Aktori amerikan Alec Baldwin është arrestuar në Nju Jork, nën akuzën se ka rrahur me grushte një person, pas një debati për një vend parkimi.
Një zëdhënës i policisë lokale deklaroi se aktori u ndalua dhe iu komunikua akuza e agresionit.
Kjo nuk është hera e parë që 60-vjeçari përballet me ligjin.
Në vitin 2014, ai u arrestua për prishje të rendit publik.
Sipas policisë, një anëtar i familjes së tij kishte zënë një vend parkimi për Kadillakun e Baldwin, kur papritur një person tjetër ndërhyri me automjetin e vetë dhe e zuri hapësirën.
Mes aktorit dhe personit tjetër nisi një sherr verbal që kaloi në shtyrje fizike dhe më pas në goditjen me grusht.
Personi i lënduar, 49-vjeç, u dërgua në spital pas dhimbjeve në nofull.