Vajza e këndshme dhe e bukur, ëngjëllore përsa mund të shquhej nga shqisat, njëlloj si në fytyrë, njëlloj dhe në zë, atë çfarë i njohëm më së miri.
Një apasionatë e veçantë dedikuar tingujve në tërësi, dhe këngës në veçanti.
Madhështorja Anita Bitri, jehonë, jo e një festivali e as disave por në tërësi të të gjithave, duke mos munguar në asnjë prej tyre.
Duke tentuar të ishte në hapat e idhullit të saj Vaçes së madhe, mbase ajo u shndërrua padashur dhe në një formë të këndshme në një tjetër trofe të Shqipërisë për t’u adhuruar në mënyrë të mëvetësishme.
Talenti dhe vëmendja që ajo tërhoqi në një fare mënyre e futi në kuadratin e një tabloje që ende nuk ishte e vendosur në muret e të maddhes kështjellë të muzikës shqipe.
Magjia e saj nisi në shpirtin prej fëmije, aty nëpër ato ëndrra ajo kishte marrë miratimin e liderave të talenteve, të udhëheqësve të veshit muzikor.
Një gjeni që vetëm një 1% e bëri mjeshtre, 99 të tjerat ishin të sajat, të buruara, pa nevojë të mësoheshin.
Këtë 99%, ajo e konsideroi si diçka të dhuruar nga zoti, “zoti” asokohe ishte rebelizëm, pikërisht feja e ndaluar dhe Anita nisi të studionte dhe besonte në ekzistencën e zotit.
Një zë që vitet e para i treti duke lindur dhe thurur tingullin ndër telat e violinës, teksa zoti i saj paskësh rezervuar një hyrje në mënyrë aksidentale në karrierën e madhe që do ndërtonte në vijim.
Ashtu aksidentalisht u gjend në një skenë për të zëvendësuar këngëtarin e sëmurur, dhe pa kuptuar kishte marrë një kënd tjetër në skenë.
Deri më atëherë qëndronte si një violiniste e shkëlqyer e tashmë u bë zëri i mahnitshëm që elektrizoi sallën nga duartrokitjet.
Kështu Anita Bitri u shndërrua në kërcënimin e çmimeve.
Festivalet e Radio Televizionit Shqiptar nuk kishin të njëjtën frymë nëse Bitri do të mungonte.
“Anita” më tej u bë titulli i koncerteve të saj recital.
Konfirmimi i saj si këngëtare vit pas viti, ndërtoi dhe diapazonin e saj të gjerë brenda fushës, dhe në Shqipërinë pa kufi.
Pas rënies së regjimit komunist, dhe hapjes së kufijve, Anitës ju ofrua mundësia të dilte jashtë trojeve, dhe ftesa drejt SHBA-së e mori atë përfundimisht.
Largimi i saj nuk ja ndali hovin por vetëm e përsosi atë ende më shumë, e lidhi atë ngushtë e më ngushtë me problemet e diasporës shqiptare, e ndihmoi në këtë mënyrë në rritjen e prestigjit të artit shqiptar.
Më e fortë se më parë, Bitri u kthye me fuqinë e patriotes me plot koncerte dhe aktivitete bamirësie.
Shpërblim i kësaj të fundit, veç mirënjohjes dhe nderimeve, mori dhe respektin e presidentit Mejdani, për dedikimin e zërit të saj çështjes shqiptare.
Një gjeni i muzikës, mjeshtre e këngës, në perfeksion me pianon dhe violinën, këto degë që rriteshin nga rrënja e talentit të saj i dhanë kurorën në karrierë, duke arritur të konsiderohej si një kantautore e mirëfilltë.
Madje ndër këto hapa në vitin 2004 Anita realizoi albumin e saj Çdo gjë është e mundur,si një frut i gjithë eksperiencës dhe pjekurisë artistike.
Veprimtaria e Anita Bitrit:
-Më 1999 Anita realizoi albumin e parë me këngë “Malli” duke bërë promovimin e këtij albumi në mjediset e veta në New York.
-5 prilli i vitit 1999 solli dhe daljen në skenat e Broadway-it të Anitës, jo vetëm si këngëtare por edhe si violiniste në koncertin e organizuar nga Organizata “Madre”, mjaft e njohur në Amerikë.
-12 gusht 1999, Anita shpalosi vlerat e jashtëzakonshme të muzikës së bukur shqiptare para të gjithë ambasadorëve të botës, në mbrëmjen e organizuar nga Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara.
-dhjetori i vitit 1999 solli për Anitën fitimin e konkursit të zhvilluar nga kompania amerikane C.P.V. për të kënduar dy këngë në programet e tyre televizive.
-Vera e vitit 2000 ishte e shoqëruar me koncertet e saj recitale bashkë me aktorin dhe regjizorin e njohur Koço Devole në shumë shtete të Amerikës.
-12 nëntori 2000 sjell prezantimin e Anitës si këngëtare dhe violiniste, në koncertin e madh në New York, së bashku me Inva Mulën, Piro Çakon dhe Silvana Braçen.
-26 nëntor 2000, në 9-vjetorin e gazetës “Illyria”, Anita e bëri më tërheqës këtë koncert, duke kombinuar zërin e saj magjik me lojën me violinë.
-Viti 2001, ftohet për të prezantuar muzikën shqiptare në një koncert të përbashkët amerikan-shqiptar-turk, ku shpaloseshin vlerat artistike të këtyre 3 vendeve, ku prezantohet me një nga kompozitoret me famë në Amerikë, Tina Shaffer (kompozitore e Sellin Dionit, Dona Sammer, Betty Midler etj). Tina e vlerësoi zërin e Anitës si “një zë ëngjëllor që zbret nga qielli”.
-Viti 2002, po hapte një rrugë të re në artin e Diasporës Shqiptare. Ajo po bënte gërshetimin e muzikës sonë të bukur shqiptare me Pop-in amerikan.
-24 janari 2003 nisi me pjesëmarrjen e Anitës në një nga koncertet më të mëdha të komunitetit shqiptar, ku prezantoi muzikën e lehtë shqiptare përkrah këngëtarëve kosovarë dhe maqedonas.
-Vitet 2003-2004 ishin vite tepër të rëndësishme për rritjen artistike të Anitës. Gjatë kësaj periudhe ajo shpalosi vlerat e artit dhe të muzikës shqiptare në kufijtë e Amerikës.
Një ndër episodet më të lumtura të saj ajo konsideronte ardhjen në jetë të së bijës, por kur kujton tragjedinë e ndodhur, ai mbetet vetëm një episod i shkurtër që përfundoi në mënyrë të trishtë.
Bitrit ju mor jeta në një mënyrë të padrejtë, ashtu siç hyri në këngë, aksidentalisht.
Tragjedia që tronditi jo vetëm familjen e saj, jo vetëm shqiptarët, por gjithë New York-un.
Ajo ndërroi jetë në moshën 38-vjeçare, përkatësisht në tetorin e vitit 2004, si pasojë e një helmimi vdekjeprurës, i cili la me pasojë vdekjen dhe nënën e vajzën e saj 7- vjeçare.
Helmimi edhi nga niveli i lartë i monoksidit të karbonit, prej të cilit mjaftonin disa frymëmarrje për të rënë në tokë.
Ndërkohë Anita kishte humbur dhe bashkëshortin e saj vetëm pak javë më parë për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme.
Për vdekjen e saj u hidhëruan shumë, të afërm, miq e kolegë, që kishin punuar dhe mësuar gjatë jetës me të.
Poeti Agim Doçi, shprehej se e kishte si të bijën e tij, e njëjtë ishte dhimbja për të, aq sa shkroi dhe një poezi kushtuar humbjes së saj:
Nëse ju merr malli për mua
Dilni mes njerzve dhe më kërkoni!
Me këngë në buzë tërë jetën dua
të jem pranë jush…sa më mungoni.
Nëse ju merr malli… mos qani!
Radio Tiranën paksa dëgjoni!…
Dhe një minut heshtje të mbani
Unë do ju ndjej! Mos më harroni…!
Endrra e jetës seç u helmua
Tok me Siborën nga ju u ndava…
As një pik lot, të rjedh nuk dua
Se larg prej jush unë vetëm qava…
Ja ky ish fati…s’kam çfar të them!
Askush prej jush s’mund ta besoj.
Po më kërkove shpirtin ma gjen
Këngës shqiptare do ti mungoj…
Do ti mungoj njerzve të dashur
Do ti mungoj dhe Tokës Mëmë
Ika në gjumë…endërr përflakur
Por do më gjeni vetëm në këngë!
Kur dimri i bardhë do derdhë dëborën
Kur një hartim do bëjnë fëmijtë
Dhe kur në tren dikush prek dorën
Do vij t’u sjell gjithë dashuritë!
Ika pra ika, ky ishte fati…
Hyra në endrrën që s’ka mbarim!
Udhtimi jetës kaq shkurt më zgjati?…
Veç këngën time…ju lë kujtim!
Këto vargje i shkrova ngutshëm…dhimbshëm…shpirtërisht.
/ Bionelda Skonja