Mediat amerikane ripublikojnë një letër të ish-kreut të Al-Kaedës Osama Bin Laden, e shkruar në vitin 2010, ku ai kërkonte nga mbështetësit e tij që të mos shënjestronin zv/presidentin e SHBA Joe Biden, por presidentin Barack Obama.
Bin Laden shkruante se nëse diçka i ndodhte Obamës, Joe Biden do të merrte pushtetin sipas ligjeve amerikane dhe ai do ta çonte vendin në krizë, sepse është “krejtësisht i papërgatitur”.
Sipas letrës më poshtë, terroristët duhet të synonin avionët e Obamës dhe drejtorit të atëhershëm të CIA-s David Petraeus, kur këta të fundit të vizitonin Afganistanin. “Ata nuk duhet të synojnë vizitat e nënpresidentit amerikan Biden. Grupet do të qëndrojnë në vëzhgim për Obamën ose Petraeusin, ”shkroi Bin Laden.
Letra u zbulua mes dokumenteve të gjetura në shtëpinë e Osama Bin Laden në Pakistan, pasi ai u vra nga forcat amerikane më 2 maj 2011. Ky dokument ripublikohet nga mediat amerikane pas kritikave ndaj Joe Biden, për tërheqjen e trupave ushtarake nga Afganistani, ditët e fundit.
Më tej në letër, ish-kreu i Al-Kaedës thotë se përse terroristët duhet të fokusoheshin te Obama.
“Arsyeja për t’u përqëndruar tek ata është se Obama është i pabesë dhe vrasja e tij automatikisht do ta bëjë Biden të marrë presidencën për pjesën e mbetur të mandatit, pasi është normë atje. Biden është krejtësisht i papërgatitur për atë post, i cili do t’i çojë SHBA në një krizë.”
“Sa për Petraeus, ai është njeriu i duhur në këtë vit të fundit të luftës, dhe vrasja e tij do të ndryshonte rrugën e luftës.”