MENU
klinika

Mero Baze

Pse ka kaq frustrim rreth ‘afganëve’ në Tiranë?

18.08.2021 - 19:59

Në Tiranë nuk ka urrejtje për afganët. Nuk ka as racizëm në kuptimin e pastër ndaj tyre. Por ka një frustrim të madh, pse ata po vijnë, kush po i sjell, sa janë, sa do të rrijnë, kur do të ikin etj.

Edhe pse kryetari formal i opozitës Lulzim Basha ka bërë një deklaratë publike, që është dakord me ardhjen e tyre për të mos e bërë politike problemin, përsëri ai ekziston dhe ekziston në formën e tij politike.

Frustrimi nuk është me afganët, por me Edi Ramën. Është një frustrim që vjen nga dy përvoja të mëparshme të kundërshtarëve të tij, rreth tërmetit dhe pandemisë.

Në të dyja krizat, u tentua që fatkeqësia të përdorej politikisht dhe u përdor. Por në finale nga ky përdorim fitoi Edi Rama.

Menaxhimi i tërmetit bëri me shtëpi të reja rreth 5 mijë familje shqiptare, mijëra të tjera përfituan fonde direkt për rinovim të shtëpive dhe në disa qytete ka ndodhur një transformim urban, që do t’i shërbejë Shqipërisë në vite si model.

E njëjta gjë ndodhi me pandeminë. Edhe pse Qeveria mund të ketë bërë plot gabime në menaxhim, pasi gaboi thuajse çdo qeveri e botës, pandemia u menaxhua dhe Shqipëria pas pranverës ishte vendi me më pak shifra në botë dhe vazhdon të përballojë agresionin e versionit delta falë vaksinimit dhe imunitetit të tufës.

Propaganda shpesh makabre opozitare për të ngjallur panik, për të shpikur vdekje dhe për të destabilizuar situatën dështoi.

Kriza e afganëve prodhon frustrim vetëm për këtë shkak. Të gjithë kundërshtarët e Edi Ramës mendojnë se ky është rasti i tretë i artë i tij dhe po përpiqen të sulmojnë me gjëra banale.

Njëra pikë është që e bën këtë se do ta ketë mirë me SHBA. Kjo për Edi Ramën nuk është lajm. Lajm ishte për Lulzim Bashën.

Pastaj e akuzojnë si mburravec ndërkombëtar, pastaj fillojnë shikojnë ku po vendosen afganet, se mos ngacmojnë femrat shqiptare (shqiptarët e viteve 90 ishin emigrantët më të frustruar seksualisht në Evropë), dhe në fund kanë për ta akuzuar se kanë vjedhur ndihmat e dhëna për afganët, e kështu me radhë.

Nuk e kanë me afganët. As me historinë e dhimbshme të tyre. E kanë me faktin se Edi Rama po e paraqet këtë si një krizë që do ta zgjidhë ai, dhe frika e këtyre është që do ta zgjidhë.

Kaq banale është. Por qetësohuni se nuk ka zgjedhje afër dhe do të harrohet deri atëherë.