MENU
klinika

Situata e rënduar nga infektimet

Të gjitha masat e reja që hyjnë në fuqi në Kosovë nga sot

20.08.2021 - 10:11

Masat e reja anti-COVID të miratuara nga Qeveria e Kosovës të mërkurën, kanë hyrë në fuqi sot. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në mbledhjen e Qeverisë tha se masat e reja nuk përcaktojnë në asnjë rast detyrimin për bërjen e vaksinës.

“Masat e ndërmarra përmes këtij vendimi nuk përcaktojnë, në asnjë rast obligimin e vaksinimit të detyrueshëm, duke qenë se kufizimet e vendosura ndaj publikut mund të përmbushen me paraqitjen e dëshmisë së statusit të vaksinimit, të rezultatit të një testimi që arrin në përfundimin se personi nuk është i infektuar me COVID-19, ose se personi është shëruar nga COVID-19 dhe ka antitrupa të mjaftueshëm”, deklaroi Vitia.

Sipas masave të reja që hyjnë në fuqi nga 20 gushti dhe janë të vlefshme deri më 1 shtator, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, mbajtja e dasmave, fejesave dhe ahengjeve tjera familjare.

Po ashtu, nga data 20 gusht deri më 1 shtator, hyrja në ambientet ku mbahen grumbullimet, tubimet si festivalet dhe koncertet, aktivitetet sportive dhe kulturore të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, si dhe organizimi i këtyre aktiviteteve, lejohet vetëm nëse pjesëmarrësit posedojnë certifikatën e vaksinimit me një apo dy doza të vaksinës, test PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë, dëshmi se personi e ka kaluar COVID-19 apo test antigjen jo më të vjetër se 48 orë.

Këto janë të gjitha masat e reja anti-COVID kanë hyrë në fuqi:

V E N D I M

Për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19

A. [Zbatimi territorial]

1. Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

B. [Hyrjet dhe daljet e qytetarëve të huaj nga Republika e Kosovës]

2. Të gjithë qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet me rrezik të lartë sipas listës zyrtare të Institutit kombëtar të shëndetësisë publike të Kosovës (IKShPK), duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit.

3. Nga pika 2. përjashtohen:

3.1. Qytetarët të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh, përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh;

3.2. Qytetarët të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID-19;

3.3. Qytetarët të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;

3.4. Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë, si dhe familjarët e tyre;

3.5. Personat që kanë çertifikatë të vaksinimit të plotë kundër COVID-19;

3.6. Personi me një rezultat pozitiv të testit të antitrupave serologjik –IgG, të lëshuar më së shumti tridhjetë (30) ditë para arritjes.

3.7. Fëmijët nën moshën njëmbëdhjetë (11) vjeç.

C. [Mbrojtja dhe siguria në punë]

4. Gratë shtatzëna, lirohen nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë.

Punëdhënësit publikë apo privat udhëzohen të ju krijojnë mundësinë që të punojnë nga shtëpia, për aq sa është e aplikueshme.

Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]

5. Obligohen institucionet publike dhe private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska në vende të qasshme, në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.

6. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, që në hyrje të çdo objekti, të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, si dhe respektimin e distancës.

7. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera, që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.

8. Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.

9. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç:

9.1. Gjatë ecjes në ambient të jashtëm, vetëm;

9.2. Gjatë ngasjes së automjetit, vetëm, apo në grup me jo më shumë se katër (4) persona;

9.3. Gjatë vrapimit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike;

9.4. Gjatë ngrënies apo pijes.

10. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private që të përcaktojnë një punonjës të monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 8.

D. [Institucionet e arsimit]

11. Institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit vazhdojnë mësimin sipas udhëzuesit përkatës për sektorin e arsimit.

12. Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet

organizimi i ekskursioneve dhe shëtitjeve grupore.

Dh. [Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]

13. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale, që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse..

E. [Kufizimi i mbledhjeve publike dhe private]

14. Lejohen grumbullimet në hapësira të mbyllura (mbledhje, seminare, trajnime), me kusht që të shfrytëzohet 30% e kapacitetit të hapësirës. Organizatori obligohet të mbaj distancën fizike prej së paku 1 metër në mes të personave, sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi.

15. Lejohen grumbullimet në ambiente të jashtme, tubimet shoqërore (festivale, koncerte, etj.) me kusht që të shfrytëzohet 50% e kapacitetit të hapësirës, sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi.

F. [Klubet e natës dhe ahengjet]

16. Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 1 shtator 2021, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

G. [Hyrja, shfrytëzimi dhe organizimi i aktiviteteve të caktuara]

17. Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 1 shtator 2021, hyrja në ambientet ku mbahen grumbullime, tubime (festivale, koncerte) aktivitete sportive dhe kulturore të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, si dhe organizimi i këtyre aktiviteteve, lejohet vetëm nëse klientët/pjesëmarrësit posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme:

17.1 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19;

17.2 Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;

17.3 Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;

17.4 Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

18. Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 01 shtator 2021, një nga dëshmitë e cekura në pikën 17 duhet të posedohet nga të gjithë punëtorët në kuadër të bizneseve/ aktiviteteve të cekura në pikën 17, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me klientët.

19. Personat përgjegjës të bizneseve/ aktiviteteve të cekura në pikën 17, janë të detyruar të caktojnë një person i cili do të kontrollojë posedimin e të paktën një prej dëshmive sipas pikës 17.

20. Personat nën moshën 16 vjeçare nuk janë të detyruar të posedojnë asnjë nga dëshmitë e cekura sipas pikës 17.

Gj. [Gastronomia]

21. Shërbimet e gastronomisë përfshirë restoranet dhe hapësirat e ngjashme në hoteleri lejohen të punojnë deri në orën 22:30 dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës. Në hapësirat e mbyllura lejohet veprimtar deri në 50% e kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.

22. Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që distanca ndërmjet klientëve në tavolina të ndryshme të jetë së paku një (1) metër.

23. Pjesa e prapme e një karrige, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet jenë në distancë së paku një (1) metër.

24. Në hapësirat e mbyllura lejohen deri në 4 persona në tavolinë. Në rast se tavolinat janë me të mëdha se dy (2) metra, atëherë parakusht është që të shfrytëzohet hapësira duke respektuar kufizimin prej pesë (5) persona në 10 m2.

25. Në hapësirat e mbyllura lejohet shërbimi i ushqimit dhe pijeve vetëm për mysafiret që janë të ulur ose duke qëndruar në këmbë në një tavolinë ose në banak.

26. Në hapësirat e jashtme lejohen deri në gjashtë (6) persona në tavolinë, banak apo në tavolina në këmbë.

27. Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60-70% alkool.

28. Duhet të vendosen udhëzuesit në hapësirat e jashtme të lokaleve lidhur me informimin e klientëve për protokollin e masave kundër COVID-19.

H. [Qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomikë]

29. Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare në përputhje me pikën 8 të këtij Vendimi dhe sipas udhëzuesit përkatës.

30. Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët.

I. [Puna me palë]

31. Personi përgjegjës i institucionit publik apo privat dhe i operatoreve ekonomikë, obligohet që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveç nëse mbahet distancë fizike prej të paktën 1.5 metra nga grupet e tjera të personave.

J. [Transporti publik]

32. Ndalohet hyrja në mjetet të transportit publik pa maskë.

33. Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë, duke shfrytëzuar

kapacitetin e plotë të ulëseve, me kusht që personeli dhe udhëtarët të mbajnë maskën gjatë tërë kohës. Operatorët e transportit nuk mund të ketë më tepër udhëtarë në autobus sesa që posedojnë ulëse.

34. Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy (2) udhëtarë.

K. [Teatrot, bibliotekat, etj.]

35. Teatrot, bibliotekat, orkestrat, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si gjatë shfaqjeve ashtu edhe gjatë ushtrimeve), në përputhje me pikën 8 dhe sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi.

L. [Sporti dhe rekreacioni]

36. Lejohet organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

37. Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura lejohet prania e shikuesve deri në 15% të kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (salla sportive, pishina, hapësira të tjera të mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera mbrojtëse, në përputhje me pikën 8 dhe sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi.

38. Në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme lejohet prania e shikuesve deri në 30% të kapacitetit të objektit, apo hapësirës sportive (stadium, pishina, hapësira të tjera të jashtme), duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera mbrojtëse, në përputhje me pikën 8 dhe sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi dhe udhëzuesit respektiv.

39. Organizatorët e garës janë të obliguar të ndërmarrin masat specifike, në përputhshmëri me protokollet ndërkombëtare, për menaxhimin e masës (tifozëve) para, gjatë dhe pas hyrjes në hapësirën sportive.

40. Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale rekreative, sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi dhe udhëzuesit respektiv.

41. Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme bëhet në proporcion 1 klient në 8m2, sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi dhe udhëzuesit respektiv .

42. Obligohet vendosja e shenjave informuese dhe dezinfektuesve (apo mjeteve të tjera për pastrim), në secilën pajisje të fitnesit me qëllimit të vetëdijësimit dhe dezinfektimit të tyre nga secili klient pas përdorimit.

Ll. [Udhëzuesit dhe sqarimet]

43. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që të nxjerrë udhëzuesit e përkohshëm, të përgjithshëm dhe të veçantë për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, si në vijim:

43.1. Udhëzues i Përkohshëm për aplikimin e masave të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e COVID-19;

43.2 Udhëzues i Përkohshëm për sektorin e shërbimeve personale dhe bizneseve, industrisë, administratës publike dhe OJQ-ve;

43.3 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet arsimore të të gjitha niveleve;

43.4 Udhëzues i Përkohshëm për gastronomi, hoteleri, sektorin e shitjes dhe qendra tregtare;

43.5 Udhëzues i Përkohshëm për tubimet fetare, varrime, punëtori dhe aktivitete kulturore,

43.6 Udhëzues i Përkohshëm për fitnese, palestra dhe aktivitete tjera rekreative dhe sportive;

43.7 Udhëzues i Përkohshëm për transportin publik;

43.8 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet e kujdesit shëndetësor;

43.9 Udhëzues i Përkohshëm për aviacionin civil;

43.10 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet korrektuese, qendra të azilit dhe të mbajtjes për të huaj;

44. Udhëzuesit nga pika 43 janë të detyrueshëm për të gjithë personat dhe sektorët ndaj të cilëve zbatohen.

45. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerr sqarime për pikat e këtij vendimi.

M. [Zbatimi]

46. Obligohet Ministria e Shëndetësisë, AUV dhe Policia e Kosovës në bashkëpunim me shtabet emergjente komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00).

47. Obligohet Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK dhe IKShPK të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor, (çdo të premte deri në orën 16:00), për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, situatën epidemiologjike si dhe parashikimet për dy javët në vijim.

48. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë vendime operacionale, varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShPK-së.

49. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse, të mbikëqyrin zbatimin e masave, vendimeve të tjera dhe udhëzuesve përkatës në zbatim të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

50. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.

51. I vetmi autoritet që mund të ofroj opinion për këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat aplikohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

N. [Shfuqizimi i vendimit Nr. 01/25]

52. Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr. 01/25 i datës 12.08.2021.

Nj. [Hyrja në fuqi]

53. Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe vlenë deri më dt.01.09.2021.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


VOA: Vaksinat tona nuk vijnë me prapavijë...

SHBA dërgon vaksina kundër Covid-19 në Kosovë

Kush përjashtohet nga detyrimi për PCR

Rregulla të reja për hyrje-daljet në Kosovë!


Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat