Agjentët e fshehtë amerikanë kanë hyrë në bazat e të dhënave kineze si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për të zbuluar si nisi shpërthimi i pandemisë globale të koronavirusit.
CNN njoftoi se agjencitë amerikane të zbulimit po kërkojnë nëpër një “thesar” të të dhënave gjenetike, i cili përmban skica gjenetike të nxjerra nga mostrat e viruseve të studiuara në një laborator në Wuhan të Kinës.
Sipas CNN-it, është e paqartë se si shërbimet e zbulimit e morën në dorë këtë informacion, i cili zakonisht mbahet në kompjute të lidhur me serverët e bazuar në informatikën cloud, “duke lënë të hapur mundësinë që ndaj tyre të ushtrohet pirateri kibernetike”.
Hetimet në vazhdim të shërbimeve të fshehta amerikane nuk kanë dhënë ende detaje ose prova për të ashtuquajturën “teori të daljes prej laboratorit”. Pritet që pas marrjes së këtij thesari informativ, shërbimet sekrete amerikane të paraqesin në Kongres, përfundimet që hedhin dritë mbi origjinën e koronavirusit të ri Sars-Cov-2 dhe mënyrës sesi ai u përhap me shpejtësi nëpër botë.
Më herët, disa analistë në Pekin kërkuan që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të hetojnë laboratorin e universitetit të Karolinës së Veriut për origjinën e Covid-19. Ata theksuan se në atë laborator, ku studiohen koronavirusët nga lakuriqët e natës, ka pasur disa incidente.
Komisioni i Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan publikoi një shtojcë të raportit për origjinën e Covid-19, duke theksuar se ka prova që vërtetojnë se doli nga Instituti i Virologjisë në Wuhan.
Por ky përfundim bie në kundërshtim me hetimin e kryer nga ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që përjashtoi mundësinë që virusi të ketë dalë nga një laborator. Megjithatë OBSH ka kërkuar të bëjë një investigim të detajuar mbi këtë pistë, por është kundërshtuar nga Kina.