz Alia, i cili përveç akuzave që i bënte vetë, kishte nxitur dhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike për ta sulmuar Mehmetin, duke i përmendur fejesën e të birit të tij, me vajzën e familjes Turdiu dhe deri te shfaqja hapur e nevojës së shuarjes së luftës klasave, siç ishte rasti ku ai kishte lavdëruar dhe përqafuar djalin e ish-ministrit të Zogut, në vizitën e tij në Cërrik. Të gjitha këto sulme drejtoheshin nga Ramiz Alia, i cili që në vitin 1976, qëndrimet e tij ndaj Mehmetit, konvergonin me ato të Enverit, në varësi të marrëdhënieve e raporteve që kishin ata të dy. Por përveç kësaj, Ramizi kishte dhe një arsye tjetër, që të ishte i ashpër ndaj Mehmetit dhe të bëhej nxitësi kryesor i akuzave dhe sulmeve karshi tij. Kjo gjë vinte pas prishjes dhe ftohjes përfundimtare të Ramizit me Mehmetin, e cila e kishte zanafillën nga fillimi i vitit 1980. Në atë kohë, u duk se familjet Shehu dhe Alia, krijuan një lidhje të fortë dhe të qëndrueshme midis tyre, gjë e cila u konkretizua dhe me një ceremoni që dy familjet e bënë në vilën e malit të Dajtit. Por vetëm kaq kohë pas kësaj ceremonie, ishte familja Shehu e cila e prishi miqësinë me familjen Alia dhe marrdhëniet në mes Mehmetit e Ramizit mbetën vetëm thjeshtë zyrtare. Se çfarë ishte ajo lidhje në mes familjeve Shehu dhe Alia, krushqi apo diçka tjetër, e di mirë Ramiz Alia. Po të doni për më tepër rreth saj, mund ta pyesni atë”, shprehej Ali Çeno, në lidhje me klimën e krijuar në mbledhjen e Byrosë Politike të 17 dhjetorit, të cilat sipas tij, dirigjoheshin nga Ramiz Alia, kuptohet sipas “libretit” të Enver Hoxhës.
Telefonata e Mehmetit me Enverin natën e 17 dhjetorit 1981
Po si rrodhën ngjarjet në mbrëmjen e 17 dhjetorit pas mbledhjes së Byrosë Politike, në mes dy krerëve më të lartë të Shqipërisë komuniste?! Lidhur me këtë, Aliu kujtonte: “Mbas pak aty rreth orës nëntë pa një çerek, nga studio e punës ku ishim bashkë vetëm ne të dy, Mehmeti e mori në telefon Enverin dhe i tha: Shoku Enver, a ka mundësi të vij vetëm 5 minuta, që të kopsisim disa gjera, që nesër në mbledhjen Byrosë, të dali një gjë e pjekur dhe jo si sot, ku njëri i binte gozhdës dhe tjetri patkoit, e nuk e mori vesh i pari të dytin’. Unë nuk e dëgjova se çfarë i’u përgjigj Enveri, nga ana tjetër e receptorit, por atë gjë e mësova të nesërmen nga Fiqreti. Enveri i kishte thënë se ai nuk e priste dot, pasi kishte mysafirë për darkë dhe ishte shumë i lodhur, por i tha Mehmetit që të përgatitej për autokritikën, se ai do t’ja jepte konkluzionet në Byro. Para se të ndahesha prej tij, për të shkuar në shtëpinë time, Mehmeti m’u drejtua: ‘Ali kini kujdes shërbimin, se e keqja të vjen andej nga se pret’. Unë e kisha të qartë, se përse e kishte fjalën dhe para se të largohesha, i ndava detyrat grupit të shërbimit e u largova për në shtëpi, për t’u rikthyer përsëri aty pas një telefonate që më bëri një nga pjestarët e grupit të shoqërimit dhe fjeta në dhomën e shërbimit. Të nesërmen, pasi nxora “Benz”-in dhe e bëra gati për ta çuar shefin në mbledhjen e Byrosë, dëgjova ulërima nga kati i dytë. Më pas, doli Vladimiri, djali i madh i familjes Shehu dhe kërkoi që unë dhe doktori (Llesh Rroku), të shkonim shpejt sipër. Ladi bëri me gisht nga dhoma e gjumit dhe duke u dridhur i tëri më tha: ‘Ali shko shikoje babin’. Unë u futa menjëherë aty dhe për momentin kujtova se i kishte rënë të fikët. I mata pulsin dhe pashë që ai kishte mbaruar…”. /Memorie.al