MENU
klinika

The Economist

Pengesat që mund të kufizojnë uljet e emetimeve të karbonit

28.08.2021 - 10:44

Revolucionit të gjelbër mund t’i mungojnë mineralet, paratë dhe vendet për t’u ndërtuar, shkruan The Economist

Me lartësi 107 metra, tre fletët me fibra karboni të turbinës me erë Haliade-X, janë më të gjata se krahët e një avioni. Gjeneratori që transformon rrotullimin e tyre – mbi 300 km në orë – kërkon mbi 100 magnete të fuqishme të prodhuar nga metale ekzotike dhe mbështjellje prej bakri.

Tehu, gjeneratori dhe mjetet plotësuese, me peshë rreth 900 tonë në total, duhet të instalohen në një shtyllë aq të gjatë, saqë lartësia e majave të tehut mbi dallgët, duhet të jetë pak a shumë sa lartësia e majës së Piramidës së Transamerikës mbi rrugën Montgomery në San Francisko.

Në maj, administrata e presidentit Joe Biden njoftoi miratimin e Vineyard Wind, një fermë me erë në brigjet e Massachusetts. Me kapacitet të planifikuar 800 megavat (MW) Vineyard Wind do të rrisë kapacitetin e energjisë së erës në Amerikë, me një faktor afërsisht 25. Por nuk do të jetë e vetmja. Z. Biden ka caktuar një objektiv prej 30,000 MW (30 gigavat, GW) deri në 2030, ekuivalenti i 37 projekteve të tilla. Britania, Kina dhe Gjermania kanë ambicie në një shkallë të ngjashme. Bernstein, një firmë kërkimore, mendon se kapaciteti i erës në det të hapur në botë mund të arrijë 254 GW deri në vitin 2030, mbi shtatë herë më i lartë se niveli i sotëm.

Një dekadë më parë, kjo do të tingëllonte si një fantazi e pastër. Sot, kompanitë po nxitojnë për të përmbushur kërkesën. Një sërë kompanish europiane të energjisë, me në krye Equinor, Orsted dhe Royal Dutch Shell, po konkurrojnë për të ndërtuar në ujërat amerikane. Equinor po mbështet një fabrikë të re të turbinave të erës në Albany. Kompania Dominion Energy po bashkohet me një ndërtues anijesh në Texas, për të ndërtuar një anije që mund të instalojë turbina përgjatë bregut lindor të Amerikës.

Zhvillime të ngjashme po ndodhin në të gjithë botën e energjisë së rinovueshme dhe të prodhimit të automjeteve elektrike. Arsyeja është e thjeshtë. Qeveritë kanë thënë se duan të ulin në mënyrë dramatike emetimet e gazrave serë. Dekada subvencioni dhe mbështetjeje, së bashku me një sipërmarrje të frymëzuar, kanë vënë në dispozicion një sërë teknologjish të gatshme për ta realizuar këtë. Ka ardhur koha për t’i nxitur këto teknologji sa më shumë që të jetë e mundur – si për të luftuar temperaturat në rritje dhe, siç shpresojnë qeveritë, për të rritur rolin e vendeve të tyre në një ekonomi të re të gjelbër.

Sidoqoftë, fakti që fermat e erës, fermat diellore dhe automjetet me bateri tani janë konkurruese në kosto, nuk do të thotë se ato mund të ndërtohen me çfarëdo ritmi që zgjedhin politikanët. Ato kërkojnë lëndë të parë – ndonjëherë, si në rastin e turbinave Haliade-X, në sasi mjaft të mëdha – gjithashtu leje qëndrimi, infrastrukturë, karikim dhe nevoja të ngjashme. Ato gjithashtu kanë nevojë për shumë kapital. Dhe materialet, vendet dhe kapitali i nevojshëm, mungojnë. Çmimi i litiumit është dyfishuar në vitin e kaluar.

Çmimet e bakrit janë rritur me rreth 70%. Ngado po plasin mosmarrëveshjet mbi lejet e ndërtimit për minierat e reja, fermat e erës dhe diellit. Kapitali mbetet i alokuar dobët; sepse ndërsa kompanitë e mëdha nxitojnë për të ndërtuar projekte të erës në det të hapur rreth zonës së Britanisë, ndërkohë, vendet e varfra me emetime në rritje, janë të uritura për investime. Nëse përpjekjet për të lehtësuar këto pengesa dështojnë, planet e dekarbonizimit në botë do të ngecin në vend që të avancojnë.

Marrëveshja e Parisit e vitit 2015 parashikon një botë ku temperaturat mesatare nuk rriten më shumë se 2° C mbi temperaturat e epokës paraindustriale dhe në një skenar ideal, nuk rriten më shumë se 1.5 ° C. Për të arritur këtë objektiv, shumica e ekonomive të mëdha, tani janë zotuar për emetime “zero” – pra ku sasia e gazit të emetuar, përputhet me sasinë e thithur nga “lavamanët” natyralë dhe artificialë – deri nga mesi i shekullit.

Në planin afatgjatë, përmbushja apo edhe afrimi drejt këtyre qëllimeve, do të kërkojë teknologji të reja, madje edhe industri të reja. Por çdo përpjekje serioze, kërkon edhe përdorimin e shpejtë të mjeteve ekzistuese. Gjatë dekadës së ardhshme, duhet të kryhen kërkime dhe zhvillime urgjente për të krijuar mjete të reja, paralelisht me teknologjitë që ekzistojnë tashmë.

Kostoja e një bote më të gjelbër

Në të kaluarën, tranzicione të tilla të energjisë kanë qenë procese të ngadalta, dhe gjithashtu kumulative; teknologji të reja si ato të avullit dhe naftës, u shtuan në buxhetin e përgjithshëm të energjisë dhe nuk zëvendësuan ato ekzistueset. Veprimi për klimën kërkon që tranzicioni aktual të jetë i shpejtë dhe total. Mungesa e shembujve paraardhës nuk e bën sfidën të pamundur, por përforcon nevojën për largpamësi dhe imagjinatë në përpjekjen për të kapërcyer pengesat.

Adoptimi i teknologjive të rinovueshme është një sukses i jashtëzakonshëm, sipas standardeve të së kaluarës. Në vitin 2019, kapaciteti diellor i instaluar ishte gati 15 herë më i lartë se sa në vitin 2010; për energjinë e erës, e cila filloi më herët, shifra ishte më modeste, por përsëri mbresëlënëse, rreth 3.4 herë. Rritja e kapacitetit ka ulur çmimet, duke e bërë atë më të përballueshëm nga ana financiare.

Gjatë dekadës së kaluar, “kostot e niveluara” të energjisë nga dielli, era dhe deti, ranë përkatësisht me 83%, 62% dhe 58%, sipas BloombergNEF, një grupi kërkimor. Dy të tretat e njerëzimit tani jetojnë në vende ku era dhe energjia diellore ofrojnë kapacitetin më të lirë për gjenerimin e energjisë elektrike.

Megjithatë, sipas standardeve të së ardhmes, kjo është e pakënaqshme, për të mos thënë e dobët. Pa ndërhyrje të mëtejshme, thotë Seb Henbest, kryeekonomisti i BloombergNEF, “shkalla natyrore e ndryshimit është shumë e ngadaltë për të arritur objektivat e klimës”. Në maj, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), themeluar në vitet 1970 për të mbrojtur aksesin në lëndët djegëse fosile, publikoi një raport mbi mënyrën e braktisjes së tyre, që nënvizonte mesazhin e z. Henbest.

Duke shqyrtuar rrugët sesi bota mund të arrijë emetime zero deri në 2050, IEA konfirmoi se shumë nga arritjet që duheshin në një periudhë të afërt, mund të realizoheshin me teknologjitë ekzistuese. Me një zgjerim të shpejtë të gjenerimit të rinovueshëm dhe makinave elektrike në vitet 2020, energjia elektrike dhe transporti mund të përbëjnë më shumë se 70% të rënies së parashikuar të emetimeve të gazrave serë.

Por duke ndjekur këtë rrugë, në vitin 2030, bota duhet të ndërtojë ferma me erë dhe diellore katër herë më shpejt sesa ritmi i vitit 2020. 60% e blerjeve të makinave të reja duhej të ishin elektrike, krahasuar me rreth 5% sot. Investimi vjetor i energjisë së pastër, tashmë në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, duhet të kalojë 4 trilionë dollarë deri në vitin 2030, sa trefishi i mesatares gjatë pesë viteve të fundit.

Sigurisht që është tërheqëse ideja e zëvendësimit të karbonit me energjinë e diellit dhe erës. Por, për ta bërë këtë në shkallë të lartë, nevojiten me miliona tonë lëndë të parë për t’u minuar. Bateritë e varura nga kobalti, litiumi dhe nikeli; neodiumi dhe elemente të tjera të rralla (të cilat pavarësisht nga emri i tyre nuk janë domosdoshmërisht të rrallë), bëjnë magnetet për gjeneratorët elektrikë dhe motorët; dhe mbështjellja duhet bërë me bakër.

Zinxhirët e furnizimit nga të cilat varet e gjithë kjo, kanë të paktën dy probleme të mëdha. I pari është përqendrimi. Minimi dhe përpunimi i mineraleve të nevojshme për burimet e ripërtëritshme, është shumë më i përqendruar gjeografikisht sesa shpimi i naftës dhe gazit; kjo duhet të jetë shqetësuese për këdo që e di sesi shpërndarja e lëndëve djegëse fosile ka ndikuar në histori dhe gjeopolitikë. Kompanitë kineze kontrollojnë një pjesë të madhe të shumë zinxhirëve thelbësorë të furnizimit me minerale dhe mjeteve të nevojshme për të bërë bateri, një pikë e nënvizuar edhe nga Shtëpia e Bardhë më 8 qershor.

Problemi i dytë ka të bëjë me mungesën e investimit, veçanërisht në metale. Të ardhurat nga qymyri, lënda djegëse fosile më e ndotur, vazhdojnë të tejkalojnë ato nga mineralet që kërkojnë teknologjitë e sotme për të siguruar një të ardhme më të pastër (shih grafikun 2). Investimet në projekte të reja për litium, nikel dhe bakër, po rriteshin para pandemisë, por me më pak se 25 miliardë dollarë, shifra në vitin 2019 ishte vetëm rreth 5% e shumës së investuar në naftë dhe gaz. Dhe minierat kërkojnë përpjekje të mëdha; mund të duhet më shumë se një dekadë për të vënë një në punë.

Nëse perspektiva e një bumi të madh në burimet e ripërtëritshme dhe automjetet elektrike nuk ka inkurajuar investimet, mund të ndihmojnë sinjalet e çmimeve. Por ka çështje që tejkalojnë çmimin. Disa investitorë e shmangin sektorin e minierave, ose për shkak të shqetësimit etik, ose për shkak se kanë frikë se do të njollosin kredencialet e tyre mjedisore dhe sociale. Dhe kanë të drejtë.

Miniera e litiumit në Kili ka shkaktuar grindje ligjore për ujin në Atacama. Më shumë se 70% e kobaltit merret në Republikën Demokratike të Kongos, me një histori korrupsioni dhe atë që sektori e quan në mënyrë eufemiste miniera “artizanale” ku punojnë shumë burra, gra dhe fëmijë të varfër.

Politikanët amerikanë, europianë dhe aziatikë, janë të etur për të rritur minierat brenda kufijve të vendeve të tyre. Qytetarët e tyre mund të jenë më pak entuziastë. Kundërshtimi mjedisor ndaj një miniere mineralesh të rralla në Groenlandë, ndihmoi në rrëzimin e partisë në pushtet në zgjedhjet e prillit.

Në Minesota, grupet e ruajtjes së mjedisit janë të shqetësuara për efektin e minierës së propozuar të bakrit dhe nikelit në përrenjtë dhe lumenjtë; në maj, qeveria e z. Biden ra dakord që të rishikojë lejet e minierës. Rishikimi i fundit mbi zinxhirin e furnizimit rekomandon lehtësimin e lejeve për minierat e reja dhe kufizimin e ndikimit të tyre në mjedis; që duket se do të jetë një baraspeshë e vështirë.

Rruga e gabuar

Benchmark Mineral Intelligence, një grup hulumtues, arriti në përfundimin se në gjysmën e dytë të kësaj dekade, kërkesa për litium në botë mund të jetë më shumë se dyfishi i nivelit të furnizimit. Mungesat e mëdha mund të përmbysin prirjen afatgjatë drejt baterive më të lira. Kostot e baterisë kanë rënë me 83% që nga viti 2012.

Por këto kursime kanë ardhur më shumë si pasojë e përmirësimeve të dizajnit dhe ekonomisë së shkallës dhe jo nga kursimi me inputet. Lëndët e para tani përfaqësojnë 50-70% të kostove të baterisë, nga 40-50% pesë vjet më parë, duke i bërë çmimet më të ndjeshme ndaj mallrave të shtrenjta.

Ndryshimet e procesit do të zvogëlojnë disa nga boshllëqet e furnizimit. Risitë që kursejnë lëndën e parë mund të përhapen shumë shpejt – për shembull, sharrat me tela diamanti, të cilat zvogëlojnë sasinë e silikonit të harxhuar, kaluan nga risi, në standard të industrisë, pothuajse brenda natës. Do të ketë gjithnjë e më shumë hapësirë për riciklimin. Dhe do të ketë zëvendësime.

Të nxitur më shumë nga shqetësimet mbi qëndrueshmërinë sesa nga çmimi në vetvete, prodhuesit e turbinave po largohen nga druri i balsas që përdoret shpesh për tehet e mëdhenj. Andreas Nauen, shefi i Siemens Gamesa, një prodhues i turbinave, thotë se kompania e tij do të përdorë shkumë në vend të balsas, deri në mes të dekadës. Në shkurt, Elon Musk, shefi i kompanisë Tesla, një prodhues i makinave elektrike, e quajti disponueshmërinë e nikelit “shqetësimin më të madh”. Ai dëshiron të zëvendësojë katodat me bazë nikeli, me ato të bëra me hekur.

Zgjuarsia mund të jetë një forcë e fuqishme. Por nuk mund të pritet që të kompensojë gjithmonë për efektet e sinjaleve të çmimeve. Dhe nuk mund të realizojë gjithçka menjëherë. Tesla është ende mjaft e interesuar për nikelin.

Një tjetër mungesë është toka. Studiuesit në Universitetin Princeton kanë modeluar rrugët e tranzicionit që e çojnë Amerikën në emetim zero deri në vitin 2050. Ata zbuluan se territori i zënë nga fermat diellore dhe të erës deri në vitin 2030, mund të jetë rreth 160,000 kilometra katrorë (62,000 milje katrore). Kjo përbën më pak se 2% të sipërfaqes së Amerikës Kontinentale. Por është rreth gjashtë herë më e madhe se zona e mbuluar aktualisht nga uji në të gjithë rezervuarët e vendit – ose pak më e madhe se zona e Illinoisit.

Toka e përdorur për fermat me erë mund të shfrytëzohet edhe për bujqësi të tjera, dhe turbinat janë përhapur nëpër pellgjet e fushave të Amerikës pa shumë kundërshtime. Por për disa teknologji dhe vende të caktuara, projektet e reja varen më tepër nga shqetësimi për ndikimet lokale dhe politikat e mëdha apo buxhetet ligjore të atyre që jetojnë pranë.

Turbinat me ujë në det të hapur janë ende në fillimet e tyre në Amerikë, pjesërisht për shkak se njerëzit e pasur që shijojnë pamjet e oqeanit të hapur, kanë luftuar kundër tyre – një kauzë e cila, në Massachusetts, ka bashkuar familjen Kennedy dhe kompaninë Koch. Problemi nuk është i kufizuar vetëm në vendet e pasura. Në Indonezi, mosmarrëveshjet mbi të drejtat e tokës kanë ngadalësuar seriozisht shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme.

Ndërtimi i infrastrukturës për të furnizuar energjinë e gjelbër nga panelet dhe shtyllat në fusha dhe shkretëtira në vendet ku është e nevojshme, përballet me të njëjtat sfida. “Nuk do të ketë energji të ripërtëritshme pa rrjete”, thotë Armando Martínez, i cili drejton biznesin e rrjetit në Iberdrola, një ndërmarrje e madhe. IEA parashikon se shpenzimet vjetore në rrjetet e energjisë elektrike duhet të trefishohen deri në vitin 2030.

Por pengesat për investimet në rrjet mbeten të larta. Mosmarrëveshjet për vendosjen e linjave të transmetimit nga fermat e erës në veri të Gjermanisë, në fabrikat dhe qytetet në jug të saj, kanë nxitur termocentralet jugore me qymyr dhe gaz. Në Amerikë, një linjë transmetimi duhet të marrë miratim nga çdo shtet ku ajo kalon dhe, në disa shtete, duhet miratim nga çdo qark. Si rezultat, për ndërtimin e projekteve të tilla mund të duhet më shumë se një dekadë, ose përfundojnë duke u braktisur plotësisht.

Në Vietnam, rritja e energjisë diellore në vitet e fundit ka mbingarkuar aftësinë e vendit për ta transmetuar atë te konsumatorët. Përditësimet në rrjet janë shumë të nevojshme, por deri më sot, sektori privat nuk ka pasur shumë mundësi për ta siguruar atë – Vietnam Electricity, ose EVN, ka një monopol mbi transmetimin dhe shpërndarjen e vendit.

Ndezja e fenerit

Dukuri të tilla tregojnë se ka një ngërç të madh në furnizimin e kapitalit, veçanërisht në vendet në zhvillim. Pavarësisht interesit në rritje për investime të gjelbra, përpjekjet serioze për të përmbushur objektivat e Marrëveshjes së Parisit do të kërkojnë rritje të mëtejshme të financave për energjinë e gjelbër dhe elektrifikimin.

Mungesa më e madhe është në ekonomitë në zhvillim, përveç Kinës, të cilat pritet të gjenerojnë pjesën më të madhe të rritjes së emetimeve në dekadat e ardhshme. Në këto tregje u investuan vetëm 150 miliardë dollarë në energjinë e pastër në vitin 2020, madje 8% më pak se një vit më parë, sipas analizës së re nga IEA, Banka Botërore dhe Forumi Ekonomik Botëror.

Në vitin 2019, India tërhoqi vetëm 8 miliardë dollarë investime në energjinë e pastër, më pak se një e dhjeta e totalit të Kinës dhe një e gjashta e Amerikës, sipas BloombergNEF. Vende të tjera me të ardhura të mesme dhe të varfra kishin edhe më pak investime (shih grafikun 3).

Enel, një ndërmarrje italiane, është investitori më i madh i huaj në energjinë e gjelbër në tregjet në zhvillim. Sipas Francesco Starace, shefit të saj, për të garantuar investimin e kompanive, një vend duhet të ketë burime natyrore, si dielli ose era e mjaftueshme, duhet të ketë nevojë për infrastrukturë, dhe më e rëndësishmja, “duhet të ketë një kornizë ligjore dhe rregullative ku mund të kesh besim”.

Një studim nga BloombergNEF zbuloi se mesatarisht, vendet pa politika për të mbështetur energjinë e pastër, siç janë ankandet për furnizim dhe sektorët e liberalizuar të energjisë elektrike, tërheqin investime në energjinë e pastër sa një e shtatëmbëdhjeta e tregjeve në zhvillim me politika më të qarta. Mbështetja qeveritare e prodhimit dhe përdorimit të brendshëm të qymyrit, si në Indi dhe Indonezi, i turbullon edhe më tej perspektivat.

Pasiguritë rregullatore dhe politike rrisin kostot e niveluara të një vendi. Projektet e rinovueshme kanë kosto të ulët operative (dielli dhe era janë falas), por kërkojnë shumë kapital paraprak. Dhe në shumë tregje në zhvillim, kapitali është i shtrenjtë. Kostoja mesatare e kapitalit për një projekt të erës në Indonezi është rreth katërfishi i kostos në Gjermani. Investitorët dhe politikanët në vendet e pasura pretendojnë se duan të ndihmojnë, por ata ende nuk po bëjnë sa duhet.

Nënshkruesit e Parimeve për Investime të Përgjegjshme, të mbledhur nga OKB, synojnë të promovojnë financa të qëndrueshme, por rreth 90% e nënshkruesve nuk janë aktivë në tregjet në zhvillim. Vendet e pasura nuk kanë arritur ende të sigurojnë 100 miliardë dollarë në vit për financimin e frenimit të ngrohjes klimatike, siç u premtuan vendeve në zhvillim në Paris.

Politikanët dhe investitorët sapo kanë filluar të përballen me këto pengesa. Në takimin e G7-ës më 11-13 qershor, u njoftuan objektiva më konkrete për ndihmën e gjelbër. Vietnami po shqyrton reformat për të nxitur investimet private në rrjetin e tij. Investitorët janë duke punuar për të shpalosur qartë rreziqet klimatike; qeveritë mund të bëjnë këtë punë për ta. Sipas bankës Ed Morse, katalizatori më i rëndësishëm për investime të gjelbra, do të ishte vendosja e çmimit për të llogaritur kostot mjedisore dhe sociale të karbonit.

Masa të tilla tregojnë se po vjen një fazë e re në revolucionin e gjelbër. Inxhinieria që lejon fletët rrotulluese të një turbine të vetme ere që të furnizojë një mijë shtëpi, ose që të përdoret litiumi nga shtretërit e liqeneve të thara për të ruajtur energjinë nga rrezet e diellit në dyshemenë e një furgoni sedan, është vërtet e jashtëzakonshme.

Por ajo duhet të ushqehet me materialet që i nevojiten, duhet të ketë vende për të funksionuar, duhet të integrohet me pjesën tjetër të infrastrukturës së botës dhe duhet paguar. Inovacioni dhe investimet në miniera, presioni mbi politikën e përdorimit të tokës dhe katalizatorët e rinj për investime private, veçanërisht në tregjet në zhvillim, janë më pak tërheqëse. Por ato janë gjithsesi të nevojshme.

/MONITOR