MENU
klinika

“Ankesat e njerëzve nuk do mbarojnë”

Rama shpall prioritetin kryesor për mandatin e tretë: Kthimi i trendit negativ të largimeve nga vendi

25.08.2021 - 12:51

Ekonomia dhe kthimi i trendit negativ të largimeve nga vendi ishin dy ndër prioritetet që shpalli kryeministri Edi Rama për mandatin e tretë qeverisës.

“Gjithë çfarë kemi bërë e duam të bëjmë në mandatin e tretë lidhet me ekonominë, financat, rritjen e vazhdueshme të të ardhurave në arkën e shtetit duke rritur aftësinë qeverisëse të ekonomisë dhe financave të vendit.

Më shumë mund të kishim bërë me formalizimin e ekonomisë, por kemi bërë punë shumë të vyer me ndërtimin e sistemit të ri dixhital të fiskalizimit prej të cilit presim një hop të madh cilësor e sasior për administrimin e të ardhurave në mandatin e tretë”, u shpreh kryeministri.

Rama tha se duke iu referuar raporteve të institucioneve ndërkombëtare për Shqipërinë, “jemi vendi me uljen më të lartë të papunësisë në rajon, krahasuar me pikën e frikshme kur e morëm detyrën, edhe kjo nuk është pak”.

Por sipas Ramës kjo “nuk mjafton fare për të qenë krenar po të kemi parasysh nivelin e ende të ulët të pagës minimale, apo vendet e pakta të punës që paguhen mirë”.

Rama vendosi si detyrë për mandatin e tretë qeverisës bërjen reale të mundësive për njerëzit, që kërkesat dhe ankesat e tyre nuk do të mbarojnë por do të rriten.

“Është e qartë si kudo në botë se zhvillimi dhe arritjet në këtë rrugë as nuk janë ulur as do i ulin kërkesat e ankesat e njerëzve të cilët gjithmonë kudoqofshin në Shqipëri apo në një vend të superzhvilluar do kërkojnë më shumë sa kanë, sa më shumë të shohin se mundësitë për më shumë janë reale. Ne e kemi treguar këtë e prandaj duhet të vazhdojmë ta provojmë këtë pavarësisht se ankesat dhe kërkesat nuk do të mbarojnë por do të rriten. Ndërkohë që kthimi i trendit negativ të largimeve në raport me kthimet në atdhe duhet të jetë prioritet i prioritetve për Shqipërinë e 2030“, tha Rama.