Performancën e tij në Korçë në festën e birrës, ku nuk munguan as incidentet, këngëtari Goran Bregoviç e hapi me këngën në gjuhën shqipe “Kosovska” (e Kosovës), të cilën ai e krijoi dhe interpretoi në vitet ’80 me grupin e tij të njohur “Bijelo Dugme”.
Në fund Bregoviç interpretoi këngën “Kallashnikov” dhe për shkak të polemikave të ndezura kohët e fundit për të, shpjegoi se përse e kishte krijuar dhe cila ishte domethënia e saj.
“Do ta përfundoj koncertin me një këngë që titullohet “Kallashnikov”. Është një këngë disi ironike, një këngë argëtuese, për disa njerëz që pëlqejnë të mbajnë armë. Është një shaka! Në vendin tim ushtarët thonë “Jurish!” Ushtarët tuaj para se të ndërmarrin aksion thonë “Në sulm”! Unë shpresoj që këto fjalë nuk do t’i dëgjojmë kurrë më. Unë shpresoj që ju kurrë nuk do t’i dëgjoni këto dy fjalë, përveçse këtu sot në këtë këngë”, tha Bregoviç para interpretimit.
Kujtojmë se në fillim të koncertit, që u organizua nga Bashkia e Korçës, persona të panjohur hodhën gaz lotsjellës.
Gjithsesi, tymi u shpërnda shumë shpejt dhe koncerti nuk u ndal. Disa persona janë shoqëruar në polici, ndërsa incidenti kaloi kufijtë, duke u pasqyruar edhe në mediat serbe.