MENU
klinika

Talebanët dhe trafiku i drogës

Cilat janë rreziqet e narko-shtetit

27.08.2021 - 11:56

Nga Federico Giuliani, Il Giornale

Kina synon të krijojë një dialog me talebanët. Në dallim nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore, që janë në mëdyshje nëse do t’i japin apo jo legjitimitet bashkëbiseduesve kontroversë, gjiganti aziatik e bëri menjëherë të qartë se do donte të hynte me këmbën e duhur në çështjet afgane.

Mjafton të përmendet fakti se që para rënies së Kabulit, në fundin e muajit korrik, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, u takua në Tianjin me shefin e zyrës politike të grupit islamik në Katar, Abdul Ghani Bardar.

Qëllimi i ‘Dragoit’ aziatik ishte i qartë:të krijonte një marrëdhënie me talebanët, në mënyrë që të arrinte një avantazh strategjik në Afganistan, si nga pikëpamja ekonomike ashtu edhe nga ajo komerciale.

Po ashtu të garantonte një nivel të përshtatshëm të sigurisë, përkundër rrezikut të ringjalljes së mundshme të terrorizmit islamik. Gjithsesi, Kina po përballet me një kërcënim që në planin afatgjatë, mund të destabilizojë kufijtë e saj perëndimorë dhe që në përgjithësi mund të riaktivizojë Trekëndëshin e Artë të trafikut të drogës.

Jemi duke folur për spektrin e trafikut ilegal të drogës, që mund të pushtojë Kabulin dhe të përhapet në rajonin përreth. Në fakt, ky trafik ka lulëzuar gjithnjë në zonën midis Vietnamit, Laosit dhe Kamboxhias, përgjatë kufijve jugorë të Kinës.

Duke pasur parasysh gjeografinë e territorit, të përbërë nga xhungla dhe bimësia e dendur, është gati e pamundur që qeveria kineze të kontrollojë të gjithë zonën kufitare. Për të pasur një ide mbi shtrirjen e trafikut të drogës, mjafton të kini parasysh se në vitin 2018, Pekini sekuestroi 37.5 tonë drogë dhe substanca ilegale për prodhimin e lëndëve narkotike. Pavarësisht ndërhyrjes së autoriteteve, shumë substanca arritën gjithsesi që të hyjnë në vend dhe më pas të tregtohen nga bandat kriminale në të gjithë pjesën tjetër të botës. Tani krahas Trekëndëshit të Artë, kaosi në Afganistan mund ta komplikojë situatën.

Trafiku i drogës që kërcënon Pekinin

Siç eka nënvizuar së fundmi “South China Morning Post”, taksat mbi prodhuesit e opiumit në Afganistan, kanë qenë një burim i madh i të ardhurave për talebanët. Të paktën në teori, këta të fundit janë të angazhuar në çrrënjosjen e trafikut të heroinës.

Megjithatë, Kina është e shqetësuar për trafikun e drogës, që duke anashkaluar vëmendjen e talebanëve dhe autoriteteve kineze, mund të përbëjë sfida delikate për ‘Dragoin’ sidomos për sigurinë e tij kombëtare.

Për të zbutur sadopak rreziqet, Pekini mund t’u ofrojë fermerëve në Afganistan mundësinë e angazhimit në kultivimin e bimëve alternative ndaj lulëkuqeve të opiumit. Kjo edhe sepse, siç u përmend më lart, varësia e vazhdueshme e këtij vendi nga trafiku ilegal i drogës e ka shqetësuar gjithmonë qeverinë kineze, aq më tepër në një moment të tillë historik.

Në fakt, mjafton të kujtojmë, që trafiku i drogës i bazuar tek opiumi dhe metamfetamina, përfaqëson burimin më të madh të të ardhurave për studentët fetarë(dhe situata mund të mbetet i njëjtë edhe përballë ndonjë sanksioni ndërkombëtar kundër grupit taleban).

Gjatë viteve të kaluara, një nga rrugët kryesore të hyrjes së heroinës nga Afganistani në Kinë, përfshinte Pakistanin dhe provincën perëndimore kineze, Xinjiang. Agjencitë kineze kundër trafikut të narkotikëve, janë bërë tashmë shumë të vëmendshme ndaj parandalimit të hyrjes së drogës afgane përtej kufirit. Por beteja mund të jetë më e ndërlikuar nga sa pritet.

Plagët e Afganistanit

Të dhënat e publikuara nga Zyra e Kombeve të Bashkuara mbi Drogën dhe Krimin, flasin vetë. Në qershor, Afganistani përbënte 80 për qind të furnizimeve globale me opium dhe heroinë. Një përqindje marramendëse, e cila i dha mundësi këtij vendi që vetëm në vitin 2019 të gjeneronte 1.2-2.1 miliardë dollarë të ardhura nga konsumi i këtyre substancave, prodhimi dhe eksportet e tyre.

Dy muaj më parë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara,theksoi në një analizë se trafiku i drogës u dha mundësi talebanëve që të mbledhin 460 milionë dollarë taksa të vendosura ndaj kultivuesve të opiumit.

Ndonëse grupimi islamik i sapo-ngjitur në pushtet, është betuar publikisht se Afganistani nuk do të shndërrohet në një narko-shtet; shumë ekspertë besojnë se trashëgimtarët e Mulla Omar do ta kenë shumë të vështirë të mbajnë premtimin e tyre.

Kjo edhe sepse vetëm përmes trafikut ilegal të drogës, regjimi i ri mund t’ia dalë të mbijetojë në mungesë të humbjes së ndihmës ndërkombëtare apo mbërritjes së sanksioneve hipotetike ekonomike. Dhe vetë Kina nuk ka aspak ndërmend që të përballet me një kërcënim të tillë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga RT/ Do të bëhet edhe më e vështirë për Afganistanin

Si u zhduk 80% e buxhetit brenda natës?

BBC: Populli afgan ka parë shumë pak...

Çfarë do të ndodhë me ekonominë e Afganistanit?