Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dha miratimin e plotë për vaksinën kundër COVID-19 të prodhuar nga kompania Pfizer dhe partneri gjerman BioNTech për përdorim tek personat mbi moshën 16 vjeç, miratimi i parë përfundimtar për një vaksinë të tillë.
Vaksina ishte autorizuar për përdorim urgjent që nga dhjetori dhe më shumë se 204 milionë vetë në Shtetet e Bashkuara e kanë bërë atë. Por asnjë nga tre vaksinat e autorizuara për COVID-19 nuk kishte marrë deri tani miratimin e plotë të FDA-së.
Zyrtarët e shëndetit publik shpresojnë se ky hap do të bindë më shumë amerikanë të pavaksinuar se vaksina Pfizer është e sigurt dhe efektive. Hezitimi për t’u vaksinuar mes një numri amerikanësh ka penguar luftën e Shteteve të Bashkuara ndaj koronavirusit.
“Megjithëse miliona njerëz e kanë marrë tashmë në mënyrë të sigurt vaksinën për COVID-19, duhet ta pranojmë se për disa, miratimi përfundimtar nga FDA tani mund të nxisë më shumë besim për t’u vaksinuar,” tha Janet Woodcock, drejtuesja në detyrë e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave.
Afro 51% e amerikanëve janë vaksinuar plotësisht deri më tani, por një rritje e infeksioneve e nxitur nga varianti ngjitës Delta ka prekur pjesë të vendit me norma të ulëta vaksinimi./ VOA