Nga Svetlana Tikhanovskaya, The New York Times
Pak më shumë se një vit më parë, më 9 gusht 2020, unë garova në zgjedhjet presidenciale të Bjellorusisë kundër Alesandr Lukashenko. Diktatori, që e ka sunduar vendin tim për 27 vjet me grusht të hekurt, na e vodhi fitoren, gjë që na nxiti të organizojmë protesta të mëdha. Ne iu bashkuam një lëvizje kombëtare pro-demokracisë, për të kërkuar lirimin e të gjithë të burgosurve politikë, dhënien fund të dhunës shtetërore, dhe kërkuam zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Regjimi u kundërpërgjigj me dhunë. Që atëherë, më shumë se 35.000 njerëz janë arrestuar, dhe gati 5.000 prej të cilëve pretendojnë se janë torturuar. Autoritetet kanë filluar 4.691 procese gjyqësore të motivuara politikisht, dhe sipas Viasna-s, një qendër e pavarur e të drejtave të njeriut, sot në vend ka mbi 600 të burgosur politikë.
Dhjetë persona kanë humbur jetën. Viti i kaluar ka qenë shumë i vështirë për ne. Bjellorusët e mësuan fare mirë se rruga drejt demokracisë është e gjatë dhe e mundimshme. Por lufta shkon përtej Bjellorusisë. Të gjitha vendet demokratike,janë të interesuara për të ardhmen e vendit tonë.
Ekziston jo vetëm një imperativ moral për të mbështetur kauzën tonë, por edhe një imperativ strategjik, dhe kjo sepse një regjim autokratik kërcënon të përhapë kaos në të gjithë Evropën. Për të mirën e kontinentit, Lukashenko duhet të ndalet. Dhe bjellorusët, të cilëve tashmë u është sosur durimi me këtë autokrat, duhet që të jenë të lirë.
Forca e lëvizjes sonë demokratike është mëse e dukshme. Vitin e kaluar, më 16 gusht, qindra mijëra bjellorusë dolën në rrugë. Që atëherë, ka pasur protesta paqësore, të mëdha dhe të vogla, formale dhe joformale, në të gjithë vendin.
Deri në fund të vitit të shkuar, në demonstrata kishin marrë pjesë deri në 1.5 milion njerëz. Njerëzit u organizuan përmes mediave sociale, kanaleve nëYouTube dhe Telegram. Natyrisht, ka pasur edhe dështime. Mbështetja jonë në internet, na bëri të ndjeshëm ndaj mbylljeve dhe censurës – faqet në rrjet u bllokuan, mediat u bastisën – dhe me kalimin e kohës shtypja e pamëshirshme e regjimit, e pakësoi oreksin e disa njerëzve për të dalë në protesta. Për më tepër, ne u përpoqëm të bindnim zyrtarët shtetërorë dhe të sigurisë që të largoheshin nga postet që mbanin, një parakusht ky për rrëzimin e regjimit aktual. Në kundërpërgjigje, ne kemi ndërtuar një shoqëri të re civile bazuar në një rrjet fondesh t ësolidaritetit, komitet të grevave, media qytetare, organizata të ndihmës reciproke dhe grupe vullnetare – shpesh të koordinuara përmes mesazheve të sigurta apo edhe gazetave të shtypura.
Dhe përmes planit tonë gjithëpërfshirës për pajtimin kombëtar, ne kemi synuar t’i bindim të bashkohen me ne, të gjithë ata që nuk janë të përfshirë në krimet shtetërore kundër bjellorusëve. Forca e lëvizjes sonë qëndron tek rrjetet horizontale, komunitetet joformale, dhe tek besimi i përbashkët mbi një Bjellorusi që është e lirë, e ligjshme dhe demokratike.
Dhe bota u bashkua rreth nesh. Siç e zbulova kur takova udhëheqësit e 31 vendeve, ndonjëherë Bjellorusia është një nga temat e pakta për të cilat bien dakord grupet politike të një vendi. Tani ne po bëjmë thirrje për mbajtjen e një konference ndërkombëtare të nivelit të lartë, për të zhvilluar një plan të detajuar për një rrugë paqësore dhe të negociuar për daljen nga kriza. Sigurisht Lukashenko, mund të përpiqet që të pengojë përpjekje të tilla.
Por ne besojmë se kjo është e mundur, nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nën vëzhgimin ndërkombëtar brenda 6 muajve të ardhshëm. Siç e theksova në takimet e mia të fundit me presidentin amerikan Biden dhe kryeministrin britanik Boris Johnson, vendet demokratike kanë një detyrim moral që të na mbështesin.
Kjo pasi Bjellorusia është në vijën e parë të luftës midis autokracisë dhe demokracisë. Mbështetja ndërkombëtare ka qenë emocionuese, por mund të bëhet më shumë sesa kaq. Ne duam që komuniteti demokratik të zhvillojë dhe zgjerojë programet e ndihmës – si mbështetja e Danimarkës për mediat e pavarura dhe financimi gjerman për studentët – për shoqërinë civile bjelloruse.
Dhe regjimi duhet të mbetet në shënjestrën e Perëndimit. Ne i mirëpresim sanksionet e shpallura nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ndaj ndërmarrjeve dhe individëve të regjimit që e financojnë atë ose kryejnë represion.
Po kështu regjimi i Lukashenkos duhet të mos marrë më financime ndërkombëtare që vijnë nga Kombet e Bashkuara, Banka Botërore ose Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – dhe t’i mohohet qasja në mbështetjen financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Për më tepër, diktatura në Bjellorusi duhet të nxirret para gjykatave ndërkombëtare për të dhënë llogari për krimet e saj. Tek e fundit, kjo nuk ka të bëjë vetëm me Bjellorusinë. Regjimi është bërë një problem sigurie për të gjithë Evropën. Në maj të këtij viti, në një akt agresioni të padrejtë, regjimi detyroi uljen e një avioni civil evropian për të arrestuar një gazetar bjellorus.
Këtë muaj, një udhëheqës i komunitetit bjellorus u gjet i varur në Kiev. Nëse nuk e frenojmë banditin në mes të Evropës, asnjë qytetar evropian nuk është i sigurt. Me siguri, regjimi mund të përpiqet të blejë kohë për veten e tij, duke u shtirur dikur do bëjë reforma, dhe duke u përpjekur ta shkëmbejë lirimin e të burgosurve politikë me zbutjen e sanksioneve, siç kanë sugjeruar disa diplomatë shtetërorë.
Por bota nuk duhet të mashtrohet nga këto lëvizje. Përkundrazi, përmes mbështetjes së fortë dhe të bashkuar, kombet demokratike në të gjithë globin mund ta ndihmojnë Bjellorusinë që të dalë nga diktatura dhe të përfarojë lirinë.
Shënim:Svetlana Tikhanovskaya, ish-kandidate në zgjedhjet presidenciale të Bjellorusisë vitin e kaluar, është udhëheqëse e opozitës. Ajo jeton aktualisht në mërgim, dhe koordinon përpjekjet për një tranzicion demokratik në vendin e saj.