Aleksandër Sergejeviç Pushkin lindi në një familje oborrtare dhe vlerësohet gjerësisht, si themeluesi i letërsisë moderne ruse. Ky poet i shkëlqyer, elegant dhe romantik, u rrit në kulturën franceze dhe e njihte më së miri, si veprën e Volterit, ashtu edhe atë të La Fontenit./Konica.al
Poeti, dramaturgu dhe romancieri rus, vepra e të cilit, e ushqyer nga trashëgimia klasike evropiane, e hapur ndaj ndikimeve romantike, por shumë e lirë në zgjedhjen e temave dhe formave të saj, çliroi letërsinë ruse nga varësia e rregullave të huaja, Pushkini i ofroi letrat e fisnikërisë gjuhës ruse, duke hapur rrugën për një letërsi të madhe kombëtare me shtrirje universale.
Që prej shkollës së mesme, në Tsarskoie-Selo, Pushkini afirmoi talentin letrar. Në 1820, famën e kërkuar ia dha poema “Rusllana dhe Ludmilla” … po dhe një dëbim në Kaukaz për mendime liberale. U rikthye falë carit Nikolas I në 1826, ku rigjeti jetën shoqërore të Moskës dhe në veçanti botoi dramën kombëtare “Boris Godunovi”.
Natalia Gontaçarova, me të cilën u martua në 1831, duhej ta kishte bërë atë të lumtur. Por ajo që konsiderohej si një nga gratë më të bukura në Rusi, do të ishte përfundimisht shkaku i vdekjes së tij: e mikluar nga të gjithë, përfshirë edhe nga Car Nikolas I, ajo përfundoi duke magjepsur një oficer të ri francez, Antes. Më 26 janar 1837, në Shën Petërburg, ai e sfidoi poetin në duel dhe e plagosi atë në ijë. I transportuar në shtëpi, Pushkini vdiq tri ditë më vonë pa mbushur ende 38-vjeç.
Shumë fraza të shkëlqyera të Aleksandër Pushkinit janë marrë nga poezitë e tij ose çfarë thonë personazhet e veçantë në romanet e tij. Të gjithë kanë një shenjë të veçantë: ato janë shumë të thella dhe shumë të bukura në të njëjtën kohë.
Thuajse shumicën e kohës ishte i angazhuar në çështje politike, më së shumti për arsye etike sesa për një pasion për pushtet në vetvete.
Aleksandër Pushkini shënoi një para dhe pas në letërsinë ruse. Ishte një shkrimtar vërtet i rafinuar. Si mendimtar, ai ishte një njeri përparimtar për kohën. Ai vdiq i mbushur me dyshime dhe paradoksalisht, ishte Car Nikolas I që pagoi për këto dyshime./Konica.al
***
A. P. KERNËS
Kujtoj me mall një çast gëzimi
përpara sysh m’u shfaqe ti,
si vezullim i një vegimi
si ëngjëll plot me bukuri.
N’andralla jete zhurmëkote,
në dhembje brengash e mërzi
më grishte larg fytyra jote
dhe zëri yt plot ëmbëlsi.
Nga shqot’ e kohërave që shkuan
kështjell’e ëndrrave m’u shëmb
me mjegull vitet ma mbuluan
fytyrën tënde, zërin tënd.
Ç’i ngrysa ditët gjith me brengë
i zymtë dhe në shkretëti
pa perëndi, pa shpres’e këngë
pa lotë, jet’e dashuri.
Në shpirt më shkrep agimi,
dhe ja, sërishmi m’u shfaqe ti,
si vezullim i një vegimi,
si ëngjëll plot me bukuri.
Dhe rreh me gaz kjo zemra ime
sepse iu kthyen përsëri
dhe perëndi dhe frymëzime
dhe lot jetë e dashuri. —
DEMONI
Në ditët kur së pari nisa
Të gjerën jetë ta kuptoja,
Kur shihja vashëzat e lisat,
Bilbilin natën kur dëgjoja,Kur zulma, malli dhe liria,
Dhe frymëzimi, poezia
Si zjarr e flakë e patreguar,
Në shpirt më zjejnë pa pushuar,Kur brenga dhe mundim’i heshtur,
Më zuri vend këtu në gji,
Më vinte plot inat pareshtur,
Këtu në zemër, një gjeni;Gjithnjë më sillte shqetësim
Çdo qeshje e tij e çdo vështrim.
Te fjalë e tijë plot me vrer
Dëgjoja të pafundmin ferr.Ai me shpifje, pa pushim,
Çdo gjë të shtrenjtë e mbulonte;
Të dlirin, t’ëmblin ëndërrim
Dhe frymëzimin e përçmonte;S’besonte dashuri, liri,
Jetën ai gjithnjë e përqeshte;
Mbi dhé, për asnjë bukuri,
Të thurte lavd ai nuk deshte. —
*Poezitë, përkthim i Jorgo Bllacit