MENU
klinika

Disa këshilla

Si të ndiqni siç duhet regjimin e shtratit në shtatzëni?

17.08.2021 - 18:32

Për shkak të komplikacioneve që mund të keni gjatë shtatzënisë, mjeku mund t’ju rekomandojë regjim shtrati, që mund t’ju duket e mrekullueshme. Ju do të pushoni, kurse të afërmit tuaj do t’ju bëjnë çdo gjë gati.

Në fillim mund t’ju duket rehat, por më pas do të përballeni me realitetin. Nuk mund të shkoni në punë, të pastroni kopshtin ose të luani me fëmijët. Nuk mund të bëni pazar, të shëtisni ose të takoheni me shoqet. Si mund ta shfrytëzoni sa më mirë këtë situatë?

Përqendrohuni në faktin se po bëni më të mirën për vete dhe foshnjën, në të kundërt, mjeku nuk do t’ju kishte rekomanduar regjim shtrati. Ky regjim është i rëndësishëm pasi mund:
 të zbutë shtypjen që fetusi ushtron mbi legen, si dhe tendosjen e qafës së mitrës, e cila mund të shkaktojë kontraktime para kohe dhe dështim;
 të rrisë qarkullimin e gjakut në placentë, duke bërë që fetusi të marrë sasinë maksimale të lëndëve ushqyese dhe të oksigjenit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, kur ai nuk po zhvillohet aq shpejt sa duhet;
 të stimulojë funksionimin e duhur të organeve, veçanërisht të zemrës dhe veshkave që të funksionojnë në mënyrë më efikase, duke shmangur problemet me tensionin e lartë.
Këshillohuni me mjekun për të kuptuar se çfarë duhet dhe nuk duhet të bëni. Bëjini pyetje si:
 Në ç’pozicion duhet të qëndroj kur të shtrihem?
 Mund të rri ulur? Nëse po, sa gjatë mund të rri për njëfarë kohe?
 A mund të çohem për të shkuar në tualet?
 A është e ndaluar veprimtaria seksuale?
 A më lejohet ndonjë lloj veprimtarie fizike?
 Ndërkohë që jam në shtrat, a mund të bëj ndonjë ushtrim gjimnastikor?

Këshilla për regjimin e shtratit. Për ta kaluar sa më lehtë regjimin e shtratit, ndiqni këshillat e mëposhtme.
 Riorganizojeni dhomën e gjumit, që gjithçka që ju nevojitet ta keni pranë shtratit dhe ta arrini pa u ngritur.
 Organizojeni ditën. Planifikoni orë të caktuara për të telefonuar në zyrë, për t’u lidhur me partnerin, për të parë televizor, për të lexuar dhe kështu me radhë.
 Merruni me diçka të re, si krijimi i një albumi me mozaikë, mund të pikturoni ose të thurni me shtiza.
 Mësoni teknikat e relaksimit dhe të meditimit. Ato do t’ju ndihmojnë jo vetëm gjatë kohës që jeni me regjim shtrati, por edhe gjatë dhimbjeve dhe procesit të lindjes.
 Plotësoni fjalëkryqe.
 Shkruajuni mesazhe miqve ose merrini në telefon.
 Ndihmojini të afërmit tuaj që të jenë sa më të organizuar. Bëni menu javore, paguani faturat në internet dhe kontrolloni bllokun e çeqeve.
 Mundohuni të lexoni libra, revista ose gazeta që zakonisht nuk i blini.
 Planifikoni lindjen e foshnjës duke blerë të gjitha gjërat e nevojshme, ose përmes internetit ose nga katalogë të ndryshëm.

Marre nga libri “Udherrefyes per nje shtatzeni te shendetshme’