Vijojnë të jenë aktive dy vatra e zjarrit në Majën e Rrunës. Zjarri në Majën e Rrunës mbi tunelin e Kalimashit i favorizuar edhe nga era është përhapur me shpejtësi gjatë mesnatës të cilat janë përhapur deri pranë Rrugës së Kombit.
Forcat zjarrfikëse të Bashkisë Kukës,të tunelit të Kalimashit dhe Forcat e Armatosura të Detashmentit Rajonal të Mbrojtjes Kukës deri në orët e vona kanë luftuar me flakët pavarësisht terrenit të vështirë në këtë zonë ndërsa në ndihmë të tyre gjatë ditës së premte ka qenë edhe një helikopter.
Operacioni mes shkëmbinjve për të neutralizuar dhe shuar flakët është ndërprerë natën ndërsa ka rinisur të shtunën në mëngjes. Situata në Majën e Rrunës është kritike për shkak se flakët kanë dalë jashtë kontrollit. Gjithashtu kushtet e pafavorshme atmosferike kanë ndikuar në përhapjen e shpejtë të zjarrit. Në qarkun e Kukësit, edhe më herët gjatë këtyre ditëve ka patur vatra zjarri të cilat janë fikur totalisht.
Në Bashkinë Has, vatra e zjarrit të rënë në Fshati Metaliaj, në Njësinë Administrative Fajza, janë djegur rreth 0.6 ha sipërfaqe pyll lisi. Vatra është e fikur plotësisht. Ndërsa nga vatra e zjarrit të rënë në fshatin Helshan, të Njësisë Administrative Golaj, janë djegur rreth 2 ha sipërfaqe livadh dhe shkurre. Vatra aktualisht është e fikur plotësisht. Është shuar edhe vatra e zjarrit të rënë në fshati Pogaj, të Njësisë Administrative Gjinaj. Sa i përket bashkisë së Tropojës, vatrat e zjarrit në Njësinë Administrative Margegaj, konkretisht në fshatin Çerem, është izoluar pas ndërhyrjes së shpejtë nga banorët e zonës, dhe punonjës të bashkisë. Në këtë zonë është djegur një sipërfaqe prej 800 m2.
Flakët kanë përfshirë edhe një zonë pranë luginës së Valbonës, fshati Klysyrë, por nuk ka përhapje dhe aktualisht është tërësisht i kontrollueshëm e me intensitet të ulët.
Zjarri është nën kontroll edhe në fshatin Vermosh.