MENU
klinika

Si u zbuluan pas tri ditësh

I moshuari vrau me kallash gruan dhe veten

19.08.2021 - 12:42

Një burrë në moshë të thyer ka zgjedhur t’i japë fund jetës në një mënyrë të pazakontë në qytetin e Shkodrës, duke vrarë fillimisht bashkëshorten 83-vjeçare dhe më pas veten.

Ngjarja e rëndë është regjistruar në lagjen “Ahmet Haxhija” të qytetit verior, ku shtetasi Fadil Bandulla, 79 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armën tip automatik kallashnikov bashkëshorten, shtetasen Sanije Bandulla, 83 vjeçe. Pas aktit të rëndë, 79-vjeçari ka qëlluar me të njëjtën armë edhe në drejtim të vetes, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

NGJARJA

Krimi i rëndë i zbuluar pasditen e së mërkurës, është regjistruar katër ditë më parë, duke bërë që çifti i moshuar të qëndronin në banesën e tyre në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër, të vdekur për tri ditë pas zbulimit gjatë ditës së djeshme. Sipas dëshmive që ka arritur të mbledhë Policia, të shtënat janë dëgjuar që të dielën pasdite dhe dyshohet se dje ishte dita e tretë që çifti Bandulla ndodheshin brenda banesës të pajetë. Pavarësisht njoftimit në Polici për të shtënat gjatë së dielës, Forcat e Rendit që kanë shkuar në vendngjarje, nuk kanë konstatuar asnjë shenjë, duke arritur në përfundimin se të shtënat mund të kenë qenë në ajër.

Në këtë mënyrë, nuk është arritur të zbulohej ngjarja e rëndë. Pas tri ditësh, kanë qenë familjarët ata që kanë ngritur dyshime pasi çifti Bandulla nuk përgjigjej në telefon. Gjithashtu, fqinjët e viktimave kanë nuhatur erën e rëndë të trupave të dekompozuar, të cilët ndodheshin prej tri ditësh brenda në shtëpi. Koha e gjatë e qëndrimit dhe temperaturat e larta kanë bërë që jashtë shtëpisë së çiftit të pajetë të depërtojë era e rëndë, duke dhënë kështu alarmin. Policia ka ndërhyrë me forcë brenda banesës së mbyllur, duke gjetur çiftin e pajetë.

TË MOSHUARIT JETONIN VETËM

Çifti Bandulla ishin prindër të tre fëmijëve, dy djem dhe një vajzë, të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë, përkatësisht në Amerikë dhe Gjermani, duke bërë që vitet e fundit të jetës së tyre t’i kalonin të vetmuar. Të paktën prej 5-6 vitesh, dy të moshuarit jetonin të vetëm në banesë. Ata edhe më përpara dyshohet se kanë pasur mosmarrëveshje me njëri-tjetrin. 79-vjeçari Fadil Bandulla që qëlloi bashkëshorten dhe më pas veten, sipas dëshmive që mori Policia, njihej si një person agresiv, ndërsa kohët e fundit kishte shfaqur edhe probleme depresive, gjë për të cilën ka marrë edhe medikamente në farmaci. Gjithsesi, Policia Vendore e Shkodrës dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë të regjistruar në qytetin verior.