MENU
klinika

COVID-19

Bien rastet e reja, rriten shtrimet në spital. Ja sa ka shkuar numri i pacientëve tek Infektivi

24.08.2021 - 10:07

Për të dytën ditë me radhë numri i rasteve të reja pozitive me COVID-19 ka pësuar ulje. Kështu të hënën, janë raportuar 397 raste të reja nga më shumë se 4 mijë testime të kryera.

“Janë kryer 4029 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, 397 qytetarë, në këto bashki: 88 raste në Tiranë, 44 në Durrës, 42 në Vlorë, 38 në Shkodër, 23 në Kavajë, 18 në Fier, 16 në Lezhë, 14 në Gjirokastër, nga 11 raste në Korçë, Divjakë, nga 10 raste në Malësi e Madhe, Berat, 9 në Krujë, 8 në Lushnje, 7 në Sarandë, 6 në Rrogozhinë, nga 5 raste në Përmet, Librazhd, nga 4 raste në Peqin, Kamzë, Vau i Dejës, nga 3 raste në Tropojë, Kurbin, Dibër, nga 2 raste në Gramsh, Tepelenë, Mat, nga 1 rast në Mirditë, Vorë, Mallakastër, Këlcyrë, Poliçan. Aktualisht janë 5792 pacientë aktivë me COVID-19 në të gjithë vendin”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë, vihet re një rritje e shtrimeve në Spitalin Infektiv ku aktualisht gjenden të shtruar 84 pacientë.

Pozitivë është fakti që në 24 orët e kaluara nuk është shënuar asnjë humbje jete si pasojë e koronavirusit.

Sipas “Deutsche Welle” numri total i infektimeve të reja me virusin Corona javën që kaloi,(16-22 gusht 2021) arriti në mbi 3 mijë vetë dhe ai i viktimave në 12.

Ndërsa prej fillimit të muajit gusht rezultojnë të jenë gjithsej 5 667 raste dhe 20 viktima. Të shtunën (21 gusht) numri i rasteve të reja arriti shifrën më të lartë që nga fundimaji i këtij viti. Rastet e reja të infektuara nga COVID-19 janë të përhapura pothuajse në të gjithë vendin duke prekur 43 bashki nga 61 që ka në total Shqipëria. Tirana vazhdon të kryesojë, e ndjekur nga Shkodra, Vlora dhe Durrësi.

Shkak për një grafik të tillë në rritje të rasteve të reja dhe i viktimave pas disa muajsh pa asnjë humbje jete, sipas autoriteteve shëndetësore, është qarkullimi i shpeshtë i variantit “Delta”, të COVID-19, që ka hyrë në Shqipëri që në fillim të kësaj vere, në qershor. Më tej, “Deutsche Welle” ngre shqetësimin për mosmbajtjen e maskave dhe mungesën e distancimit social “Masat mbrojtëse si vendosja e maskës në mjedise të mbyllura dhe distancimi social pothuajse nuk respektohen fare dhe ende autoritetet nuk po reagojnë për të rikthyer masat shtrënguese.

Apeli i autoriteteve shqiptare ndaj qytetarëve aktualisht është i fokusuar në kryerjen e vaksinave anti-COVID deri në fund të këtij muaji, që është shpallur “muaj i hapur” për vaksinimet mbi moshën 18 vjeç.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se në vendin tonë janë përdorur 1,3 milionë doza të vaksinave anti-COVID, ku rreth 35 për qind e tyre u përket vaksinimit të qytetarëve mbi 18 vjeç me dozën e parë.

Masat shtrënguese anti-COVID u lehtësuan nga autoritetet në fundqershorin e këtij viti kur në Spitalin Infektiv të Qendrës Universitare, “Nënë Tereza” në Tiranë, që ishte në frontin e parë të përballjes së epidemisë, pati vetëm disa pacientë të shtruar, të infektuar me COVID-19.