Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të ishte instrumenti që do të mbante jashtë Parlamentit ish-kreun e PD-së, Sali Berisha.
Nëse KQZ do të shprehej se Sali Berisha, si persona “non grata” në SHBA nuk duhet të jetë pjesë e Parlamentit edhe pse është ndër më të votuarit nga zgjedhësit, atëherë kjo do të kërkonte një interpretim të gjerë të ligjit të dekriminalizimit.
Ligji i dekriminalizimit, i propozuar nga opozita, përmes të cilit janë larguar nga jeta publike shumë zyrtarë, ndalon përfaqësimin e personave që janë dëbuar nga një vend i huaj apo janë dënuar më parë.
Ish-Kryeministri Berisha është shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit si i përfshirë në korrupsion domethënës, duke favorizuar pasurimin e familjarëve të tij dhe aleatëve politikë. Por sipas juristëve, shpallja “non grata” nuk është e njëjta gjë me dëbimin apo deportimin pas shpalljes “non grata”.
Zoti Berisha nuk regjistron në CV-në e tij asnjë dënim apo dëbim nga SHBA, duke e përjashtuar veten nga përfshirja e tij si subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Këtij interpretimi i vjen në ndihmë edhe vendimi i KQZ-së në mars të këtij viti ndaj kërkesës së Partisë Demokratike për të hequr nga lista e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit Tom Doshin, për shkak se ai është një nga tre zyrtarët e shpallur “non grata” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
PRECEDENTI
Partia Demokratike i është drejtuar me një apel Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos regjistrojë në zgjedhje kryetarin e PSD-së, Tom Doshi. Duke qenë se kreu i PSD-së nuk rezulton i dënuar në Shqipëri, PD argumenton si fakt të rëndësishëm shpalljen nga SHBAja “non grata” të z. Doshi.
Sipas letrës së PD-së, kryetari i PSD-së është i dëbuar nga SHBA-ja dhe ky fakt e bën atë subjekt të nenit nr. 2 të ligjit të dekriminalizimit. “Partia Demokratike i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mos e regjistrojë Tom Doshin në zgjedhjet e 25 prillit. Tom Doshi është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje.
Në kuptimin e ligjit të dekriminalizimit, neni 2, Tom Doshi ndalohet të kandidojë, pasi ai është i dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urdhri i Sekretarit Amerikan të Shtetit ia ndalon atij hyrjen në SHBA, duke përbërë shkak ligjor për ndalimin e kandidimit të Tom Doshit në zgjedhjet e 25 prillit 2021. PD i bënte thirrje KQZ-së të zbatojë ligjin dhe të marrë këtë vendim, në interesin më të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë”, theksonte PD-ja.
Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e rrëzoi këtë kërkesë të PDsë duke e argumentuar se shpallja “non grata” nuk plotëson asnjë nga dy përcaktimet e ligjit të dekriminalizimit, siç është dëbimi apo dënimi.
Tom Doshi, përmes një deklarate, shpalli tërheqjen nga mandati i deputetit pas zgjedhjeve të 25 prillit, duke ia kaluar atë kandidatit të dytë në listën e Shkodrës për PSD-në.
KRYETARËT E PARTIVE
Në mënyrë të përsëritur u është kërkuar kryetarëve të partive që të dërgojnë në Parlament përfaqësuesit e denjë të popullit të votuar prej tyre. Në listën e politikanëve të shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit janë ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako; kryetari i PSD-së, Tom Doshi dhe ish-Kryeministri Sali Berisha.
Vangjush Dako nuk u kandidua nga Kryeministri Rama në zgjedhjet e 2019-ës për kryetar bashkie në Durrës, por as dhe për deputet të Kuvendit në zgjedhjet e 25 prillit 2021, për shkak se është një nga personat “non grata” nga SHBA në PS. Por Dako mbetet anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste dhe Kryeministri Rama publikisht ka deklaruar se do ta ketë mik Dakon, pavarësisht se çfarë mendon Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Vangjush Dako ka qenë dhe do të jetë miku im. Më përcakton morali dhe bindja ime kë kam mik, jo Departamenti i Shtetit. Dhe në burg të shkojë nesër, do të jetë miku im. Por me Dakon s’kam bërë kurrë, as më ka kërkuar, as i kam kërkuar, asnjë shkelje të ligjit të Shqipërisë”, është shprehur Rama një vit më parë.
Në shtator, kur të mblidhet Parlamenti i ri i Shqipërisë i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, do të shihet se cili do të jetë qëndrimi dhe vendimi i kryetarëve të partive në Kuvend në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.
Korrupsioni, SHBA u ka refuzuar vizën 170 zyrtarëve dhe familjarëve
Departamenti Amerikan i Shtetit u ka ndaluar hyrjen në SHBA 170 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve shqiptarë si të dyshuar të përfshirë në korrupsion. Në shkurt 2019, Ambasada amerikane në Tiranë sqaroi se gjatë vitit 2017 iu është ndaluar hyrja në SHBA 170 zyrtarëve të lartë shqiptarë dhe familjeve të tyre, pas informacioneve për përfshirje në raste korrupsioni.
Selia diplomatike tha se i merr seriozisht të gjitha dyshimet për afera korruptive, por sqaron se nuk ka refuzuar të gjithë zyrtarët që kanë riaplikuar për vizë amerikane. “Ambasada e SHBA-së mohon pretendimet se ka revokuar vizat e të gjithë zyrtarëve publikë dhe se iu ka kërkuar të riaplikojnë. Këto raportime janë të rreme.
Megjithatë, Ambasada e SHBA-së vazhdon të ushtrojë autoritetin e vet të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza bazuar në informacione që tregojnë se një individ mund të jetë i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe do të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për të çuar përpara përpjekjet antikorrupsion në Shqipëri.
Ambasada e SHBA-së i merr shumë seriozisht pretendimet për korrupsion dhe do të vazhdojë të shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve publikë me kontroll shtesë. Që nga revokimi i vizave të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve në janar 2017, Ambasada e SHBA-së iu ka mohuar vizat më shumë se 170 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve dhe familjarëve të tyre.
Pozicioni i Ambasadës së SHBA-së kundër korrupsionit dhe synimi i saj për t’iu mohuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar mbetet i pandryshuar”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane në Tiranë. Ambasada amerikane në Tiranë u shpreh në atë kohë se për zyrtarët publikë ka kontrolle shtesë në rastet kur ka pretendime për korrupsion të tyre.
Megjithatë, Ambasada e SHBA-së i mohonte pretendimet në media se iu ka refuzuar vizat të gjithë zyrtarëve publikë dhe iu ka kërkuar të riaplikojnë. Ambasada konfirmoi se numri i zyrtarëve që iu është ndaluar hyrja në SHBA gjatë 2017-ës ka qenë 170, pas informacioneve si të përfshirë në afera korruptive. Ndalimi i hyrjes në SHBA vlen edhe për familjarët e tyre.
ADRIATIK LLALLA “NON GRATA” NË SHBA
Departamenti i Shtetit i ndaloi në shkurt 2018 hyrjen në SHBA ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe familjes së tij, duke e akuzuar për korrupsion.
Në njoftimin e bërë publik nga Sekretari i Shtetit Rex Tillerson nënvizohet se ky vendim merret për shkak të përfshirjes së z. Llalla në mënyrë ‘domethënëse’ në korrupsion ose shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut.
Përveç Llallës, vendimi sanksionon hyrjen në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij, Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane. Adriatik Llalla shërbeu si Prokuror i Përgjithshëm nga viti 2012 deri në dhjetor 2017, kur ai u zëvendësua nga Arta Marku.
Gjatë periudhës që drejtoi organin e akuzës, Llala është akuzuar se nuk ka vepruar kundër korrupsionit dhe është përplasur publikisht me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë për shkak të pozicioneve mbi Reformën në Drejtësi.
Duke folur në një konferencë të shoqërisë civile në shkurt 2017, ambasadori amerikan Donald Lu e akuzoi publikisht Llallën se po pengonte reformën. “Prokurori i Përgjithshëm është kundër Reformës në Drejtësi. Për më shumë se 18 muaj ka folur kundër reformës”, deklaroi Lu.
“Populli shqiptar duhet t’u tregojë këtyre njerëzve të fuqishëm që po vëzhgon. Partnerët ndërkombëtarë do të mbështesin përpjekjet e tyre”, shtoi ambasadori.