Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar sërish nismën “Ballkani i Hapur” i ndërmarrë nga tre shtete, përfshirë dhe Shqipërinë.
Kurti ka theksuar për mediat në Kosovë, se problem kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i presidentit Aleksandër Vuçiç me të kaluarën. Ai thotë se pjesëmarrja e Kosovës sipas tij është e pamundur, për aq kohë sa Serbia nuk pranon të kaluarën kriminale.
“Ne si Republikë e Kosovës konsiderojmë që problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën. Përkatësisht me të kaluarën kriminale të Serbisë e cila i shkaktoi katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20.
Tregu i përbashkët duhet patjetër të shoqërohet me ballafaqimin me të kaluarën, me demokratizimin e vendeve tona dhe me sundimin e ligjit. Përndryshe do të kemi më shumë ngjarje që nuk ngelen në kujtesë sesa procese dhe struktura që ndryshojnë për së miri jetën e qytetarëve”, tha ai.
Kurti duke komentuar edhe ndryshimin e emrit nga “Mini Shengeni” në “Ballkan të Hapur” tha se nuk është i entuziazmuar nga ky ndryshim, pasi ky emër nënkupton hapje ndaj ndikimeve ruse dhe kineze.
“Në veçanti nuk mund të them që jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’ pasi duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse dhe Kina, si dhe Ballkan i Hapur për autokracinë, korrupsionin, kriminelët e luftës, siç e dimë që vazhdojnë të jenë masivisht jo vetëm të lirë në Serbi, por jo pak prej tyre edhe në pushtet”, tha ai.