MENU
klinika

"Dëshmuan lidership në nivel global"

Kosnett: Falendëroj Kosovën në emër të Amerikës

17.08.2021 - 12:57

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett ka falenderuar qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë që të pranojnë refugjatët afganë raporton Gazeta Express.

Përmes një postimi në Twitter, Kosnett ka shkruar se Kosova edhe njëherë ka shfaqur lidership në nivel global.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, falenderimet e mia më të thella për qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë e juaj për t’ju ofruar strehë partnerëve tanë afganë në udhëtimin e tyre drejt një jetë të re. Edhe njëherë, Kosova demonstron lidership në nivel global”, ka shkruar Kosnett.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visas (Vizave të Veçanta Imigruese) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre.

Në komunikatën e Qeverisë bëhet e ditur se këta persona do t’i nënshtrohen verifikimit nga institucionet e sigurisë.

“Qeveria e vlerëson të nevojshëm ofrimin e mbrojtjes së përkohshme e të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan. Këta persona do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga institucionet relevante të sigurisë në Republikën e Kosovës, në rast të nevojës e në qëllim të sigurisë kombëtare, sipas vlerësimit të institucioneve relevante në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Personat nën mbrojtje sipas vendimit të Qeverisë, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara sipas Ligjit për Azil.

​Dje, institucionet në Kosovë janë shprehur të gatshme të strehojnë qytetarët afganë, pas komunikimeve që ata thonë kanë pasur me autoritetet amerikane.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit Joe Biden, që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo thotë se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”.

Në Afganistan, militantët talibanë kanë marrë kontrollin e shtetit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albin Kurti flet për strehimin e afganëve

“Prej një muaji po përgatitemi me SHBA…”


Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat