Për të përshkuar 25 km rrugë nga Miloti në Shëngjin, Ilmi Beqirit nga Kosova i janë dashur më shumë se 2 orë. Ai ka ardhur bashkë me familjen për të kaluar pushimet verore në bregdetin e Shëngjinit, por gjatë rrugës u përball me një trafik shumë të rënduar.
“Unë jam nga Kosova dhe kam ardhur për të kaluar pushimet verore këtu në Shëngjin. Në Milot u përballa me një trafik shumë të rënduar dhe shpeshherë kishte dhe bllokim total të lëvizjes. Më shpejt kam ardhur nga Morina në Milot, ndërsa nga Miloti në Shëngjin që është shumë afër më është dashur më shumë se 2 orë për të arritur në destinacion. Nuk e kisha menduar kështu, por trafiku ishte tmerr i vërtet dhe nuk e kuptoj pse ndodh diçka e tillë”, shprehet turisti nga Kosova.
Lëvizja në rrugët që përshkojnë qarkun e Lezhës është kthyer në makth për përdoruesit e tyre. Sezoni turistik po shoqërohet me fluks të lartë automjetesh, duke krijuar trafik të rënduar e shpeshherë dhe bllokim total të qarkullimit, ndërsa segmentet më problematike janë superstrada nga Miloti në Balldre dhe rruga e Shëngjinit. “Unë kam punën e atillë dhe lëviz shpesh në superstradën Lezhë – Milot. Që kur ka nisur sezoni turistik, trafiku këtu është një tmerr i vërtetë.
Kam ngelur disa herë i bllokuar në trafik me disa orë. Efektivë Policie ka plot, por fluksi i mjeteve është i madh dhe rruga nuk e përballon dot. Kjo është diçka e vazhdueshme çdo sezon veror. Me pak fjalë, një tmerr i vërtete për ne që jetojmë këtu në Lezhë”, thotë Gjok Prenga, një drejtues mjeti.
SHOFERET
Ndërsa një drejtues taksie, i cili është vazhdimisht në lëvizje tregon se për shkak të trafikut në shumë raste nuk arrin në kohë në destinacion. “Unë jam gjithë kohës në lëvizje. Sezoni i verës këtu është një tmerr i vërtet për shkak të trafikut, sidomos në rrugën Balldre- Milot. Shpeshherë jam bllokuar në trafik dhe nuk kam arritur të shkoj në kohë në destinacionin që më është kërkuar. Ka raste që rrugën Balldre-Milot, e cila është një distancë e shkurtër, nuk mund ta bëj as për dy orë për shkak të bllokimit që krijohet nga fluksi i lartë i automjeteve.
Diçka e tillë është e vazhdueshme në çdo sezon veror. Mendoj se nuk është faj i Policisë, por i rrugëve të cilat janë të ngushta dhe nuk e përballojnë fluksin e automjeteve gjatë verës”, thotë taksisti Arion Gjini.
Për të shmangur trafikun, shumë drejtues mjetesh detyrohen të gjejnë zgjidhje alternative, duke kaluar përmes rrugëve dytësore që iu rekomandon edhe vetë Policia Rrugore.
“Gjatë verës, unë përdor rrugët dytësore për të lëvizur, sepse superstrada është një tmerr i vërtet. Ngel i bllokuar në trafik dhe duhen 2 orë për të shkuar nga Lezha në Milot. Kalimi në rrugët dytësore është më i gjatë, por të paktën nuk bllokohesh”, thotë një tjetër drejtues mjeti.
POLICIA
Përballë fluksit të lartë të automjeteve duket se është “dorëzuar” edhe vetë Policia Rrugore, e cila pavarësisht përforcimeve me forca shtesë nuk ka arritur që të shmangë trafikun.
Shefi i Qarkullimit Rrugor, Altin Mena, thotë se mungesa e standardeve në rrugë bëhet shkak për trafikun e rënduar, ndërsa shton se janë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin gjatë sezonit veror.
“Policia Rrugore e Lezhës ka shtuar përforcimet, ka shërbime shtesë nga qarqe të ndryshme të vendit, nga Policia e Shtetit dhe nga Policia Rrugore e Lezhës. Efektivët po punojnë me orar të zgjatur, duke u vendosur në pikat më problematike për të ndihmuar në lehtësimin e lëvizjes. Por siç e shikoni, edhe vetë fluksi i automjeteve në rrugë është i jashtëzakonshëm gjatë kësaj periudhe dhe krijon shumë trafik.
Rrugët kanë një tjetër ndikim në këtë, pasi duhet të jenë më të gjëra dhe me standarde më të mira, por kjo nuk është detyra jonë për t’i dhënë zgjidhje. Policia Rrugore i ka të gjitha kapacitet, qoftë njerëzore apo dhe teknike për të përballuar një fluks të tillë dhe po bën maksimumin e saj”, thotë Mena.
Shefi i Qarkullimit Rrugor në Lezhë, Altin Mena, u kërkon përdoruesve të rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, pasi në të kundërt do të përballen me masa ndëshkimore.
“Përdoruesit e rrugës duhet të respektojnë normat e sjelljes dhe mos të shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Nuk do të ketë tolerime ndaj shkelësve dhe ndëshkimet do të jenë maksimale komfor ligjit, pasi mosrespektimi i rregullave sjell aksidente rrugore”, shton Mena. Trafiku i rënduar pritet të shoqërojë rrugët e qarkut të Lezhës deri në fillim të muajit shtator, ndërsa kjo situatë është kthyer në një refren të përvitshëm.