Skadon sonte në mesnatë afati kushtetues që presidenti i Republikës të dekretojë ministrin e ri të brendshëm.
Një javë më parë, pikërisht të shtunën më 27 tetor, kryeministri Rama njoftoi se kishte emëruar pas dorëheqjes së Fatmir Xhafaj, gjeneral Sandër Lleshin në postin e ministrit të brendshëm. Pak orë pas dorëheqjes, Meta dekretoi shkarkimin e Xhafajt, por jo edhe emërimin e Sandër Lleshit.
Mediat aluduan per arsyet e mosdekretimit të Lleshit nga presidenti, duke shkruar se Meta kërkon te mesojë nga Ministria e Mbrojtjes nëse Lleshi mban ende ndonjë detyrë shtetërore në forcat e Armatosura, pasi sipas Kushtetutës, ministri nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër shtetëror dhe as të jetë anëtar ose drejtues i ndonjë organi të shoqërisë civile.
Ndërkaq Meta deklaroi mbrëmjen e së premtes në një emision televiziv se vendimi lidhur me kërkesën për dekretimin e ministrit të ri, do të jetë një vendim kurajoz, që të linte të kuptoje se edhe mund të mos e dekretojë Sandër Lleshin për postin e ministrit të brendshëm.
Mosdekretimi i ministrit të ri do të ishte precedenti i parë në historinë e demokracisë në Shqipëri, që do ta fuste vendin në një situtatë të paprovuar, vecanerisht në kushtet e mungesës së Gjykatës kushetuese, e cila mund të interpretonte ligjërisht ngërçin e krijuar.
Gjithesesi në postin e ministrit të Brendshëm mbetet ende fatmir Xhafaj, shkarkimi i të cilit nuk miratua të enjten e kaluar nga Kuvendi i Shqipërisë.