Pas vendimit të Gjykatës së Madridit për të pezulluar sanksionet ndaj Juventusit, Real Madridit dhe Barcelonës, ka reaguar Javier Tebas, presidenti i La Liga-s, i cili ka nisur një sulm të ashpër ndaj Superligës Evropiane.
“E lexova vendimin. Ai është i njëjti gjyqtar si gjithmonë. Kishte vendosur kështu edhe më parë, ndaj do të isha i befasuar nëse do të ndryshonte mendje. Ajo që po ndodh në atë gjykatë duket si një shaka. Pastaj, unë nuk e kuptoj sjelljen e këtyre tre klubeve. Ato flasin për të bërë gjithçka. Së bashku, më duken si “motrat e bamirësisë” – tha Tebas.
Kreu i liges më pas u përqendrua te rinovimi i Messit dhe gjendja ekonomike e Barcelonës: “Kur rregullat duhet të ndryshohen, ka disa organizata që i ndryshojnë ato. Dhe, me sa di unë, aktualisht nuk ka asgjë për të ndryshuar. Unë i besoj klubit.
Ata i dinë rregullat dhe e dinë shumë mirë që nuk ka asnjë përjashtim. Barça më thotë se ka shpresa për të ulur pagën e dikujt, por me siguri nuk do të shkojnë kundër rregullave, në mënyrë që Messi të qëndrojë. Unë e njoh Laporta. Nëse thotë se gjërat po shkojnë mirë, unë e besoj atë.”