Shqipëria dhe Kosova shpallën qëndrimin e tyre publik në favor të pritjes së përkohshme të qytetarëve afganë që kanë punuar me forcat e SHBA dhe NATO-s dhe janë të rrezikuar për ketë shkak nga hakmarrja e dhunshme e forcave talebane, që u kthyen me armë në dorë pas njëzet vjetësh në pallatet e pushtetit në Afganistan. Janë vendimet më të natyrshme të shteteve respektive.
E kundërta është e paimagjinueshme. Jo vetëm sepse kërkesa vjen nga aleati ynë strategjik SHBA, me të cilin garantojmë çështjet jetike të pavarësisë dhe sigurisë së dy vendeve dhe ndajmë sfidat e forcimit të demokracisë, por edhe për një mori arsyeshëm të tjera komplementare me të mësipërmen, të cilat lidhen me detyrimet që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare, me traditat tona historike, me fatin tonë si popull e të tjerë.
Në fakt, asnjë prej zyrtarëve dhe politikaneve të Shqipërisë dhe të Kosovës në pushtet apo në opozitë, nuk është dëgjuar të ketë pasur mëdyshjen me të vogël për t’i thënë “po” pritjes së afganëve në rrezik. Më erdhi shumë mirë kur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mësuam se ai e kishte ngritur në samitin e fundit të NATO-s problemin e evakuimit të tyre dhe kishte shfaqur gatishmërinë e Shqipërisë për të marrë pjesën e saj të barrës.
Sipas rastit, etika sugjeron apo dikton informimin nga Kryeministri të opozitës dhe institucioneve kryesore të shtetit, përfshirjen e tyre në vendimmarrje të tilla. Por kur është fjala për detyrime që na lindin nga pjesëmarrja në operacionet ndërkombëtare të SHBA dhe NATO-s apo për vepra që nderojnë traditën tonë të hapjes së dyerve për njerëzit në rrezik e nevojë, çdo Kryeministër shqiptar e ka “lejen” në xhep për të qenë i hapur, për të thënë “po”. Gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria ka marrë përsipër detyrime ndërkombëtare më të ndërlikuara, që kanë lindur kryesisht nga angazhimet amerikane për paqen në botë. Ka qenë më e pakta që mund të bënin për gjithë çfarë kemi përfituar si komb nga partneriteti strategjik me SHBA. Barra për të mbajtur përkohësisht një numër shtetasish afganë më duket më e lehta nga pikëpamja e angazhimit dhe ekspozimit. Shqipëria dhe Kosova mund t’i mbajnë madje për një periudhë edhe me të gjatë se sa parashikon “përkohshmëria”. Fjala “përkohshmëri” nuk ka përse të theksohet me tendencë, siç e shohim aty këtu. Të mos mendojë njeri as në qeverinë e Tiranë, as të Kosovës, se shumica dërmuese e qytetarëve repektivë kanë ndonjë hezitim për t’i mirëpritur sa të jetë e nevojshme këta të huaj.
Thënë këto, gjithkush mund të ketë vënë re se edhe një akt humanitar, siç është strehimi i afganëve në rrezik, Kryeministri Edi Rama e kaloi, do thosha brutalisht, në makinerinë e tij të të menduarit propagandistik me qëllim që ta shesë në tregun politik vendas e me gjerë, duke u shfaqur sikur është i vetëm dhe i rrethuar me shumë kundërshti, por është i vendosur ta marrë dhe zbatojë me çdo çmim në këtë vendim të vështirë! Për rrjedhim partnerët amerikanë do ta çmojnë e mbështesin edhe më shumë.
Shikoni tekstin e tij të shpalljes publike të kërkesës amerikane. Një tekst që rreket ta kapë problemin gjerë, sikur ka një refuzim të madh në publik dhe Kryeministri thërret në ndihmë historinë duke evokuar shembullin e strehimit dhe fshehjes së disa hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, shembull vërtet i shkëlqyer, por pa lidhje në shumë pikëpamje me rastin e afganëve që vijnë të organizuar nën mbrojtjen e SHBA-së. Po të ishte fjala për një paralele historike nga Lufta e Dytë Botërore, shembulli shqiptar më afër shembullit afgan do të ishte fati tragjik i shumë familjeve dhe individëve që u kapen në çark nga forcat partizane dhe e paguan shtrenjtë bashkëpunimin e tyre me anglezët dhe amerikanët.
Referimi libreskt i shembullit të hebrenjve stonon gjithsesi më pak se pjesa tjetër e tekstit kur Kryeministri pushtohet si shpeshherë prej publicistit invadent dhe fillon e shfryn kundër “llumit njerëzor që po zien”, kundësh “sharjeve e mallkimeve” e tjerë, e tjerë, e tjerë. Një shfrim që përcjell përshtypjen e një kundërshtimi shumë të madh të marrjes së afganëve. Çfarë nuk është e vërtetë. Shumica dërmuese e qytetarëve shqiptare nuk kanë asnjë problem, madje janë të gatshëm e të nderuar të presin edhe në shtëpitë e tyre njerëz në fatkeqësi. Ka sigurisht individë që për arsye të ndryshme dhe kryesisht duke dashur të kontestojnë Ramën, shprehen kundër pranimit të afganëve. Po të thotë Rama nuk i marr, ata sërish do t’i hidheshin në grykë, duke e akuzuar si të pashpirt. Ata janë pakicë. Rama referon në tekstin e tij një masë kundërshtimi të tepruar për të dalë aty ku i intereson, sikur është ai që po e rrëzon murin e kundështimit.
Stonatura e tekstit të Ramës del më mirë në pah kur e krahason me tekstin e njoftimit që lëshoi për të njëjtën çështje Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani. Nga teksti i saj morëm vesh se kërkesa amerikane u është bërë përfaqësueseve të lartë të shtetit të Kosovës një muaj më parë, më 16 korrik, përmes ambasadorit Filiph Kosmett. (Rama nuk e dinte deri para dy-tri ditësh, siç pohon vetë në tekstin e tij). Zonja Osmani rrëfen se nuk ka pasur asnjë hezitim për t’i thënë “po” kërkesës amerikane. Një muaj më vonë, ajo shpall me një gjuhë të thjeshtë qëndrimin zyrtar të shtetit të Kosovës, duke referuar me saktësi bazamentin njerëzor, juridik dhe politik të vendimit për t’u hapur dyert afganëve.
Nuk ka dyshim se ka edhe në Kosovë individë apo grupe që janë kundër këtij vendimi. Një pjesë prej tyre pluskojnë kryesisht në rrjete me një fjalor shpeshherë vulgar. Por nuk bëhet fjalë që kryetarja e shtetit të Kosovës t’u kushtojë qoftë edhe një rresht të vetëm në shpalljen e saj. Edhe ku evokon me disa rreshta dëbimin millosheviçian të mijëra e mijëra qytetarëve kosovarë para me shumë se dy dekadash, ajo e bën pa nënkuptuar ndonjë kundërshtim, por thjesht për të lidhur historitë- kjo duket qartë.
Stonatura të tilla po bëhen e do të vijnë duke u bërë gjithnjë e më të shpeshta për Kryeministrin e Shqipërisë. Në raport me opinion publik vendas dhe me partnerët. Si të gjithë të vetëkënaqurit në pushtet, Rama duket i kurdisur në të menduarit propagandistik, që vjen e behët gjithnjë e më i shpëlarë.