Talibanët po dërgojnë me qindra luftëtarë në Luginën Panjshir, 150 kilometra në veri të kryeqytetit afgan, Kabulit, në një përpjekje për të shuar një qëndresë në zhvillim, të udhëhequr nga djali i një luftëtari, i cili i ka sfiduar ata herën e fundit kur morën pushtetin në Afganistan, 20 vite më parë.
Dislokimi vjen disa orë pasi forcat që bashkëpunojnë me Frontin Kombëtar të Rezistencës të Ahmad Massoudit, në përbërje të të cilit ka ish-anëtarë të njësive të rregullta të ushtrisë afgane dhe forcave speciale si dhe luftëtarë të milicisë lokale, u përleshën me talebanët në Andarab, një rajon në jug të vendit pjesë e provincës Baghlan.
Javën e kaluar, në lëvizjet e para të asaj që shihet si rezistencë serioze, luftëtarët antitalebanë arritën të marrin kontrollin e tre qarqeve fqinje të Andarabit, të gjitha pranë luginës Panjshir, bastion i Massoudit. Të hënën talibanët pretenduan se i kishin rimarrë të treja qarqet.