Nga Francesco Giubilei, Formiche.net
Kriza afgane ka treguar me gjithë dramën e saj edhe vështirësinë e Bashkimit Evropian për të përcaktuar politikën e tij të jashtme, dhe për të pasur një pozicion të pavarur,duke çuar përpara interesat evropiane edhe në zonat strategjike sikurse është Lindja e Mesme.
Duke u nisur nga supozimi i një qasjeje të nevojshme atlantike të Bashkimit Evropian, mënyra sesi u menaxhua tërheqja nga Afganistani, përveç humbjes së besueshmërisë së Perëndimit në skenën ndërkombëtare, do të ketë pasoja veçanërisht të rënda për Evropën duke filluar nga kriza e refugjatëve, e cila do të shpaloset gjatë muajve të ardhshëm.
Duke kuptuar pamundësinë e vazhdimit të misionit në Afganistan pa mbështetjen e amerikanëve, evropianët e pranuan tërheqjen, por pavarësisht nga prania e ushtarëve nga vendet e BE-së si Italia, vendimi u prit më shumë me pasivitet sesa me një mundësi reale për të ndikuar në ngjarjet pasuese.
Deklaratat e presidentit amerikan Xho Bajden në fjalimin e tij të parë pas pushtimit të Kabulit nga talebanët, në të cilat ai nuk i përmendi aleatët evropianë (Britaninë e Madhe), tregojnë peshën politike jo aq vendimtare të Evropës.
Megjithatë, ajo që ndodhi në Afganistan duhet të jetë një zile alarmi për një ndryshim të kursit, dhe ku Bashkimi Evropian duhet të heqë dorë nga shtyrja e gjërave në momentin e fundit në çështjet e politikës së jashtme.
Deri më sot, Brukselit i mungon një vizion i fortë unitar,as një rrugë e përbashkët për të ndjekur, dhe as forca dhe aftësia për ta imponuar atë. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për mungesën e një ushtrie evropiane, por për mungesën e një kapaciteti politik për të përcaktuar një strategji thelbësore në fushën gjeopolitike.
Nuk ka asnjë dyshim, se në vendet e qeverisura nga autokracitë, një vizion afatmesëm dhe afatgjatë është më i lehtë për t’u realizuar sesa në një demokraci, qoftë edhe për shkakun e një vazhdimësie më të madhe të udhëheqësve në pushtet.
Por kjo e fundit nuk mund të jetë një alibi. Thelbi është që ne të kuptojmë se cili është sot interesi evropian, dhe nëse ekziston një vizion i përbashkët midis kombeve që janë pjesë e BE-së. Është gati fiziologjike që në një bashkësi politike të përbërë nga 27 shtete sovrane me një histori, tradita dhe të kaluar të ndryshme, të ketë divergjenca.
Por ndërkohë është e habitshme se si sot BE-ja nuk është në gjendje që të imponojë dëgjimin e zërit të saj, dhe të përfaqësojë një bashkëbisedues të fortë në skakierën globale. Shumë shpesh pozicionet e vendeve kryesore evropiane në politikën e jashtme ndryshojnë nga njëra-tjetra, dhe kjo gjeneron shumë probleme.
Për shembull, le të marrim marrëdhënien me 3 nga rivalët kryesorë të Evropës si Kina, Turqia dhe Rusia. Pozicionet e Gjermanisë, Francës dhe Italisë janë të ndryshme nga njëra-tjetra dhe jo vetëm në nuanca. Një divergjencë e fshehtë, që bëhet e dukshme në rastin e ngjarjeve të jashtëzakonshme, siç është lufta e fundit në Nagorno-Karabak midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Për më tepër, gjetja e një pike të përbashkët me interesat kombëtare të vendeve të Evropës Lindore bëhet edhe më e vështirë. Prandaj është e nevojshme të pyetet se cili do të ishte çelësi për të identifikuar një politikë të jashtme evropiane, e cila të flasë jo vetëm me një zë, por që të jetë në gjendje të ketë një ndikim i vërtetë, që sot duket se mungon.
Hapi i parë që duhet ndërmarrë duhet të jetë i një natyre politike, duke identifikuar disa pozicione dhe zona të përbashkëta të ndërhyrjes, nga Mesdheu në Ballkan, nga Afrika e Veriut në marrëdhëniet me Kinën.
Në politikën e jashtme, fokusimi tek ngjashmëritë dhe jo dallimet midis vendeve evropiane, është një qasje jo vetëm e nevojshme, por edhe realpolitike në skenarin aktual global.
Hapi i dytë për BE-në, mund të jetë vetëm i një natyre ushtarake. Një nga gabimet parimore të Evropës gjatë viteve të fundit, ka qenë mendimi se fuqia e saj e butë ishte e mjaftueshme për të ushtruar ndikim në botë. Por është e qartë se me shfaqjen e fuqive të reja dhe me një qasje më agresive, është gjithashtu e nevojshme që të ushtrohet fuqia e fortë.
Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht ndërmarrjen e misioneve të reja, me një rezultat të papritur dhe të diskutueshëm, por më shumë përdorimin e forcave të armatosura me një funksion kryesisht parandalues.
Shtimi i stërvitjeve të përbashkëta të ushtrive evropiane, rritja e aktiviteteve bashkëpunuese, ndërhyrja në mënyrë të bashkuar aty ku dhe kur është e nevojshme, do të tregojë se Evropa nuk është vetëm një realitet politik, por edhe një realitet ushtarak i aftë për të mbrojtur interesat e saj sa herë që ato vihen në diskutim