Zgjedhjet parlamentare 2021 kanë përfunduar dhe javën e ardhshme pritet të publikohet data e inagurimit të legjislaturës së re parlamentare. Praktika kushtetuese e mbledhjes së parlamentit parashikon seancën e hapjes dhe të verifikimit të mandateve, si dhe zgjedhjen e drejtuesve të rinj të Kuvendit, seanca që drejtohen nga deputeti më i vjetër në moshë. Në javën e dytë të shtatorit pritet të mandatohet dhe të krijohet qeveria e re, e treta e PS prej vitit 2013.
Një raport i Institutit të Studimeve Politike ka bërë publike disa fakte interesante lidhur me përfaqësimin gjinor, ndarjen e mandateve, shkollimin e deputetëve, apo edhe vendbanimin e tyre.
Parlamenti i ri do të ketë 140 deputetë, nga të cilët 74 PS, 50 PD, 4 LSI, 3 PSD, 3 PR, 2 PDIU, 1 PLL, 1 LZHK, 1 PBDNJ, 1 PAA2 . Për të pasur mazhorancë qeverisëse duhen 70+1 deputetë, pra PS e vetme ka numrin e nevojshëm të mandateve për të qeverisur e vetme. Nga pjesa tjetër e përfaqësimit parlamentar, 3 votat e PSD janë vota mbështetëse për PS edhe për shkak se 3 kandidatët fitues janë zyrtarë dhe aktivistë lokalë të PS Shkodër. Në këtë mënyrë, PS pritet të ketë 77 vota të përhershme në parlament. Pjesa tjetër e partive mbeten (aktualisht) në opozitë.
Cila parti ka më shumë gra deputete?
Në legjislaturën e re janë zgjedhur 48 deputete ose 34% e parlamentit, një shifër që tejkalon kuotën gjinore prej 30% të vendosur nga partitë politike dhe që është 6% më shumë sesa në parlamentin e vitit 2017. Nga subjektet politike PS ka 28 gra deputete, PD 17, LSI 2 dhe PSD 1, ose në përqindje, PS 38%, PD 29%, LSI 50% dhe PSD 33%.
38 deputetë me tituj shkencorë
Lidhur me formimin profesional, parlamenti i ri ka 38 deputetë me tituj shkencorë, nga të cilët 5 me titull Prof. Dr; 4 me titull Profesor i Asociuar, 24 doktorë shkencash dhe 5 doktorantë. Lidhur me përfaqësimin gjinor, 43% e grave deputete kanë tituj shkencorë, ndaj vetëm 19% të deputetëve meshkuj. Vetëm një deputet deklaron se vijon studimet universitare, të gjithë deklarohen me arsim të lartë, përfshirë edhe diploma në universitete të mbyllura për shkak të informalitetit në arsimin e lartë.
Ikin juristët, vijnë ekonomistët
Lidhur me profesionet bazë të deputetëve , 37 nga 140 deputetë janë diplomuar në degë të ndryshme të studimeve ekonomike, 30 janë diplomuar në drejtësi, 13 në inxhinieri, 7 për gjuhë të huaja, 5 për administrim biznes, 4 në shkolla ushtarake apo policore, nga 3 në agronomi, shkenca politike dhe kimi, etj. Dy deputetë janë diplomuar në arte, një prej të cilëve është kryeministri Rama. Krahasuar me legjislaturën e kaluar është rritur numri i deputetëve me njohuri ekonomike dhe ka rënë numri i deputetëve me formim juridik.
Deputetët, shumica nga Tirana
Në total, 61% e deputetëve të parlamentit të ri janë banorë të Tiranës, vetëm 39% banojnë në zonat zgjedhore jashtë kryeqytetit, kryesisht në zonat afër Tiranës (Durrës, Elbasan, etj). Lidhur me përkatësinë fetare të deputetëve, të bazuar në të dhënat e CV të tyre (jo në deklarime të konfirmuara individuale), 75% i përkasin besimit mysliman, 14% besimit ortodoks dhe 11% besimit katolik.
9 mandate të PD shpërndahen për parti të vogla politike aleate të saj
Nga lista finale rezulton se 9 mandate të PD shpërndahen për parti të vogla politike aleate të saj, 3 PR, 2 PDIU, 1 LZHK, 1 PAA, 1 PLL dhe 1 PBDNJ. Sipas të dhënave zyrtare të KQZ: Agron Duka (PAA) ishte në listën shumëemërore të PD Durrës; Fatmir Mediu (PR), ishte në listën shumëemërore të PD Tiranë; Lindita Metaliaj (PR) ishte në listën shumëemërore të PD Lezhë; Eralda Tase (PR) ishte në listën shumëemërore të PD Fier; Shpëtim Idrizi (PDIU) ishte në listën shumëemërore të PD Tiranë; Nusret Avdulla (PDIU) ishte në listën shumëemërore të PD Fier; Vangjel Dule (PBDNJ) ishte në listën shumëemërore të PD Tiranë; Andia Ulliri (PLL) ishte në listën shumëemërore të PD Durrës; Dashamir Shehi (LZHK) ishte në listën shumëemërore të PD Tiranë.
3 kandidatët që thyen herësin
Në zgjedhjet 2021 u aplikua për herë të parë vota e parapëlqyer, me prag të lartë zgjedhor (mbi 10 mijë vota). Në përfundim, vetëm 3 kandidatë arritën të ndryshojnë listat shumëemërore të partive politike duke fituar mandate parlamentare: Orlando Rakipi1 dhe Fatmir Xhafaj (PS, Tiranë), si dhe Luçiano Boçi (PD, Elbasan).
Më të vjetrit dhe më të rinjtë
Në parlamentin e ri deputetët më të vjetër në moshë janë Luljeta Bozo (PS, 78 vjeç), Sali Berisha (PD, 77 vjeç) dhe Tritan Shehu (PD, 72 vjeç). Vetëm 2 nga 140 deputetët janë në moshë nën 30 vjeç, përkatësisht Orlando Rakipi (PS, 27 vjeç) dhe Andia Ulliri (PD-PLL, 22 vjeç). Deputeti më i vjetër në moshë do të ketë të drejtën e hapjes dhe drejtimit të dy seancave të para të parlamentit në shtator 2021./ ISP