Çdo ide se COVID-19 do të zgjaste vetëm disa muaj rezultoi e gabuar. Pasi u vërtetua se virusi SARS-CoV-2 përhapej kryesisht përmes ajrit, shkencëtarët thanë se virusi do të shkaktonte valë të përsëritura.
Kjo është ajo që ndodhi në epideminë e gripit të vitit 1918.
Përveç kësaj, shumë pak shkencëtarë parashikuan përhapjen e varianteve në një periudhe kaq të shkurtër kohore. Kjo ka bërë që virusi të bëhet edhe më i transmetueshëm dhe më i aftë të shmangë vaksinat.
Evolucioni i virusit ka qenë i shpejtë pasi varianti Delta, i cili aktualisht po dominon botën, është dy herë më i transmetueshëm se variantet e tjera.
Kjo do të thotë që imuniteti i tufës nuk do të ndodhë.
Kur politikanët dhe të tjerët flasin për imunitetin e tufës, për fat të keq, ata mendojnë se mjetet aktuale që kemi ne mund të eliminojnë virusin. Nuk është ajo që kemi në dorë tani. Në vend të kësaj ne duhet të flasim se si të jetojmë me virusin.
Koncepti i imunitetit të tufës na krijon një ide të gabuar se ne në të vërtetë do të arrijmë në një fazë ku virusi do të eliminohet. Kjo nuk ka gjasa të ndodhë pasi virusi do të vazhdojë të qarkullojë por ka një sërë rreziqesh nëse ne vazhdojmë të mendojmë se diçka e tillë do të ndodhë.
Së pari, mund të dëmtojë besimin te vaksinat. Edhe nëse Afrika e Jugut arrin objektivin e saj për të vaksinuar 67% të popullsisë do të ketë akoma shpërthime të COVID-19. Në këtë mënyrë njerëzit do të fillojnë të dyshojnë në përfitimet e vaksinimit. Gjithashtu, për variantin tashmë dominues Delta, duhet të vaksinohet 84% e popullsisë që të arrihet imuniteti i tufës.
Së dyti, dështimi për t’u përballur me realitetin se imuniteti i tufës nuk mund të arrihet do të thotë që vende si Afrika e Jugut do të vazhdojnë të besojnë se kufizimet e vazhdueshme janë të nevojshme për arritjen e imunitetit të tufës.
Kjo do të komprometojë jetën e njerëzve në fronte të shumta – përfshirë arsimin dhe jetesën.
Çfarë është imuniteti i tufës?
Imuniteti i tufës ndodh kur një person i infektuar nga virusi nuk infekton një person tjetër. Kjo ndodh sepse ata kanë zhvilluar imunitet kundër infektimit, ose të paktën kanë zhvilluar imunitet në atë masë ku edhe nëse do të ishin të infektuar, do të ishin në gjendje ta eliminonin virusin shumë shpejt dhe nuk do ta transmetonin tek njerëzit e tjerë .
Pra, imuniteti i tufës në thelb do të thotë që ju keni ndërprerë zinxhirin e transmetimit të virusit në popullatë në mungesë të masave të tjera që gjithashtu mund të ndërpresin transmetimin e virusit siç është mbajtja e maskave.
Por disa ndryshime kanë detyruar një pjesë të ndryshojë mendimin për imunitetin e tufës. Tani shihet shumë më tepër si një aspiratë sesa një qëllim aktual.
Çfarë ka ndryshuar
Së pari, evolucioni i virusit dhe mutacionet që kanë ndodhur. Një sërë mutacionesh e kanë bërë virusin shumë më të transmetueshëm ose infektiv. Varianti Delta është vetëm një shembull i tillë . Fillimisht ne menduam se shkalla e riprodhimit të SARS-CoV-2 ishte midis 2.5 dhe 4. Me fjalë të tjera, në një popullsi plotësisht të ndjeshme çdo person i infektuar mesatarisht do të infektonte rreth dy e gjysmë deri në katër persona të tjerë.
Por varianti Delta është të paktën dyfish më i transmetueshëm. Kjo do të thotë që shkalla riprodhuese e variantit Delta është ndoshta gjashtë.
Ndryshimi i dytë është se virusi ka treguar aftësi për të prodhuar mutacione që e bëjnë atë rezistent ndaj aktivitetit neutralizues të antitrupave të shkaktuar nga infeksioni i kaluar nga virusi origjinal, si dhe përgjigjet e antitrupave të shkaktuara nga shumica e vaksinave aktuale COVID-19.
Pika e tretë përqendrohet në imunitetin që krijojmë. Antitrupat janë të pranishme për të paktën gjashtë deri në nëntë muaj. Por kjo nuk do të thotë se ata do të na mbrojnë kundër infeksionit nga variantet që po evoluojnë.
Pika e katërt është shpërndarja e pabarabartë e vaksinave në të gjithë botën. Fatkeqësisht, kjo siguron terren për evolucionin e vazhdueshëm të virusit. Asnjë vend nuk do të mbyllë kufijtë e tij përgjithmonë. Kjo do të thotë që e gjithë popullsia globale duhet të arrijë të njëjtin prag në të njëjtën kohë.
Për momentin vetëm 1% e popullsisë e vendeve me të ardhura të ulëta është vaksinuar. Dhe 27% e popullsisë globale. Me përhapjen e variantit Delta, do të duhet të vaksinojmë 84% të popullsisë globale që të zhvillojmë mbrojtje kundër infeksionit në një periudhë sa më të shkurtër kohore.
Hapat e ardhshëm
Zgjidhja e vetme është të mësojmë të jetojmë me virusin. Prandaj të rriturit dhe veçanërisht personat me të rrezikuar duhet të vaksinohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Diçka e tillë mund të arrihet në Afrikën e Jugut me 20 milion njerëz të vaksinuar.
Por 20 milionë do të duhej të përfshinin 90% të njerëzve mbi moshën 60 vjeç dhe 90% të njerëzve mbi moshën 35 vjeç që kanë sëmundje bashkëshoqëruese. Nëse Afrika e Jugut e arrin diçka të tillë, ata do të mësojnë të jetojnë me virusin.
Gjithashtu do të siguronte që sistemet e kujdesit shëndetësor nuk do të mbingarkoheshin dhe gjithashtu numri i viktimave do të ulej. Ne thjesht duhet të mësohemi me idenë se SARS-CoV-2 do të jetë si viruset e tjerë të shumtë që qarkullojnë dhe shkaktojnë sëmundje të frymëmarrjes çdo ditë.
Kështu që njerëzit, për fat të keq, do të vazhdojnë të vdesin nga COVID-19, por sigurisht jo në ritmet që kemi parë gjatë 18 muajve të fundit. Përvoja e Mbretërisë së Bashkuar është pikërisht ajo që duhet të marrim parasysh.
Ky do të jetë normaliteti ynë por me kusht që të vaksinohen personat më të rrezikuar dhe të moshuarit. Rreth 85% e të rriturve kanë marrë të paktën një dozë të vetme të vaksinës në Mbretërinë e Bashkuar. Por Mbretëria e Bashkuar ka shënuar rritje të rasteve me variantin Delta. Shumica dërrmuese e njerëzve (97%) që janë shtruar në spital dhe vdesin nga COVID-19 janë të pavaksinuarit. /The Conversation