Firma e ndërtimit që ka marrë përsipër rikonstruksionin e segmentit të Bërdices, një prej nyjeve kryesore të aksit Shkodër – Velipojë, është larguar. Shkak për këtë është bërë vonesa në shpronësimin e tokës për ato banesa të vendosura aty ku duhet të ngrihet traseja e re.
Drejtori i Kantierit të Punimeve, Ramadan Bunci, thotë së puna do të rinisë kur qeveria të arrijë marrëveshjen me banorët:
“Ne jemi larguar përkohësisht, pasi nuk kemi më punime për të kryer, veç hapjes se trasesë në segmentin prej 900 meter dhe më pas asfaltimin. Por në këtë segment nuk mund të punojmë pa perfundur plotësisht shpronësimi. Në këto kushte jemi larguar dhe sapo të njoftohemi zyrtarisht se shpronësimi është zgjidhur, ne kthehemi menjëhere dhe vazhdojme punën”
Ndërkohë administratori i Berdices, Aleksander Pashuku, bën të ditur se pjesërisht shkak për vonesën e shpronësimit të 150 fermerëve që preken nga ndertimi i rruges së re të Velipojës janë edhe koha që i është lënë disa familje në emigracion, për plotësimin e dokumentave.
Segmenti i Berdicës është rreth 4 kilometër dhe afatet për përfundimin e ndërtimit të saj janë shtyrë disa herë. Nisur nga afati i procedurave të shpronësimit, kjo rrugë mund të bëhët gati vetëm për vitin tjetër.