MENU
klinika

LDK e ashpër ndaj Qeverisë Kurti

“Po e riinstalon Serbinë në Kosovë”

22.08.2021 - 14:13

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar për vendosjen e gurë-themelit të “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut”, duke thënë se Qeveria Kurti po e ri-instalon Serbinë në Kosovë.

Partia e Lumir Abdixhikut këtë veprim e ka quajtur degradues për shtetin, i cili, sipas tyre, përforcon strukturat paralele në veri të vendit.

Kjo parti po kërkon nga kryeministri Kurti që të parandalojë ngritjen e universitetit paralel në veri.

“Kryeministri Kurti duhet t’i zëvendësojë deklaratat boshe në Bruksel, me veprime konkrete në territorin e shtetit të tij. Ai duhet menjëherë, e pa vonesë, ta shkarkojë ministrin nga radhët e minoriteteve dhe me çdo kusht të parandalojë ngritjen e universitetit paralel në veri”, thuhet tutje në reagimin e LDK-së.

Reagimi i plotë i LDK-së:

Me aprovimin e vizitës nga Ministria e Punëve të Jashtme, Drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën e Qeverisë së Aleksandër Vuçiqit së bashku me Ministrin e Qeverisë së Albin Kurtit, vunë në Mitrovicën e Veriut gurë-themelin e “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut”. Me këtë veprim ata de-legjitimojnë dhe degradojnë shtetin e Kosovës, duke e nëpërkëmbur njëkohësisht edhe identitetin e Universitetit të Prishtinës.

Përpos këtij veprimi degradues, e që përforcon më tutje strukturat paralele në veriun e vendit, edhe më skandaloze është deklarata e zyrtarëve të Qeverisë, përkatësisht e zëvendësministrit të arsimit, Popovci, i cili mban qëndrim se “Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është ne administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut” dhe se rrjedhimisht ai universitet nuk është një strukturë paralele”. Zëvendësministri duket se harron se asnjë qeveri deri më tani nuk ka legjitimuar një universitet i cili, jo vetëm që kundërligjshëm mban emrin e universitetit publik të Prishtinës, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e planprogarmeve të Republikës së Serbisë. Është Qeveria Kurti ajo e cila po i ringjallë e rigjallëron strukturat paralele dhe që dalëngadalë, por me hapa të sigurt, po i rikthen proceset prapa dhe po e ri-instalon Serbinë në Kosovë.

Është e vërtetë se Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, neni 21, parasheh që “Komuna e Mitrovicës së Veriut ka kompetencë për shkollim të lartë …”, porse neni 19.2 më tutje nënvizon se “Autoritetet qendrore në Republikën e Kosovës monitorojnë ushtrimin e kompetencave të zgjeruara në pajtim me legjislacionin qendror, që parasheh qasje të barabartë në shërbimet publike; standarde minimale sasiore dhe cilësore në ofrimin e shërbimeve publike; kualifikime minimale të personelit dhe trajnimit të tyre, parimet e përgjithshme për licencim dhe akreditim të ofrueseve të shërbimeve publike.”

Qeveria Kurti, me gjithë fuqinë ekzekutive dhe shumicën absolute parlamentare që ka, po lejon që ministrat e saj, dhe të Republikës së Kosovës pa dallim, të marrin pjesë në këto aktivitete që de-legjitimojnë shtetin tonë. Praktikantët janë strukur e janë shndërruar në spektatorë. Prandaj, ndërmarrja e hapave është e largët këtu.

Kryeministri Kurti duhet t’i zëvendësojë deklaratat boshe në Bruksel, me veprime konkrete në territorin e shtetit të tij. Ai duhet menjëherë, e pa vonesë, ta shkarkojë ministrin nga radhët e minoriteteve dhe me çdo kusht të parandalojë ngritjen e universitetit paralel në veri.