MENU
klinika

Synimi i dytë për të blerë prona

Turistët serbë në Shqipëri jo vetëm për të pushuar

10.08.2021 - 17:39

Këtë verë, Shqipëria mund të mos ketë parë turistë të shumtë nga Gjermania dhe Polonia, por është vizituar ngë një fluks i papritur i turistëve serbë.

Të nxitur nga kufizimet e udhëtimit për shkak të pandemisë, mijëra serbë kanë zgjedhur të pushojnë në vendin tonë, pavarësisht deklaratave anti-shqiptare të disa politikanëve në Serbi. Madje, sipas mediave në Beograd, së bashku me numrin e turistëve, po rritet edhe numri i serbëve që duan të investojnë në Shqipëri për shkak të çmimeve të favorshme

Të dhënat zyrtare nga Beogradi tregojnë se interesimi i qytetarëve serbë për pushimet verore në Shqipëri është në rritje, pasi turistët që udhëtonin vitet e kaluara drejt vendeve si Greqia, Qipro apo Malta, po shohin Shqipërinë si alternativën më të mirë të pushimeve, jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike, por edhe mungesës së kufizimeve në kufi.

Mediat në Serbi shkruajnë se turistët që kanë vizituar vendin tonë përgjatë korrikut flasim për eksperienca pozitive dhe shprehin dëshirën të rikthehen sërish vitin e ardhshëm,. Madje, gazeta serbe “Blic”, shkruan se bregdeti shqiptar, tashmë nuk shihet nga qytetarët serbë vetëm si një vend ku dëshirojnë të pushojnë, por edhe për të investuar.

“Blic” bën një krahasim të bregdetit shqiptar me atë të Malit të Zi në periudhën kur rusët paguanin shtrenjtë për çdo metër katror që mund të blinin atje.

“Shqipëria ofron çmime të lira jo vetëm për të pushuar, pro edhe për të investuar. Kohët e fundit qytetarët kanë një dëshirë të madhe që të blenë prona pranë bregdetit ose dhe fare pranë tij”, shkruan “Blic”.

Vendi ynë sipas mediave konsiderohet si një mundësi e mirë investimi, pasi “30 metër katror në breg të detit mund të blihen me 20 mijë euro”, një çmim i mirë krahasuar me vendet e tjera, si Turqia, Mali i Zi apo Kroacia.

Asociacioni Kombëtar i Agjencive Turistike të Serbisë (JUTA) thotë se numri i turistëve serbë në Shqipëri është rreth 100 për qind më i lartë krahasuar me vitin e kaluar.Shifrat e larta vijnë ndërkohë që Serbi ka pasur edhe një fushatë negative për Shqipërinë.

Dragan Markoviç Palma, udhëheqës i Partisë Serbia e Bashkuar dhe deputet në Parlamentin e Serbisë, ka këshilluar haptazi qytetarët që të mos shkojnë “për një coca-cola më të lirë në Shqipëri”.

Në faqen e partisë së tij, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në Serbi, Markoviç citohet të ketë thënë se Shqipëria është “fajtore dhe nxitëse e gjithçkaje që shqiptarët e Kosovës u kanë bërë serbëve në Kosovë”.

Por, shumë nga serbët që kanë zgjedhur bregdetin shqiptar këtë vit, kanë injoruar këshillat e tij. Interesimi i qytetarëve serbë për destinacionet në bregdetin shqiptar është rritur ndjeshëm në vitin 2020.

“Para kësaj kohe, në vitin 2018 dhe 2019, ka pasur midis 3 mijë dhe 5-6 mijë turistë nga Serbia në Shqipëri, kryesisht nga jugu i Serbisë dhe rrethinat e Novi Pazarit”, thotë drejtori i Shoqatës Serbe të Agjencive të Udhëtimit, Aleksandër Seniçiç. Ai thotë se vitin e kaluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit, Shqipëria ka qenë një nga vendet e pakta të hapura për qytetarët e Serbisë.

Sipas tij, përvojat e atyre që kanë vendosur ta kalojnë verën në Shqipëri në atë kohë, janë të mira, dhe fakti që nuk kërkohen dokumente shtesë për qytetarët e Serbisë as këtë vit, janë arsye për rritjen e interesimit. “Deri në këtë moment, ne kemi rreth 100 për qind më shumë turistë që shkojnë drejt Shqipërisë se vitin e kaluar, i cili ka qenë më i mirë në krahasim me vitet 2018 dhe 2019. Vitin e kaluar, kemi regjistruar rreth 20,000 turistë nga Serbia në Shqipëri”, thotë Seniçiç.

Nëse trendi vazhdon, sipas tij, Shqipëria mund të presë rreth 60-70 mijë turistë nga Serbia deri në fund të sezonit.

Që nga janari i këtij viti, qytetarët serbë mund të udhëtojnë në Shqipëri vetëm me kartën biometrike të identitetit. Kjo vlen edhe për hyrjen e shtetasve shqiptarë në Serbi. Kjo është bërë e mundur me marrëveshjen ndërshtetërore që qeveritë e këtyre dy vendeve e kanë arritur në kuadër të Mini-Shengenit Ballkanik.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kanë nënshkruar një marrëveshje për lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.

Nga 1 korriku janë hequr edhe tarifat e roaming-ut midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Boris Firicki, administrator i faqes Albanija.rs, i cili promovon ofertat turistike të Shqipërisë, është i bindur se ana pozitive e vendit tonë, do të dëgjohet gjithnjë e më shumë.

“Dhjetëra e qindra deklarata të zotit Markoviç absolutisht nuk mund të jenë më të zëshme dhe më të fuqishme se dhjetëra mijëra turistë që kanë qenë tashmë këtë vit në Shqipëri dhe pothuajse gjysmë milioni njerëz që kanë qenë në pesë vjetët e fundit”, thotë Firicki.

Ueb-faqja Albanija.rs është themeluar në vitin 2019 dhe i inkurajon në mënyrë aktive qytetarët e Serbisë që të vizitojnë Shqipërinë. Firicki, 25 vjeç, thotë se motiv i tij ka qenë njohja dhe afrimi përmes një sfere neutrale si turizmi.

“Unë jam i sigurt se kontaktet e drejtpërdrejta të njerëzve, të cilët kanë paragjykime në njëfarë mënyre, nga cilado anë, do të kontribuojnë për një rajon shumë më të mirë në të ardhmen”, thotë Firicki.

Burimet: “Blic”, “B92”, “REL”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Mos shkoni për një Coca-Cola më të lirë…”

Serbët injorojnë politikën, zgjedhin pushimet në Shqipëri

Mediat: Shqipëria ofron çmime të lira...

Bregdeti shqiptar në fokus të serbëve

Problematikat pas pandemisë

Ringritja e vështirë e turizmit

"Pushuesit të mahnitur nga plazhet dhe mikpritja"

Mediat serbe: Shqipëria është kthyer në destinacion turistik për ne