MENU
klinika

Strehimi i afganëve/ Vendimi përplas kreun e qeverisë me komentuesit në rrjete

Rama për “The Guardian”: Dua t’u jap mundësinë së paku të marrin frymë

17.08.2021 - 08:57

Vendimi i qeverisëmi  shqiptare për të mikpritur qindra shtetas afganë përkohësisht në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen e prestigjiozes “The Guardian”, e cila ka zhvilluar një intervistë me Kryeministrin Rama.

Ky i fundit ka treguar se Shqipëria i ka ende të memorie vuajtjet e diktaturës. E teksa shton se Shqipëria si vend i vogël nuk mund të zgjidh problemin në Afganistan, Kryeministri thotë se të paktën të mos bëhemi problem dhe të solidarizohemi me njerëzit në nevojë. Më tej, ai ka shprehur keqardhjen për pamjet që kanë ardhur nga mediat ndërkombëtare dhe duke pasur kompetencat thotë se do t’u japë njerëzve që do të mikpresë Shqipëria mundësinë e frymëmarrjes.

“Unë jam i shkatërruar kur shoh njerëz të lënë pas dhe dua t’u jap atyre të paktën mundësinë për të marrë frymë përsëri. Ne e dimë se si është të jetosh nën një diktaturë dhe si është të jesh i huaj që kërkon strehim diku. Bëhet fjalë për ata që jemi, është nder dhe detyrë ta bësh këtë”, tha Kryeministri, Edi Rama, për “The Guardian”. Më tej, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se nuk i kupton vendet e pasura, të cilat kanë refuzuar që të strehojnë afganët përkohësisht.

“Nuk e kuptoj sesi vendet e pasura kthejnë shpinën. Kjo përplaset me vlerat që ne të gjithë predikojmë. Shqipëria nuk mund ta zgjidhë problemin, por ne gjithashtu nuk duam të jemi pjesë e tij”, u shpreh më tej Rama. Më tej në shkrimin e saj, “The Guardian” thotë se rënia e Kabulit ka rihapur debatin për ndarjen e emigranteve në vendet evropiane, ndërsa udhëheqësit e qeverive po përgatiten për një rritje të pashmangshme të refugjatëve. Mijëra afganë, mes tyre Presidenti Ashraf Ghani nxituan në aeroportin e Kabulit në përpjekje për të ikur nga Afganistani pasi talebanët morën kontrollin e kryeqytetit. Tri persona raportohet të kenë vdekur si pasojë e kaosit në aeroport.

REPLIKAT ME QYTETARËT

Por më herët kreu i qeverisë gjatë ditës së djeshme ka replikuar me ndjekësit e tij në rrjete sociale, të cilët kërkonin llogari se përse e ka marrë vendimin pa konsultuar me askënd. Qytetari përmes një komenti në “Facebook”, i thotë Kryeministrit që të mos e trajtojë Shqipërinë sikur e ka pronën e vetë. “O Edi, ti po sillesh sikur ta kesh çliruar ti këtë vend dhe po e përdor sikur të jetë pronë e jotja. Nuk jam kundër emigrantëve, po jam kundër sjelljes tënde.

Të duket vetja se je baba i gjithë kombit dhe i merr vendimet vetë pa e diskutuar me njeri, mos harro se nuk ashtë pronë e jotja Shqipëria, kanë luftuar të tjerë, ti e gjete gati prandaj çdo vendim që ka të bëjë me të ardhmen e shqiptarëve mos e merr me kokën tanë”, shkruan Qemal Pirra. Por pa shumë argumentim, kreu i qeverisë i kujtoi qytetarit se ai sapo ka marrë miratimin e shumicës së qytetarëve për të marrë të tilla vendime. “Qemal Pirra jo aspak, vendimet i marrim me autorizimin e popullit që na dha për të tretën herë besimin që të bëjmë pikërisht ketë, të marrim vendime e të bëjmë më të mirën për Shqipërinë!”, i kthehet Rama.

Ndërsa duke iu përgjigjur një tjetër komentuesi që sipas deklaratës së qytetarit vetë prej 30 vitesh jeton në emigrim, Rama sqaron se personat që do të strehohen në Shqipëri nuk do të qëndrojnë për shumë gjatë këtu, por derisa të bëhen verifikimet e dokumenteve për t’u larguar në SHBA. “Ata nuk do të qëndrojnë në Shqipëri, po do të largohen për në SHBA pasi t’u jetë bërë i gjithë dokumentacioni për të jetuar atje”, shkroi Rama në “Fa- cebook”, duke iu përgjigjur qytetarit.

“Shkalla e papunësisë në Shqipëri është më e ulëta në rajon thotë Banka Botërore. Sa për emergjencën sociale pa precedent, Shqipëria s’ka qene asnjëherë më mirë dje se sa sot dhe shumë më mirë duhet e do të bëhet. Këto janë faktet, të tjerat janë opinione”, shton Rama.

SA DO STREHOJË SHQIPËRIA

Ndërkohë, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, përmes një postimi në “Twitter”, tregoi se Shqipëria është e gatshme të presë disa qindra afganë që të strehohen përkohësisht në Shqipëri. Ndërsa shpërndau një postim të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Xhaçka deklaron: “Shqipëria është e gatshme të presë qindra afganë, jeta e të cilëve kërcënohet nga përkeqësimi i situatës së sigurisë. Ne qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë, të gatshëm për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre”. Në deklaratën e Blinken-it thuhet: “SHBA-ja pajtohet me komunitetin ndërkombëtar në pohimin se afganët dhe qytetarët ndërkombëtarë që dëshirojnë të largohen duhet të lejohen ta bëjnë këtë. Rrugët, aeroportet dhe vendkalimet kufitare duhet të qëndrojnë të hapura dhe të ruhet qetësia”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Strehimi i afganëve nga Shqipëria dhe Kosova

DASH: I treguat botës së çfarë nënkupton besa

Gazetarët dhe anëtarët e shoqërisë civile në konviktet e shkollave dhe në hotele

Shqipëria do të presë mbi 2 mijë afganë, mbërrin sot grupi i parë

“Nuk do t’i themi jo Amerikës për afganët”

Edi Rama zbulon kërkesën e administratës Biden për Shqipërinë

Strehimi i afganëve në Kosovë, detaje rreth bisedimeve

Qeveria Kurti në komunikim me SHBA që prej korrikut